Shkodër/ Braktisen degët e mësuesisë dhe gazetaria! Tre studentë në Gjuhë-Letersi, 2 Gazetari, 1 Fizikë, zero në Histori

17 Shtator, 13:47| Përditesimi: 21 Shtator, 16:07

  • Share

Fakulteti i Shkencave Shoqërore në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, çelur në vitin 1957 rrezikon mbylljen ose reformim të thellë, pasi nuk ka më interes nga studentët. Në përfundim të raundit të parë të regjistrimeve, Rektori i Shkodrës Tonin Gjuraj bëri të ditur se për Gjuhë Letersi janë regjistruar vetëm 3 studentë, 2 për Gazetari dhe zero në Histori. E njëjta panoramë e zymtë ështe dhe tek Shkencat e Natyrës, me vetëm 1 student në degën e Fizikës.

“Regjistrimet tek Shkencat Shoqërore nuk janë mirë, 12 studentë të regjistruar në raundin e parë. Lipset reformë urgjente, programet klasike duhen riparë. Nuk jam unë që i vendos por do hap diskutim me stafet akademike. Mos ka ardhur koha të mbajmë vetëm Albanologji në ciklin 3-vjeçar dhe pastaj studentët mund të ndjekin master në dege te caktuara? Nevojitet një reformë e brendshme e kurrikulës”.

Pavarësisht mungesës së studentëve, pedagogëve nuk u rrezikohet vendi i punës, siguron Gjuraj.

“Së pari nuk udhëzim të Ministrisë së Arsimit që na deturon t’i mbyllim këto programe. I takon Senatit Akademik vendimi, por ne kemi shpresë për vitin tjeter të kemi situatë tjetër.  Unë do bëj përpjekje të mund ti mbajmë të hapura, por të reformohen. Nuk ka pedagogë që rrezikojnë vendin e punës. Numri mund të jetë i reduktuar në vitin e parë, por është i lartë numri i programeve në këtë fakultet”.

Tashmë të rinjtë janë të orientuar drejt profesioneve të kërkuara brenda dhe jashtë vendit, ndaj kanë zgjedhur Infermieri, Administrim-Biznes, Drejtësi dhe Anglisht.

“Në total në Universitetin e Shkodrës u regjistruan 682 studentë, ku dhe këtë vit u plotësuan të gjitha kuotat tek Infermieria. Është i njëjti trend si vjet.  Ekonomia ka numër të mirë, 157 studentë, Administrim Biznes dhe Financë Kontabiltet, 32 regjistrime tek Drejtësia. Shkencat e Edukimit 139, Sportet, Psikologjia. Gjuhë të Huaja me numër disi të mirë, Anglisht është mirë, kanë probleme të tjerat”, tha ai.

Rektori i Shkodrës shpreson që të plotësohen disa kuota në raundin e dytë dhe të tretë të regjistrimeve në universitet.

“U bëj thirrje maturantëve për tu regjistruar sepse ka dy mundësi të tjera, 19-21 shtator do të jetë raundi i dytë, ftoj maturantët e zonës verilindore dhe nga trojet të regjistrohen. Po kështu do kemi më datë 10-25 tetor fazën e tretë të regjistrimeve. Ministria e Arsimit do të nxjerrë formularin A1Z dhe kjo është një mundësi e re zgjedhje, ta shfrytëzojnë këtë mundësi”.

R.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?