Rritja e çmimeve rrezikon shlyerjen e kredive nga qytetarët! Mikrofinanca: Interesat janë të larta për shkak të rreziqeve që marrim përsipër

13 Maj 2022, 15:44| Përditesimi: 13 Maj 2022, 16:19

  • Share

Çmimet e larta pritet të gërryejnë xhepat e qytetarëve dhe bizneseve, kryesisht atyre të vogla e të mesme. Një rritje e mëtejshme e inflacionit sipas Shoqatës së Mikrofinancës mund të vështirësojë edhe shlyerjen e kredisë, nga klientët.

“Ne parashikojmë gjithashtu që sa do vijë e do të shtrëngohet situata sidomos në shlyerjen e kredive, por nuk parashikojmë që të shtrëngojmë masat për kredidhënien”, tha në takim Herjola Spahiu anëtare e Shoqatës së Mikrofinancës.

Rreziqet kryesore që identifikohen në një studim të kryer prej tyre kanë të bëjnë specifikisht me pasigurinë e shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

-Inflacioni në rritje (6.2% në prill)

-Rritja e normave te interesit

-Rritja e nivelit te varfërisë ne vend dhe ulja e konsumit

-Situata financiare e mikro-ndërmarrjeve

-Konflikti i armatosur në Ukrainë

Sa i takon akuzave për interesa tepër të larta, Mikrofinanca thotë se ato vijnë si pasojë e kostove tepër të larta që kanë dhe rrezikut që marrin përsipër, duke financuar shtresat me të ardhura të ulta apo bujqësinë.

“Përveç se japim ato kreditë e vogla të shtrenjta ne ndihmojmë edhe shumë njerëz të mos bien në varfëri ose të dalin nga varfëria. Mikrofinanca është financuesi kryesor i bujqësisë, rreth 85% e financimit total ofrohet nga mikro-financa. Kostot e rrezikut dhe e provigjonit për mikrofinancën është shumë më e lartë se sa për bankat”, tha sekretarja e përgjithshme e Mikrofinancës Brunilda Isaj.

Por cilat janë komponentët që merren në konsideratë për normën bazë të interesit?

Sipas të dhënave të këtij sektori interesi maksimal për kredi konsumatore në vlera të vogla për banorë të zonave rurale ka arritur në 148%. Sa i takon kredive të biznesit për investime, norma maksimale ka arritur në 33.71%.

Si pasojë e kostove të larta dhe faktit që ata janë financuesit kryesor të bujqësisë me 85% të totalit të kredisë së dhënë për këtë sektor, Mikrofinanca kërkon edhe përfshirjen e tyre në skemat e garancive sovrane të qeverisë, në mënyrë që të ndahet rreziku që ata kanë, duke dhënë kredi shpejt dhe pa kolateral.

“Prej dy vitesh që mundohemi të bëhemi pjesë e garancisë për të ofruar kosto më të ulta për klientët, për të qenë deri diku të mbuluar me rreziqet që marrim përsipër dhe ne mund ti reflektojmë në marzhet që do të ofrojmë”, tha Isaj.

Sektori i bujqësisë është më pak i kredituari nga bankat, dhe rruga e vetme e tyre për financim është tek institucionet jo-banka, ndërkohë që interesat për sektorin arrijnë deri në 20%.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?