Samiti 'Procesi i Berlinit'/ Liderët e Ballkanit Perëndimor nënshkruajnë 2 marrëveshje për tregtinë e lirë dhe arsimin e lartë! Kancelari Scholz: E ardhmja është në Europë

14 Tetor, 07:25| Përditesimi: 14 Tetor, 17:29

  • Share

Berlin- Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri për tregun e përbashkët rajonal, si dhe një marrëveshje të re për lëvizshmërinë, e cila përfshin qasjen në arsimin e lartë.

Nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, samiti u mbajt sot (14 tetor 2024)  në Berlin. Të pranishëm ishin edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përfaqësues të vendeve partnere.

Scholz tha se marrëveshjet e reja "Ne do të nënshkruajmë dy dokumente që do ta lehtësojnë jetën e përditshme të njerëzve".

Plani i ri për tregun e përbashkët rajonal është pjesë integrale e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili u miratua nga Bashkimi Evropian në muajin maj dhe ka vlerën e gjashtë miliardë eurove.

Ky plan i rritjes synon t'i mbështesë reformat e rajonit, që lidhen me BE-në, si dhe rritjen e tij ekonomike.

Vendet anëtare të BE-së i miratuan më 11 tetor agjendat e reformave të pesë vendeve të rajonit - përveç Bosnje e Hercegovinës - duke i hapur kështu rrugë Komisionit Evropian që t'i bëjë pagesat e para nga paketa në fjalë.

Bosnja duhet të presë ende për miratimin e agjendës së saj, pasi që dokumenti që ky vend dërgoi në BE, nuk ishte komplet dhe nuk i adresonte të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga Plani i Rritjes. Mbi 250 milionë euro, asaj do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

"Procesi i Berlinit është instrumenti më i mirë jo vetëm për bashkëpunimin rajonal, por edhe për përshpejtimin e integrimit evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha ai.

Scholz theksoi se zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura më parë është çelësi për një integrim të suksesshëm në Evropë.

 "Unë mbetem i bindur se e ardhmja është në Bashkimin Evropian. Ekziston vetëm një rrugë që të çon atje, dhe kjo është zbatimi i plotë i marrëveshjeve që ju keni arritur tashmë.”

Çfarë ndodhi më parë?

Kancelari gjerman, Olaf Scholz theksoi se ”E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë” ndërsa gjatë hapjes së samitit të Procesit të Berlinit lavdëroi përparimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal. 

Kancelari gjerman Olaf Scholz priti sot në Kancelarinë Federale kryetarët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë, në kuadër të Procesit të Berlinit. 

Ai vuri theks të veçantë në kontributin e Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

"Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes së CEFTA-s është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal”, theksoi Scholz.

Procesi i Berlinit, i cili u themelua dhjetë vite më parë, ka për qëllim mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe promovimin e iniciativave rajonale. Scholz theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të përballuar sfidat ekonomike dhe sociale.

Në fjalimin e tij, Scholz iu referua gjithashtu tensioneve të vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës dhe u bëri thirrje të dy vendeve që të mos e shohin të kaluarën si një pengesë për të ardhmen evropiane. "Ne të gjithë e dimë se sa shumë rajoni juaj ende ndikohet nga konfliktet e së kaluarës”, tha ai.

"Por tani është koha që sytë të drejtohen drejt të ardhmes. Ne kemi nevojë për një dinamikë të re dhe një proces normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës. Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi. Është një angazhim i qartë për të zgjidhur çështjet dypalëshe dhe për t'u pajtuar në mënyrë paqësore. Për këtë qëndron Procesi i Berlinit.”

Rezultatet e samitit do të prezantohen në një konferencë të përbashkët për shtyp nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të cilët gjithashtu do të marrin pjesë në samit në emër të BE-së.

Kancelari gjerman Olaf Scholz mblodhi sot në Berlin liderët e Ballkanit Perëndimor në 10-vjetorin e Procesit të Berlinit. Shqipëria pëfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, Kosova nga kryeministri Albin Kurti, Serbia nga kryeministri Miloš Vučević. Përveç përfaqësuesve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë gjithashtu vendet partnere, përfaqësues të Bashkimit Evropian. E pranishme është edhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen. 

Agjeda e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit
-14 Tetor 2024, ora 09.30, Berlin, Kancelaria Federale
-09.30 – 10.00 Mbërritja e delegacioneve, përshëndetje nga Olaf Scholz, Kancelar i Federatës Federale Republika e Gjermanisë
-10.00 – 10.15 Hapja dhe ndërhyrja zyrtare nga kancelari Scholz
-10.15 –11.15 Sesioni 1: Bashkëpunimi rajonal dhe tregu i përbashkët rajonal
-11.15 – 11.30 Foto në grup dhe pushim kafeje
-11.30 – 12.20 Sesioni 2: Axhenda e Gjelbër, Lidhshmëria, Energjia
-12.20 – 12.35 Ceremonia e nënshkrimit
Ceremonia e nënshkrimit
-12.35 – 13.00 Diskutim me përfaqësues të Forumit Rinor dhe të Shoqërisë Civile
Forumi
-13.00 – 14.00 Dreka (vetëm krerët e qeverive)
Tema: E ardhmja e Procesit të Berlinit
-14.00 – 14.30 Konferencë për shtyp

Ora 15:03
Samiti/ Rama ndan foton e veçantë! Kur shqiponja të pret për drekën e punës në zyrën e Kancelarit të Gjermanisë

1728910573_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një foto të veçantë gjatë samitit të procesit të Brelinit që po mbahet po në Berlin.

Pas samitit, kryeministri Edi Rama publikoi një foto nga zyra e kancelarit gjerman Olaf Scholz , ku ka pasur edhe një 'surprizë' të këndshme, të cilën e ka ndarë në rrjetet sociale.

Në foton e publikuar në Facebook, në sfond duket një shqiponjë, ndërsa Rama shkruan: “Kur shqiponja të pret për drekën e punës në zyrën e Kancelarit të Gjermanisë”.

 

 

Ora 14:13
Procesi i Berlinit/ Nënshkruhet marrëveshja nga 6 liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor, Scholz buzëqesh me nënshkrimin e veçantë të Ramës

Berlin- Është nënshkruar marrëveshja e shumëpritur në Samitin e Procesit të Berlinit, me rastin e 10-vjetorit, për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Nën kujdesin e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryekomisioneres së BE, Ursula von der Leyen, 6 liderët e vendeve të Ballkanit perëndimor u rreshtuan në tavolinën ovale për të firmosur marrëveshjen, mes tyre i pari edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ky moment historik pati edhe një episod interesant dhe gati gazmor. Pikërisht në momentin që kryeministri Edi Rama hidhte firmën e tij në dokument, me nënshkrimin karakteristik, kancelari gjerman Scholz nuk ia ka ndarë sytë dhe në fund e ka shoqëruar me një të qeshur, duke kthyer kokën edhe nga kryekomisonerja Von der Leyen.

Kryeministri Edi Rama pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe kancelari Scholz duke buzëqeshur
Ora 12:07
10-vjetori i Procesit të Berlinit, Rama ndan foton familjare nga Gjermania! Bisedon me Kurtin dhe Orban, shfaqet dhe pranë Scholz (VIDEO)

Teksa po zhvillohet takimi për 10-vjetorin e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor në Gjermani, është ndarë edhe një foto familjare me të gjithë liderët pjesëmarrës, mes tyre edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Ka qenë kreu i qeverisë që ndau në rrjetin social Facebook pamjet nga takimi, si dhe foton familjare, me citimin tekst: “Berlin, Gjermani - Foto familjare e samitit “Procesi i Berlinit 2024”.

Kryeministri shqiptar u pa teksa qëndronte pranë kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti në radhën e parë, teksa më tej edhe gjatë bisedave të rastit me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, si dhe kryeministrin kosovar Kurti.

1728900388_finalprojekt.01045412.Still291.jpg

Foto familjare e liderëve pjesëmarrës në 'Procesin e Berlinit 2024'

Ora 11:39
Scholz në samitin e Berlinit: Duhet dinamikë e re në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

1728898969_1728898289rama.JPG

Berlin- Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

Scholz i bëri komentet në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë përfaqësues të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve partnere.

“Na duhet një dinamikë e re... do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.

“Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai.

Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

Ora 11:26
FOTOLAJM/ Samiti i procesit të Berlinit! Rama në tryezë me kancelarin Scholz dhe ministren gjermane

Foto: Rama krah kancelarit Scholz dhe ministres Annalena Baerbock

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto gjatë samitit që po mbahet në Berlin. Rama ndodhet pranë kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe ministren e jashtme gjermane

Gjatë hapjes së samitit të Procesit të Berlinit  të hënën, 14.10. në Berlin,  kancelari gjerman,  Olaf Scholz lavdëroi përparimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në bashkëpunimin rajonal. Ai vuri theks të veçantë në kontributin e Kosovës dhe e përgëzoi për arritjet e fundit në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). "Dëshiroj të përgëzoj Kosovën për kontributin që ka dhënë së fundmi. Diplomacia e marrëveshjes së CEFTA-s është një arritje e madhe për bashkëpunimin rajonal”, theksoi Scholz.

Ora 11:13
Takime përgatitore para samitit të Berlinit, ministrat e Brendshëm diskutojnë për bashkëpunim kundër migracionit të paligjshëm

Foto: Konferenca e Ministrave të Ekonomisë, foto kolektive

Berlin- Kancelari gjerman Olaf Scholz pret sot në Kancelarinë Federale kryetarët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë, në kuadër të Procesit të Berlinit. Përveç gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë gjithashtu vendet partnere, përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Deutsche Ëelle shkruan se para samitit  janë zhvilluar disa takime të ministrore, ku janë trajtuar një sërë temash për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Kështu për shembull, në takimin e ministrave të Brendshëm u diskutua për bashkëpunim kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar, në takimin e  ministrave të Ekonomisë u diskutua për transformimin energjetik të vendeve të rajonit dhe eliminimin e barrierave tregtare.

Ministrat e Jashtëm ranë dakord për përmirësimin e standardeve për investimet e huaja dhe marrëdhëniete fqinjësisë së mirë. Po ashtu ka pasur dakordime për përmirësimin e gjendjes së romëve dhe harmonizimin e legjislacionit në çështjet gjinore. Në samit do të diskutohen edhe rekomandimet e dala nga Forumi i Shoqërisë Civile dhe Forumi rinor, të cilat po zhvillohet paralelisht me takimin e nivelit të lartë në Berlin. 

Procesi i Berlinit, i krijuar në vitin 2014 për të mbështetur procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, është një nismë e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel.

Ora 11:06
FOTO/ Pritja e kryeministrit Rama dhe Kurti nga kancelari Scholz! Marrëveshjet që do të miratohen 

Scholz pret kryeministrin Rama 

Kancelari gjerman Olaf Scholz priti sot në Kancelarinë Federale kryeministrin Edi Rama, kryeministrin e Kosovës dhe përfaqësuesit e 4 vende të tjera të Ballkanit si dhe ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Përveç gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, marrin pjesë gjithashtu vendet partnere, përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Në këtë takim pritet miratimi i planit të ri për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe një marrëveshje për lehtësimin e studimeve në vendet e rajonit.

Siç bëhet e ditur nga qarqe qeveritare në Berlin, në qendër të samitit qëndron nënshkrimi i një marrëveshjeje që përfshin shkëmbimin e studentëve dhe lehtësimin e qasjes në institucionet arsimore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo marrëveshje synon të thjeshtojë njohjen reciproke të kualifikimeve akademike dhe diplomave universitare, duke lehtësuar mobilitetin e studentëve dhe mundësitë e tyre për të studiuar në universitetet e vendeve të tjera të rajonit.

Gjithashtu, pritet të miratohet një plan i ri veprimi për Tregun e Përbashkët Rajonal, i cili synon të harmonizojë standardet sociale dhe të punës, si dhe të lehtësojë qarkullimin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve brenda rajonit. Burime nga qeveria gjermane kanë raportuar se një çështje tjetër që do të diskutohet është zhbllokimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), që pritet të përforcojë më tej bashkëpunimin tregtar në rajon.

1728895997_albinkurtiolafscholz.jpg

Foto: Albin Kurti pritet nga kancelari Scholz
S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?