Perfaqesuesja jone ne Eurovision2022

Periferi

Ronela, viktimë e një vulgariteti mbizotërues

11 Maj 2022, 11:56| Përditesimi: 11 Maj 2022, 12:11

  • Share

Nuk do të shkruaj kundër Ronela Hajatit, këngëtares sonë që na përfaqësoi në Eurovision 2022. Jam e bindur se ajo bëri më të mirën që mund të bënte në kulmin e eksperiencës së saj personale dhe në pjekurinë e 32 viteve si vajzë. Do të shkruaja për një pjesë të shoqërisë sonë, për disa mësues, për disa drejtues të institucioneve, për disa familje, media, të gjithë bashkë që formojmë dhe inkurajojmë të rinj e të reja me një perceptim të ndryshëm të realitetit. Pastaj vjen një ditë që dikush i përjashton, ua mbyll derën dhe ata, të habitur, humbjen nuk e pranojnë. Përgjigjen e Ronelës që ajo “gjithësesi e fitoi Eurovision”, e kam dëgjuar me qindra e qindra herë të përsëritur dhe të ripërsëritur. Qoftë edhe në kritikën më të thjeshtë dhe dëshirën për ta bërë një punë sa më mirë dhe sa më të drejtë. Në raste të rralla hapet një debat konstruktiv për të kuptuar një gabim apo një gjë që nuk u bë mirë, në shumicën e rasteve, përplasen dyer e prishen marrëdhënie dhe ego del përherë në mbizotërim: E kush je ti që më kritikon? Inkurajimi se “ti je më i miri”, dashuria e domosdoshme për vetveten, nuk duhet të kuptohen si zhdukje e aftësisë për të dalluar të bukurën apo të aftën. Humbja në një garë nuk duhet të përkthehet në skena që dikush merr karriget për t’ua thyer në kokë rivalëve, apo në prindër që janë gati të kapen për flokësh nëse fëmijët e tyre eliminohen në një konkurim. Në të vërtetë edhe kritika duhet të mos bjerë në vulgaritet, pasi agresiviteti, ofendimet, sharjet, bulizimi janë edhe më tepër sa ajo që mund të ketë bërë këngëtarja jonë në skenë. Ajo që po ndodh sot me të, është shumë më e rëndë se një veshje e papërshtatshme, apo tonaliteti në interpretim. Por edhe ky reagim shkon në përpjestim të drejtë me atë që ne kemi krijuar sot mbizotëruese në shoqëri: vulgaritet dhe dhunë pa kufi, dashuri dhe urrejtje pa sensin e masës.

A ishte performanca e Ronela Hajatit vulgare në Eurovision? Le të shohim se si e përcakton fjalori ynë vulgaritetin dhe kushdo le të nxjerrë një përfundim:

vulgár,-e mbiemër; i ligjërimit libror; 1. me kuptim keqësues; që sillet e flet në mënyrë të pahijshme e të ulët; që është karakteristik për një njeri pa kulturë; i ligjërimit libror; i rëndë, që nuk duhet thënë; i ulët: njeri vulgar; sjellje vulgare; fjalë (shprehje) vulgare. 2. me kuptim keqësues; i thjeshtëzuar shumë; që nuk ka karakter të vërtetë shkencor; që e shtrembëron thelbin e diçkaje: teori vulgare; shpjegim vulgar. 3. term në gjuhësi; që flitet nga populli i thjeshtë; popullor: latinishtja vulgare.

Shohim si e shpjegon vulgaritetin edhe fjalori Treccani i vendit fqinj Italisë, e cila ishte këtë herë vendi organizator i Eurovision

Në kuptimin e parë Treccani e shpjegon kështu: Vulgaritet – 1. Mungesë kulture, edukimi, finese dhe qytetarie, mungesë lartësimi dhe finsikërie shpirtërore. 2. Mënyrë sjellje dhe sidomos shprehjeje, veprim, fjali, fjalë vulgare.

Nëse performanca e këngëtares sonë hyn në përkufizimet e mësipërme, atëherë, kush janë mësuesit e saj? Kush janë artistët, vlerësuesit që nuk kanë bërë punën e tyre për të inkurajuar jo vetëm Ronelën, por cdo artist të ri, apo të ri shqiptar që del në detin e madh të jetës dhe të kompeticionit që të jetë i vetëdijshëm për atë që është dhe si është.

Nëse është e vërtetë që këngëtarja jonë, ndaj censurës që organizatorët e Eurovision i kërkuan të bëjë ndaj gjesteve të prekjes trupore, iu përgjigj: "Nuk njihni Majkëll Xhekson dhe Madonën?". Atëherë edhe këtu le të reflektojmë se si bëhet një Majkëll Xhekson dhe si bëhet një Madonë.  

Madona këngëtarja që ka punuar me një përkushtim maniakal dhe ka thyer shumë tabu me artin e saj sidomos duke provokuar dhe ngacmuar ngurtësitë fetare duke i parë si pengesë të evolucionit dhe lirisë personale. Ajo është një artiste që niste ditën e punës në 6 të mëngjesit dhe ikte e fundit nga provat me balerinët e trupës së saj. Luca Tommasini, një nga balerinët kryesorë të trupës së baletit të Madonës do të tregonte: “Sa herë dikush nga ne vinte me vonesë dy herët e para merrte gjobë. Herën e tretë largohej. Sa karriera balerinësh kam parë të fundosen vetëm për 10 minuta pakorrektësi në punë”.

Pra, vërtitemi nga vërtitemi, suksesi është sigurisht talenti, por kryesisht është një rezultat i punës dhe vetëm punës edhe në art. Ku ka punë, ka perfeksionim dhe ku ka perfeksionim nuk ka vend për vulgaritet. Pikërisht arritja e kollajtë e gjërave, dhurimi i sukseseve, platformave të rëndësishme, është një rrugë që na ka pëlqyer të gjithëve. Dhe pastaj ankohemi duke harruar se sa pak japim dhe sa shumë kërkojmë.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?