Situata në PD, Besart Logu: Gazment Bardhi të zbresë me këmbë në tokë, po tejkalon kompetencat, nuk e thërret dot ai Këshillin Kombëtar

21 Qershor 2023, 21:17| Përditesimi: 21 Qershor 2023, 21:25

  • Share

Anëtari i Këshillit Kombëtar, Besart Logu i ftuar në Report Tv foli për situatën brenda Partisë Demokratike dhe procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri. Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, Logu tha se tashmë është hapur rruga që Partia Demokratike t’i rikthehet normalitetit.

“Janë regjistruar vetëm dy kandidatë. Fatmirësisht iu hap drita jeshile PD për t’iu rikthyer normalitetit. Pa një kryetar, me sulme të jashtë dhe brendshme, me diversione bëri të mundur që të mblidhet këshilli dhe të dalin me vendim për futjen e PD në normalitet. Ka ende njerëz të përgjegjshëm, të vetëdijshëm në këtë vend që marrin përsipër përgjegjësinë e statutit dhe i ushtrojnë në konform. Është menduar që javën e fundit të ketë një debat të tillë mes kandidatëve, realizohet në degë takime të ndryshme”, tha ai. 

Logu ka komentuar edhe qëndrimet e Gazment Bardhit, i cili thotë se mbledhja e Këshillit Kombëtar ishte ilegjitime. Sipas Logut, Bardhi duhet të ulet me këmbë në tokë, pasi ai nuk ka të drejtë që të thërrasë Këshillin Kombëtar.

“Nëse i referohemi satutit, sekretari është përgjegjës për organizimin dhe funksionimin ditor të PD. Zbaton vendimet e kryetarit të partisë, kryesisë dhe këshillit. Është zbatues. Është në kushtet e tejkalimit të kompetencave. Fakti që ka edhe postin e kreut të grupit, duket sikur është rritur në pozita, duhet ulur në këmbë në tokë. As nuk thërret këshill as nuk imponon në kryesinë. E thërret kryetari, kryesia dhe ¼ e anëtarëve të partisë”, tha Logu.

Për herë të parë Këshillit Kombëtar të PD, i cili u mblodh dje, i mungoi e gjithë struktura drejtuese e Partisë. Mungesës së Kryetarit, i cili të djathtëve i mungon prej nje viti e gjysmë iu bashkua edhe ajo e Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhit dhe e 16 deputetëve që e bojkotuan.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka qenë Vettingu i gjyqtarëve e prokurorëve proces i besueshëm?