Sarandë- Fluksi i sezonit turistik, me pushuesit vendas dhe të huaj në bregdet, shkakton herë pas here edhe incidente me motive nga më të ndryshmet.
Tre turistë francezë dhe një shqiptar, që ishte palë me njërin prej të huajve, janë konfliktuar dhe përleshur mes tyre në ambientet e një hoteli në qytetin e Sarandës, duke shkaktuar kaos dhe dëme.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme (24 Gusht) në lagjen nr. 2, teksa Policia njoftoi sot edhe marrjen e masave me ndalimin e dy prej të dyshuarve; shqiptarit dhe francezit.
Të ndaluarit janë identifikuar si Laurent Ishmi, 19 vjeç dhe Dylan Tahoundjona, po 19 vjeç.
“Këta dy persona, për motive të dobëta, në ambientet e një hoteli në lagjen nr. 2, Sarandë, janë konfliktuar fizikisht me dy shtetas të tjerë francezë, duke prishur qetësinë publike dhe duke shkaktuar dëme materiale në ambientet e hotelit”, njoftoi policia vendore.
Mbeten të panjohura shkaqet e sherrit mes tre francezëve dhe shqiptarit, teksa hetimet po ndiqen edhe nga prokuroria vendore, me akuzat dëmtime me dashje, shkatërrim prone dhe prishje e qetësisë publike, në bashkëpunim.