Sfidat dhe vështirësitë e një jetimi, aktivisti flet në Report Tv: S’kemi asnjë privilegj, strehimi problematika jonë më e madhe! Mesazhi? Mos u dorëzo

20 Maj 2022, 19:46| Përditesimi: 20 Maj 2022, 20:43

  • Share

“Mos u dorëzo”, ishte ky mesazhi i fortë që dha aktivisti i të drejtave të jetimëve, Sabail Gjyli.

Ai është një prej tyre. Sabail është rritur dhe edukuar në jetimoren e Shkodrës, por pavarësisht vështirësive dhe privimit të shumë kënaqësive në jetë, ia ka dalë të arsimohet dhe të punësohet me forcat e veta, sepse siç tha nuk e humbi asnjëherë besimin.

“Jam rritur në jetimoren e Shkodrës, sot kam pasur një ëndërr për t’u arsimuar dhe të punësohem. Nuk e kam humbur kurrë besimin.  Të jesh jetim është fatkeqësi, kush e ka ndjerë dhe kush e ndjen, është diçka që të bënë të mendosh që je vetëm. Jeta nuk të jep të gjitha privilegjet.”, tha ai.

Gjërat kanë ndryshuar në mënyrën sesi shoqëria shqiptare i sheh jetimët. Sebail, i ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj tha se njerëzit sot janë bërë më humanë. Kjo nuk do të thotë se kjo shtresë nuk hasë vështirësi. I riu tha se një prej sfidave më të mëdha është strehimi.

“Përpara disa vitesh as nuk mund të arsimoheshim. Ka qenë shumë e vështirë, ne dolën 14 vjeç nga një institucion, ishin në një rrugë që nuk e dinim. Tani gjërat janë të sistemuara. Situata është duke u përmirësua. Strehimi ka akoma për t’u rregullua. Te kreditë e buta, te bankat. Do shumë kritere dhe prapë mbetemi mbrapa.”, u shpreh ai.

Jeta për shokët e Sabailit nuk ka qenë fushë me lule, ai tha se shumë prej tyre kanë përfunduar në burg. Shumë prej tyre nuk kishin para as për të ngrenë dhe për pasojë i janë futur rrugës së jashtëligjshme.

“Për strehimin është menduar nëpër konvikte. Aty strehohen jetimë që s’kanë as shkollë, as punë, jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike. Një pjesë e tyre kanë rënë në burgje, se me 30 mijë lekë nuk ia del për asgjë. Shumë biznese abuzojnë me jetimët.”, tha ai.

“Mos u dorëzoni”, me të njëjtën shprehje e mbylli intervistën aktivisti në studion e Report Tv. 

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?