Muhamed Zekiri

Shpërdoroi detyrën në një kontratë konsulence me vlerë rreth 1 mln euro, arrestohet Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë në Maqedoninë e Veriut

9 Prill 2022, 10:40| Përditesimi: 9 Prill 2022, 10:49

  • Share

Sekretari i deritanishëm i qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamed Zekiri, të enjten rreth mesnate është dërguar në burgun e Shkupit, pasi Gjykata Themelore i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditëve.

Zeqiri dyshohet se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin zyrtar dhe ka të bëjë me dyshimet për abuzim lidhur me një kontratën për shërbime konsulence.

Gjyqtari i procedurës paraprake vendosi masën e paraburgimit pasi sipas komunikatës së Gjykatës, “ekziston rreziku i arratisjes, zhdukjes të gjurmëve apo ndikimit të dëshmitarëve, si dhe rrezikut që ai të përsërisë veprën”.

Prokuroria dyshon se Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë në periudhën nga prilli 2021 deri në janar 2022, pa procedurë të prokurim publik, ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me një kompani që kap vlerën e përgjithshme prej rreth 941, 985 euro, që është rreth 147,000 më shumë se shuma e paraparë.

Vepra dyshohet të jetë kryer së bashku me dy shtetas kroatë, të cilëve gjithashtu iu shqiptua masa e paraburgimit, por meqë ata nuk ndodhen në Maqedoninë e Veriut, paraburgimi do të hyjë në fuqi pas ndalimit të tyre.

Pas njoftimit të prokurorisë për hapjen e hetimeve, Zeqiri dha dorëheqje të parevokueshme nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Në njoftimin e publikuar, ai tha se ka besim se do të vërtetojë pafajësinë e tij.

“Unë besoj në institucionet e sistemit, besoj në drejtësi dhe besoj se e vërteta do të dalë në shesh. Unë jam në dispozicion të të gjitha institucioneve në çdo kohë, për të provuar pafajësinë time”, ka deklaruar Zeqiri.

Dorëheqja e tij është pranuar nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski i cili tha se e respekton vendimin si akt të përgjegjësisë politike dhe tha se pret një hetim plotësisht transparent dhe të pavarur nga prokuroria dhe drejtësia.

Muhamed Zeqiri ishte zgjedhur sekretar i përgjithshëm në nëntor të vitit 2020

Muhamed Zeqiri ka punuar si gazetar para se të zgjidhej deputet në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2016 në listën e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, që në atë kohë drejtohej nga Zoran Zaev./ REL

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?