Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Seriali tragjikomik në Selinë blu, kush i ndal socialistët?

12 Maj 2022, 21:07| Përditesimi: 12 Maj 2022, 21:09

  • Share

Një serial shqiptaro-amerikan me protagonizëm aktorësh teatral të çeduar, prodhim autentik i selisë blu, me fabulë tragjiko-komike transmetohet çdo ditë në ekranet e zymta të demokratëve, prej korrikut të 2021-t. Saga e mikluar me represivitet, mëton aprovimin e verbër të plejadës Berishiane, që nëse përligjet si trailer-i i opozitarizmit të së nesërmes, kapitullimi afirmohet në konjukturat e së pakontestueshmes. Ky zhaner anti-amerikan, me producent delirantin në moshë, qasje e huazuar nga kontenti i kartelave të psikiatrisë, është kremtimi i lajmit historik për socialistët! Asnjë mëdyshje, dolli për mandatin e 4-t!

Karoseli i vagonave të disfatave me pasojë çekuilibrimin e ndërgjegjes politike, e udhëzon në korsin e gabuar lidershipin e së djathtës, tashmë të sfumuar mjaftueshëm për t’u titulluar rrëfyes i fitores. Miratimi i gjykatës për aksionin “Berisha” e zhvendosi PD-në drejt kahut retrospektivo-regresivë të vitit të vrazhdë, 2013. Me gjasë, jo aq mirë! Sali Berisha u përlot përgjatë fjalimit “mea culpa” fill pas shpalljes së rezultatit zgjedhor ku deklaroi dorëheqjen e parevokueshme, gabimisht i bindur se kukulla politike robotike e tij nuk do ta tradhtonte kurrë.   Kjo rrufe e pakatapultueshme për të erdhi pas ciklonit amerikan “non-grata”, si varrim i beftë politik. Reminishenca e së shkuarës, skanon qartësisht internimin e antagonistëve të linjës “Berisha”, njësoj siç ndodhi pritshmërisht me Bashën. Mbajtja e “Kuvendit Kombëtar”, qoftë edhe me aprovimin e masës, sa kohë refuzohet nga mburoja ndërkombëtare, e shndërron PD-në në subjekt asfiksik të fodullëkut politik. E shkuara s’mund të jetë e ardhme! Këshilli i djeshëm prodhoi Edi Palokën në krye, por sa legjitim është një proces i abstenuar nga shumica e deputetëve?!

Në këtë vorbull ping-pongu të propagandës së 2 kampeve brenda PD-së, projektimi i operimit të qeverisë është i eklipsuar. Me interes besnik ndër vite, kam ndjekur mbrëmjet e së enjtes politike të javëve të fundit, ku konstatova me keqardhje kolonizimin mediatik të Berishës. Në valën e pasimit të kanaleve diskutante, ose flitej për dekursin e Berishës ose ai ishte i ftuar. Ky centralizim protagonizmi i skajshëm minon analizën e gjerë publike për hapat qeveritare të ndërmarra. Ekipet ministrore mund t’i qëndrojnë stoike shërbimit të mandatuar ndaj qytetarëve, por ekziston probabiliteti i devijancave diabolike fitimprurëse, në dëm të interesit publik. Trumbetimi i komisionit të inceneratorëve e avullimi pa akuzë në konkluzion, dëshmojnë jo pak. Media të rrëmbyera nga binomi Kokalari-Topalli, paralele e thashethemeve të lagjes prej filizit të xhelozisë së dominancës, gjenerojnë më tepër broçkulla demode sesa cilësi informative. Edi Rama është lider me karizëm të lindur, strateg i vjetër ballkanas, artist në magnetizimin e zemrave suportuese, kryefamiljar i denjë socialist për garancinë absolute në riciklimin e pushtetit, me gjithçka bën a nuk bën!

Qeverinë e PS-së, si arkitekte të rrënimit apo lulëzimit social do ta konsolidojë “sita” e kohës, por deri atëherë ngërçi i pazgjidhshëm i kampit blu, i gëzon sfidantët politikë me bekimin e 4-vjeçarit të radhës. Urime socialistë, trashëgimia vijon frikshmërisht e patrembur!

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?