Lista e plotë e fituesve/ Maratona e Tiranës, rreth 4 mijë pjesëmarrës! Gega rekord kombëtar: Shqiptarët më dhanë forcë! Dominojnë kenianët (VIDEO)

20 Tetor, 08:07| Përditesimi: 20 Tetor, 16:18

  • Share

TIRANË- Për të tetin vit radhazi është mbajtur Maratona e Tiranës ku morën pjesë në 4 kategori të ndryshme mbi 4200 garues, nga të cilët rreth 1 mijë të huaj nga 50 vende të ndryshme të botës.

Nga ‘Sheshi Skënderbej’ të parët u nisën kategoritë 21 dhe 42 kilometra, më pas garuesit për 10 kilometra dhe në fund kategoria ‘We Too’, që përfshin personat me aftësi ndryshe, mesazhet e të cilëve ishin inkurajuese.

“Kjo ditë për mua është e veçantë se mora vendin e parë, një lodhje shumë e madhe, ia arrita t’ia dal me konkurrentë shumë të fortë. Është hera e tretë që marr pjesë dhe hera e tretë që fitoj vendin e parë”, tha Safet Plangaj, fituesi i parë i kategorisë We Too.

Kategoritë 10 dhe 21 kilometra u dominuan nga garuesit të cilët erdhën nga Kenia, ndërsa Luiza Gega bëri edhe njëherë krenar vendin, duke triumfuar në kategorinë 42 kilometra për vajza. Atletja vendosi edhe rekord kombëtar me kohën 2 orë, 34 minuta dhe 6 sekonda.

“Kam njerëz që më mbështesin në atë që bëj. Kjo maratonë është ndryshe nga çdo garë që bëj,” tha Luiza Gega. 

"S’kemi asnjë incident. 25% të nivelit total më shumë dhe 35-40% më shumë në nivel të maratonës dhe gjysmë maratonës. Ata jo vetëm po vrapojnë sot, por po shohin dhe gjithë Tiranën”, tha presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi.

Në edicionin e 8 të maratonës së Tiranës nuk u shënua asnjë incident, ndërsa për kategorinë 42 kilometra çmimet e fituesve u dhanë nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

"Pashë shumë atletë që kishin kauzën e autizmit. Një qytet i mirë është një qytet që i shërben të gjithëve dhe i ndihmon të gjithë. Kjo është Tirana jonë dhe ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithëve", tha Veliaj. 

Maratona e Tiranës nuk është vetëm një mundësi për demonstrimin e përgatitjes fizike, por edhe një mënyrë sensibilizimi për jetesë të shëndetshme dhe gjithash një promocim i Tiranës turistike.

Lista e plotë e fituesve për çdo disiplinë:
We too
Për meshkuj
1-Safet Plangaj
2-Denis Kaplani
3-Napolon Nadilaj
Për femra
1-Elona Bodini
2-Enjola Duraku
3-Fatbardha Nuzi
Kategoria 10 km
Për Meshkuj
1-David Nikolli – Shqipëri
2-Albion Ymeri – Kosovë
3-Bogdan Somenoyyeh – Ukrainë
Për Femra
1-Gresa Bakraqi – Kosovë
2-Redia Dauti – Shqipëri
3-Luisa Gaia Dal Molin – Itali
Kategoria 21 km
Ndërkombëtarë Për Femra
1-Valentine Benedek Jebet – Kenia
2-Saadia Fadili – Marok
3-Fatihah Asmid – Marok
Ndërkombëtarë Për Meshkuj
1-Kennedy Kipkmoi Rono – Kenia
2-Albert Kipkorirtonui – Kenia
3-Adam Lomb – Hungari
Për Vendas Për Femra:
1-Lorina Metaj
2-Jona Lama
3-Valentina Gradeci
Për Vendas Për Meshkuj:
1-Mikel Tonini
2-Arjan Berberi
3-Entjol Monka
Kategoria 40 km
Ndërkombëtarë Për Femra:
1-Luiza Gega Shqipëri
2-Mercy Chmutaj Kenia
3-Rose Jepchumba Kenia
Ndërkombëtarë Për Meshkuj:
1-Cosmas Kigen Kenia
2-Laban Cheruiyot Kenia
3-Bethwel Kiprono Chemweno Kenia

Ora 14:40
Maratona/ Rama: Një nga realitetet më të bukura të Tiranës Europiane dhe Turistike

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për Maratonën e Tiranës që u mbajt sot në kryeqytet, duke e cilësuar atë si një realitetet më të bukura të Tiranës së re Europiane dhe Turistike.

Rama shprehet se jo shumë vite më parë, maratona ishte një ambicie e shpallur nga Bashkia e Tiranës ku morën pjesë dhjetëra garues, ndërsa sot është pjesë e denjë e stacioneve të klubit europian të maratonistëve.

“Një ambicie e shpallur si fillim nga Bashkia e Tiranës jo shumë vite më parë, me disa dhjetëra të “çmendur” që morën pjesë në maratonën e parë dhe sot një nga realitetet e bukura të Tiranës së Re Europiane dhe Turistike, e cila tanimë është pjesë e denjë edhe e stacioneve të klubit europian të maratonistëve

Falenderim e duartrokitje për pjesëmarrësit nga shumë vende, po edhe një duartrokitje e posaçme për skuadrën e Bashkisë së Tiranës”, shkruan Rama.

Ora 14:10
Maratona e Tiranës/ Hungarezi 'mori çmimin e parë' në disiplinën 10 km, por skualifikohet! Intervista për Report Tv para se të ‘zbulohej hilja’: Garë e vështirë

Një hungarez ishte pjesë e Maratonës së Tiranës, duke iu bashkuar rreth 5 mijë pjesëmarrësve në këtë garë. Ai mori pjesë në disiplinën 10 km dhe duke marrë fillimisht medaljen e vendit të parë për meshkuj. Por, pas verifikimeve, burime për Report Tv bëjnë me dije se hungarezi është skualifikuar nga gara pasi nuk ka respektuar itinerarin e vendosur për garën 10 km. Ai nuk ka ndjekur rrugën e përcaktuar dhe këtë e tregoi GPS-i.

Duke thyer kështu rregullat e garës, hungarezi u skualifikua dhe medalja e vendit të parë i kaloi shqiptarit David Nikolli.

Por, para se të zbulohej ‘hilja’ e hungarezit, ai dha një intervistë për Report Tv, ku edhe pse itinerarit i kishte rënë shkurt, thotë se gara ishte e vështirë.

Intervista për Report Tv para se të skualifikohej nga gara

Gazetari Ernest Koçi: Si fillim, ju uroj që jeni numri një në këtë event. Çfarë mund të thoni për organizimin dhe qëllimin tuaj? 

Organizimi ishte i shkëlqyer, ishte një garë e mrekullueshme, rrugët e Tiranës ishin shumë të bukura. Më pëlqen shumë Shqipëria deri tani. 

Gazetari Ernest Koçi: Nga vini? 

Nga Hungaria. 

Gazetari Ernest Koçi: Hera e parë në Shqipëri? 

Po, vij nga Hungaria dhe është hera e parë në Shqipëri. 

Gazetari Ernest Koçi: Çfarë mund të thoni për garën, ishte e lehtë apo e vështirë? 

Rruga ishte pak e vështirë, kishte ngjitje dhe zbritje, nuk ishte shumë e thjeshtë. Ishte sfiduese, por unë arrita performancën time më të mirë.

Ora 13:46
Maratona, Veliaj i dorëzon medaljen e vendit të parë Luiza Gegës: Sa më shumë të zhvillohet Tirana, aq më shumë ngrihet gjithë Shqipëria dhe ecet përpara

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dorëzuar medaljen e vendit të parë të Maratonës së Tiranës në kategorinë 42 km për femra, atletes Luiza Gega. Gjatë fjalës së tij, Veliaj u shpreh se ky vit ka qenë i jashtëzakonshëm për kryeqytetin, ndërsa shtoi se shumë prej të huajve që kanë ardhur në Tiranë për maratonën kanë një motiv më shumë për t’u rikthyer vitin tjetër dhe për të investuar në kryeqytet.

“Kemi pasur këtë vit një shans të jashtëzakonshëm. Bashkia e Tiranës ka qenë drejtuesja e gjithë bashkive të Ballkanit, B40. Vitin tjetër Tirana do të jetë kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Shumë prej atyre të huajve që kanë ardhur sot, kanë një justifikim të vijnë prapë, me familjet, të blejnë ndonjë apartament, të fillojnë të investojnë në Shqipëri. Sepse unë besoj që sa më shumë të zhvillohet Tirana, aq më shumë ngrihet gjithë Shqipëria dhe ecet përpara. Pashë shumë atletë që kishin kauzën e autizmit. Një qytet i mirë është një qytet që i shërben të gjithëve dhe i ndihmon të gjithë. Kjo është Tirana jonë dhe ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithëve. Kam një falenderim të veçantë për të gjithë ata që ndoshta nuk ishin vullnetare, atletë, por të gjithë ata qytetarë që pas 8 vitesh e kanë bërë Tiranën një super model. Fakti që u ngarkua trafiku, dhe nuk u pengua gara do të thotë që niveli i qytetarisë në Tiranë është si në çdo vend tjetër të Europës”, tha kryebashkiaku.

Ai u ndal edhe te nisma e veçantë e Bashkisë së Tiranës për të ndërtuar një qendër ekslence për fëmijët e spektrit autik. Veliaj theksoi se në këtë mënyrë, Bashkia ndihmon më të dobëtit e shoqërisë, që të kenë një shans të barabartë me të tjerët.

“Ne do të kemi një kauzë të jashtëzakonshme për fëmijët që janë të spektrit autik. Bashkia e Tiranës do të ndërtojë qendrën më të madhe. Në momentin që Bashkia krijon një qendër ekslence siç është bërë piramida, unë besoj se aty pastaj bëjmë diçka që ia vlen dhe ndihmon ndoshta më të dobëtit e shoqërisë tonë”, u shpreh Veliaj.

Në fund të ceremonisë, një falenderim kreu i bashkisë e pati edhe për efektivët e policisë bashkiake dhe asaj të Shtetit, si dhe punonjësit e pastrimit që janë kujdesur për qytetin sot në këtë ditë pushimi.

Ora 12:34
Maratona/ Presidenti i Federatës së Atletikës për Report Tv: 1 mijë atletë të huaj, gara promovim edhe për Tiranën

Presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Taulant Stërmasi në një intervistë për Report Tv, foli për organizmin e Maratonës së Tiranës, eventi sporti më i madh në kryeqytet. Ai tregon se këtë vit janë rreth 5 mijë pjesëmarrës që kanë marrë pjesë në maratonë, ku rreth 1 mijë prej tyre janë të huaj.

Për gazetarin Ernest Koçi, Stërmasi thotë se këtë vit janë rreth 40% më shumë garues në maratonën kryesore 42 km dhe gjysmë maratonën 21 km. Ai thotë se vitin tjetër shpreson që shpërblimi për fituesit të jetë më i madh.

“Detyra jonë është të lodhemi shumë dhe njerëzit ta kalojnë festë. Vrapimi s’duhet të jetë vetëm për elitarët, por edhe për amatorët, qytetin e Tiranës edhe 1 mijë të huaj që sot kanë ardhur për të respektuar qytetin por edhe Maratonën e Tiranës. Gara po shkon jashtëzakonisht mirë, s’kemi asnjë incident. 25% të nivelit total më shumë dhe 35-40% më shumë në nivel të maratonës dhe gjysmë maratonës. Ata jo vetëm po vrapojnë sot, por po shohin dhe gjithë Tiranën”, tregon ai.

Stërmasi flet edhe vështirësitë e organizmit të maratonës ndër vite, ndërsa sot shënohet edicioni i tetë. Për Stërmasi, ky event sportiv synon edhe promovimin e Tiranës.

“Viti i parë ka qenë shumë i vështirë, më të vështirë e kishim me qytetarët e Tiranës që të rrinin në shtëpi ose të brohorisnin, po ishin të gjithë në rrugë. Vitin e dytë filluan ta kuptojnë dalëngadalë, tani s’kemi asnjë lloj problemi me qytetin, qyteti jo vetëm që po i pranon të gjithë vrapuesit, por pjesa kryesor edhe merr pjesë ose si tifoz, por edhe si vrapues. Jemi shumë më mirë se ç’kemi qenë dhe uroj që vitin tjetër të kemi tjetër nivel që jo vetëm në pjesëmarrje, edhe organizim, por edhe shpërblime më të mëdha, që të kemi pjesëmarrje më të madhe të nivelit elitar. Fokusi kryesor është që Tirana të vrapojë dhe gjithë Shqipëria të vrapojë në Tiranë se është destinacion”, vijoi Stërmasi për Report Tv.

Ora 12:03
Shpallen fituesit e Maratonës së Tiranës në distancën 21 km, dominojnë sportistët nga Afrika (EMRAT)

Maratona e Tiranës ka arritur një tjetër sukses, këtë herë me garën e distancës 21 km, ku atletët treguan performanca të shkëlqyera. Në kategorinë e femrave, Valentine Benedek Jebet nga Kenia zuri vendin e parë, duke demonstruar forcë dhe teknikë të shkëlqyer gjatë garës.

Pas saj, në vendin e dytë u rendit Saadia Fadili nga Maroku, e cila po ashtu ofroi një paraqitje të shkëlqyer. Në vendin e tretë u klasifikua Fatih Asmid, gjithashtu nga Maroku, duke plotësuar podiumin për atletet nga Afrika.

Në kategorinë e meshkujve, fituesi ishte Kennedy Kipkmoi Rono nga Kenia, i cili tregoi një ritëm të jashtëzakonshëm dhe e shfrytëzoi çdo mundësi për të udhëhequr garën. Albert Kipkorirtonui, gjithashtu nga Kenia, e përfundoi garën në vendin e dytë, ndërsa Adam Lomb nga Hungaria zuri vendin e tretë, duke kontribuar në një garë të fortë dhe konkurruese.

Kjo maratonë jo vetëm që promovon sportin dhe shëndetin, por gjithashtu ofron një platformë për atletët nga e gjithë bota për të treguar aftësitë e tyre.

Disiplina 21 km për ndërkombëtarë
Për Femra:
1. Valentine Benedek Jebet – Kenia
2. Saadia Fadili – Marok
3. Fatihah Asmid – Marok
Për Meshkuj:
1. Kennedy Kipkmoi Rono – Kenia
2. Albert Kipkorirtonui – Kenia
3. Adam Lomb – Hungari

 

Disiplina 21 km për vendas:
Për Femra:
1. Lorina Metaj
2. Jona Lama
3. Valentina Gradeci
Për Meshkuj:
1. Mikel Tonini
2. Arjan Berberi
3. Entjol Monka
Ora 12:01
Maratona e Tiranës/ Luiza Gega vendos rekord kombëtar: Kënaqësi më vete, njerëzit më japin forcë

 

Luiza Gega ka arritur një sukses në Maratonën e Tiranës, duke vendosur një rekord kombëtar në këtë edicion të tetë të garës. Ajo shprehu emocionet e saj pas përfundimit të garës, duke theksuar se ishte një sfidë e dyfishtë për të, pasi gjatë dy ditëve të fundit kishte kaluar një grip të fortë.

“Kam nisur me frikë, sepse nuk e dija se sa do të arrija të mbaja,” tha Gega. “Kur vijnë kilometrat e fundit, trupi pëson një shok. Të vraposh në Tiranë është një kënaqësi më vete. Njerëzit që të urojnë rrugës dhe bëjnë tifo për ty, të japin një forcë që ti nuk mendon se e ke.”

Gega, e cila ka marrë pjesë në këtë maratonë për të tetin vit, theksoi rëndësinë e komunitetit që e mbështet atë në aventurat e saj sportive.

“Kam njerëz që më mbështesin në atë që bëj. Kjo maratonë është ndryshe nga çdo garë që bëj,” tha ajo.

Pjesëmarrësit dhe tifozët ishin të emocionuar për arritjen e Luiza Gegës, e cila vazhdon të jetë një model frymëzimi për të rinjtë dhe sportdashësit në Shqipëri. Ky rekord është një tjetër dëshmi e përkushtimit dhe talentit të saj në atletikë.

Ora 11:37
Maratona e Tiranës, shpallen fituesit në distancën 10 km, mes tyre një italiane dhe një ukrainas (EMRAT)

Maratona e Tiranës ka përfunduar me sukses për distancën 10 km. Në podiumin e meshkujve, David Nikolla nga Shqipëria u shpall fitues, duke lënë pas konkurrentët e tjerë me një performancë të shkëlqyer. Pas tij, në vendin e dytë u rendit Albion Ymeri nga  Kosova dhe Bogdan  Somenoyyeh  nga Ukraina zuri vendin e tretë.

Në kategorinë e femrave, fituesja e garës ishte Gresa Bakraqi nga Kosova, e cila u shfaq në formë të shkëlqyer dhe e meritoi vendin e parë. Redia Dauti nga Shqipëria u klasifikua në vendin e dytë, ndërsa Luisa Gaia Dal Molin nga Italia përfundoi garën në vendin e tretë.

Një përfaqësim i larmishëm i kombësive u pa gjatë kësaj ngjarjeje sportive.

Maratona e Tiranës është bërë një ngjarje tradicionale që promovon sportin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke sjellë së bashku atletë nga vende të ndryshme për të sfiduar njëri-tjetrin në një atmosferë festive dhe mbështetje të fortë nga publiku.

Ora 11:31
VIDEOLAJM/ Dinozauri ‘sfidon’ garuesit në Maratonën e Tiranës

Sot ka startuar “Maratona e Tiranës,” ngjarja më e madhe sportive në kryeqytet.

Në orën 09:00, nga sheshi “Skënderbej” nisën maratonën vrapuesit e parë në kategorinë “Marathon 42 km”.

Megjithatë, gjatë maratonës, një pjesëmarrës i veshur si dinozaur tërhoqi vëmendjen e kalimtarëve dhe shikuesve, ndërsa vraponte mes garuesve të tjerë.

Ora 10:35
Për herë të parë në Maratonën e Tiranës, garuesi për Report Tv: Në mbështetje të fëmijëve me spektrin e autizmit

Maratona e Tiranës ka mbledhur rreth 5 mijë garues nga 50 vende të botës. Një prej tyre, tregon për Report Tv se ka zgjedhur kauzën ‘Run for autism’, në mbështetje të fëmijëve me spektrin e autizmit.

Për gazetarin Ernest Koçi, ai tregon se është hera e parë që garon në Shqipëri, pas pjesëmarrjeve në maratona në Londër. Për këtë garues shqiptar kjo kauzë vlen shumë, e ndërsa thotë se shpreson që të mblidhen sa më shumë para për të ndihmuar fëmijët me spektrin e autizmit.

“Maratona shkoi shumë mirë. Zgjidha këtë sepse kam dëshirë që të ndihmojmë sado pak të gjithë fëmijët me autizëm që të mblidhet një shumë parash dhe t’i ndihmojmë. Hera e parë që garoj këtu në Shqipëri. Organizimi shumë i mirë. Kam marrë pjesë në Londër për 10K më parë”, tregon garuesi për Report Tv.

Një tjetër garues ka zgjedhur të marrë pjesë në Maratonën e Tiranës bashkë me familjen.

“Kam ardhur me vajzën time dhe u kënaqëm. Maratona kupton vrapim familjar, duam që aktivitet fizike të jenë pjesë e familjes sonë”, tregon ai.

Ora 09:45
'We Too', Pjesëmarrësit e veçantë të Maratonës së Tiranës

Maratona e Tiranës edhe këtë vit u pasurua me një kategori të veçantë, duke e bërë garën edhe më frymëzuese.

Në kuadër të kësaj maratone, u zhvillua edhe gara “We Too,” e cila kishte më shumë synim motivimin sesa konkurrimin.

Në këtë kategori morën pjesë persona me aftësi të kufizuara dhe paraplegjikë, të cilët vrapuan për të mbështetur një kauzë të rëndësishme, duke përcjellë mesazhe të fuqishme shprese dhe guximi.

Këta pjesëmarrës treguan se asgjë nuk mund të ndalë vullnetin për të kapërcyer sfidat e jetës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • LORA: 20/10/2024 15:11

    Urime Luiza Gega. Je krenari kombetare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?