Finalja e Tiranës vishet me ngjyrat e italianëve, Roma bën historinë në 'Air Albania', rrëmben trofeun e parë të Conference League ndaj holandezëve të Feyenoord! Ka festë në kryeqytet

25 Maj 2022, 13:58| Përditesimi: 26 Maj 2022, 00:36

  • Share

Tirana 'hajmalia' e italianëve. Roma ka mundur 1-0 Feyenoordin në 'Air Albania'  duke marrë trofeun e parë evropian në historinë e saj pas 61 vitesh, dhe të parin për ekipet e futbollit italian pas 12 vitesh! Italianët shpërthejnë në festë, duke 'iu falur' Nikolo Zaniolo i cili shënoi golin e vetëm të ndeshjes.

Roma, 31 vjet pas finales së saj të fundit europiane, triumfon në Tiranë, duke fituar Konferencën e Ligës, në edicionin e parë të saj, duke mundur në finale Feyenoord 1-0. Goli i fitores i verdhekuqve u nënshkrua nga Zaniolo në minutën e 32-të të pjesës së parë, rezultat i mbajtur nga skuadra e Mourinhos deri në minutën e 95-të.

Një ndeshje nervash, taktike dhe zemre, që i jep djemve të Jose Mouriho një trofe europian që i mungonte në të gjithë historinë e saj. Për Mourinhon është triumfi i pestë në kupa evropiane, pas dy Champions League dhe dy Ligave të Evropës, ai është trajneri i parë dhe i vetëm që ka fituar në tre kompteticione të ndryshme të UEFA-s. Italia rikthehet për të ngritur një trofe europian pas 12 vitesh nga Interi i tripletës të vetë Mourinhos.

Verdhekuqve iu mungonte një finale europiane prej 31 vitesh të cilën për herë të fundit e humbën kundër Inter në UEFA Cup, ndërsa këtë radhë do të kërkojnë një fund të lumtur, që duket se janë afër. Nga ana tjetër, holandezët mbërritën në finalen e Tiranës me një rekord prej tre fitoresh në finalet që kanë luajtur dhe do të mundohen të mbesin besnikë të kësaj statistike.

Për finalen e Tiranës, José Mourinho, i cili pas 95 minutash u përfshi nga lotët,  vendosi Pellegrinin dhe Zaniolo pas Abrahamit, i cili ishte pyke në sulm. Me Mkhitaryan në mesfushë me Cristante. Për pjesën tjetër, trajnimi tipik. Trajneri i Feyenoord Arne Slot mbështetet në përvojën e Senesi në mbrojtje, në cilësinë e Kockut në mesfushë dhe në Dessers si sulmues kryesor. Feyenoord e nis me një presion mbytës por Roma arrin të përgjigjet pa rrezikuar në fillim.  Në minutën e 15' Pellegrini nis kundërsulmin, por humbet epërsinë fillestare dhe humbet topin në thellësi drejt Zaniolos. Vetëm pas një çerek ore, megjithatë, verdhekuqtë humbën Mkhitaryan ka një rikthim pas lëndimit në kofshën e djathtë një muaj më parë. Armeni largohet nga fusha për t'i hapur rrugë Oliveiras. Skuadra e Mou nuk trembet dhe në minutën e 24-të vjen një top ndriçues me anësorin e Pellegrinit, por Zaniolo për arsye disa centimetrash nuk e fikson topin në zemër të zonës së rreptësisë. Në të 32' Mancini peshkon me një gjuajtje të gjatë Zaniolo, i cili kontrollon mirë nga gjoksi në zonë dhe parakalon Bijloë me majën e këmbës së majtë dhe 1-0 të Romës. Holandezët tentojnë të reagojnë por asgjë në pjesën e parë.

Feyenoord menjëherë nën presion në fillim të pjesës së dytë dhe Roma në vështirësi. Roma shfaqet e lodhur dhe Mourinho ndryshon duke futur Veretout për Zaniolo dhe Spinazzola për Zalewski, me Pellegrinin që i bashkohet Abrahamit. Por nuk pati asnjë minutë për shqiptarin Marash Kumbulla.

Transmetimi i finales nga Tirana u bë nga 155 vende të botës ndërkohë që 300 gazetarë komentuan këtë finale, duke i bërë kështu një promovim të jashtëzakonshëm vendit tonë.

Mbi 800 të ftuar VIP të UEFA-s ishin sonte në “Air Albania”. Në këtë listë janë drejtues të 55 vendeve të futbollit, janë personalitete të ndryshme. Drejtuesit kryesorë të shtetit shqiptare, kryeministri Rama dhe Presidenti Ilir Meta ndoqën finalen nga shkallët e stadiumit.

Formacionet zyrtare:

Roma: Rui Patricio, Karsdrop, Mancini, Ibanez, Smalling, Zaleëski, Zaniolo, Pellegrini, Cristante, Mkhitaryan, Abraham

Feyenoord: Bijlow, Malacia, Senesi, Trauner, Geertruida, Til, Aursnes, Kokcu, Sinisterra, Dessers, Nelson

Trofeu i UEFA Europa Conference League është 57.5 cm i gjatë dhe peshon 11 kg.  Skuadra fituese do të marrë gjithashtu me 40 medalje ari ndërsa nënkampionët do ntë mjaftohen me 40 medalje argjendi. Fituesit gjithashtu fitojnë një vend në fazën e grupeve të UEFA Europa League 2022/23, nëse nuk janë kualifikuar për Ligën e Kampionëve të UEFA-s përmes kompeticionit të tyre vendas.

Ora 00:31
Trishtim për tifozët holandezë, ja si e përjetuan humbjen në rrugët e Tiranës

 

Tifozët e Feyenoord nuk e kanë pritur mirë humbjen e skuadrës së zemrës në stadiumin ‘Air Albania’. Në foto tregohet sesi ata përjetuan humbjen në rrugët e Tiranës, mes trishtimit.

Ora 00:22
Në Tiranë të qetë por në Roterdam pati tensione, holandezët nuk përtypin humbjen

 

Humbja e Feyenoordit në finalen e Tiranës ka shkaktuar zemërim të tifozëve holandezë jo vetëm në stadiumin “Air Albania”, por dhe në qytetin e Roterdamit.

Si pasojë e trazirave që shkaktuan në qytet, dhjetëra prej tyre janë arrestuar . Tifozët sipas mediave të huaja, sulmuan godinat dhe dyqanet në rrugët e  Roterdamit dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të neutralizuar situatën.

Trazirat u shkaktuan në disa qytete të Holandës dhe zgjatën rreth 30 minuta.  Tifozët u larguan nga sheshet dhe stadiumi De Kuip, ku finalja e humbur e Ligës së Konferencës u shfaq në disa ekrane të mëdha.

Ora 00:21
Skuadra e Roterdam: Kishim një ëndërr, por përfundoi

Menjëherë pas humbjes me Romën, skuadra e Rotterdam në një postim në Facebook shpreh trishtimin për rezultatin.

“Kishim një ëndërr por përfundoi këtu”, shkruan skuadra në rrjetet sociale.

Ndërsa lojtarët dhe mbështetësit e tyre shprehen se kësaj here, loja deshi më shumë Murinjon sesa ata.

 

Ora 00:17
Mourinho nuk ndal lotët gjatë intervistës: Nuk është historia e Romës, por edhe e imja

 

Jose Murinjo nuk ka ndalur lotët në fushën e lojës pasi skuadra e Romës fitoi Ligën e Konferencës në Tiranë, por as në intervistat pas ndeshjes. Ai është shfaqur para kamerave të “Sky Sport” duke qarë, për një moment që e ka cilësuar vendimtar për karrierën e tij.

“Janë shumë gjëra që po kalojnë në mendjen time… e prisja këtë përjetim të njerëzve, janë unikë, kuptohej që kur erdha 11 muaj më parë. Siç ua thashë djemve në dhomat e zhveshjeve në Torino, aty bëmë atë që duhej bërë, pra të kualifikoheshim për Ligën e Europës dhe e bëmë punë tonë.

Sot nuk ishte punë, ishte histori, kemi shkruar historinë. Që nga fillimi e kishim kuptuar që Liga e Konferencës mund të ishte një objektiv që mund të arrihej. Edhe pse pastaj hynë në garë skuadra të forta. Ishte një kompeticion të cilin e synonim, pa humbur objektivin kryesor, që ishte ai i kualifikimit në Ligën e Europës” u shpreh tekniku italian.

'Unë do të qëndroj, edhe nëse vjen ndonjë zë… Unë dua të qëndroj te Roma, mbetet vetëm të kuptohet ajo që pronarët tanë, që janë persona të mrekullueshëm, duan të bëjnë në sezonin e ardhshëm. Pasi mund të vazhdojmë një projekt shumë të bukur, mbetet të kuptohet drejtimi që duhet marrë. Është historia e Romës, por edhe e imja. Kam mësuar vetë, pak më parë se vetëm unë, Trapatoni dhe Ferguson kemi fituar trofe europiane në 3 dekada të ndryshme.

Çfarë ka ndryshe nga fitoret e tjera? Është një gjë të fitosh me skuadra të ndërtuara për këtë gjë, një gjë tjetër ta bësh me Interin pas shumë vitesh dhe me Romën. Është shumë, shumë speciale, një gjë që të bën të përjetshëm. Në këtë moment mendoj për veten, por më shumë për këta romanistë që po bëjnë festë. Sigurisht që ndjehem romanist. Unë jam me të gjithë ata të cilët bashkë me mua bëjnë një familje, që krijojnë një objektiv, që janë bashkë në momente të vështira. Sot, me respektin më të madh për klubet e mia të vjetër, unë ndjehem romanist 100%”, tha Murinjo.

 

Ora 00:15
Mourinho: Finale e bukur në një stadium e vend të bukur, jemi të gjithë të lumtur

1653516428_JOSE13.jpeg

Jose Mourinho foli për Supersport pas fitimit të Conference League në finalen ndaj Feyenoordit (1-0) që u zhvillua në stadiumin “Air Albania”. “Special One” u shfaq i lumtur për këtë sukses, teksa deklaroi:

“Jam shumë i lumtur, djemtë kanë punuar shumë gjatë gjithë sezonit. Ishte një fitore shumë e madhe. Kemi luajtur 55 ndeshje, vetëm Rui Patricio ka luajtur 54 ndeshje si titullar".

“Ishte një finale e bukur në një stadium të bukur. U ndjeva shumë mirë, pasi arritëm të fitonim finalen. Fituam në një vend që po priste prej kohësh këtë mundësi, kështu që jemi të gjithë shumë të lumtur”, deklaroi trajneri portugez i Romës.

Ora 00:11
Kumbulla: I emocionuar pas ndeshjes, tani marrim mentalitet fituesi, me Romën një ndjenjë tjetër nga ajo me kombëtaren

Roma triumfoi në finalen e Conference League ndaj Feyenoord me rezultatin 1-0. Stadium Air Albania rezultoi fatsjellës për verdhekuqtë teksa pjesë e italianëve është edhe Marash Kumbulla. Mbrojtësi i kombëtares, pas festës foli për Supersport ku theksoi se emocionet për të ishin të mëdha ndërsa shtoi se kërkon të marrë sërish trofe me Romën në sezonin e ardhshëm.

 “Ndjehem shumë i emocionuar për finalen në Tiranë me Romën, në stadium ishim të gjithë së bashku. Nuk kam fjalë ta përshkruaj”, tha ai.

“Kisha, nuk mund të them frikë, por e ndjeja shumë ndeshjen. Kam luajtur me kombëtaren në këtë stadium, por edhe me Romën ishte shumë bukur dhe nuk kam fjalë për këtë ndeshje”, u shpreh Kumbulla.

Ora 00:02
Shënoi golin e fitores, flet Zaniolo: Ëndërr e bërë realitet

Nicolo Zaniolo, talenti “azzurr” i cili i solli fitoren Romës, nuk e fsheh gëzimin për këtë sukses të madh, duke e konsideruar një ëndërr e bërë realitet.

“Të shijojmë këtë moment, sot realizova një ëndërr që kur isha fëmijë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj, falënderojë shumë tifozët, është e gjitha për ta. Jemi një skuadër e fortë, mbase as ne vete nuk e dimë se sa të fortë jemi”, u shpreh ndër të tjera Zaniolo për “Sky Sport”.

Ora 23:54
Roma-Feyenoord, fishkëllima e fundit në fushën e Tiranës, festa e Romës! Mourinho shpërthen në lot

 

Sekondat e fundit Roma-Feyenoord në Tiranë! Shpërthen festa e lojtarëve dhe trajnerit të tyre, José Mourinho, të cilin e përshinë lotët. Roma fiton 1-0 dhe fiton edicionin e parë të Ligës së Konferencës.

Ora 23:44
Italianët nuk përmbahen, pas fitores së Romës, 50 mijë tifozë ‘pushtojnë’ stadiumin ‘Olimpico’ në Itali

Fitorja e Romës në ‘Air Albania’ është pritur me ovacione e entuziazëm nga tifozët italianë në Olimpico. Pasi Roma mori kupën, tifozët kanë zbritur në stadium duke festuar. Të pranishëm në ‘Olimico’ ishin rreth 50 mijë tifozë.

Ora 23:27
Pas fitores, Mourinho mbërthehet nga emocionet, shfaqet duke qarë (VIDEO)

 

Trajneri i Romës, Jose Mourinho nuk i ka mbajtur dot emocionet pas fitores ndaj Feyenoordit në Air Albania. Mourinho është shfaqur i përlotur nga gëzimi.

Ora 23:23
Sheshi 'Skënderbej' boshatisët nga tifozët

Sheshi 'Skënderbej' është boshatisur nga tifozët të cilët po ndiqnin Conference League në Tiranë. Ajo që shihet se tifozët kanë lënë pas mbeturina të shumta.

Ora 23:21
Kapiteni i Romës 'ngre në qiell' trofeun, Lorik Cana dorëzon kupën (VIDEO)

 

Italianët kanë ngritur kupën në ‘Air Albania’. Ka qenë ish-kapiteni legjendar i kombëtares shqiptare Lorik Cana që u ka dorëzuar kupën.

Ora 23:20
Roma fitoi Conference League, futbollistët ngrenë peshë Murinjon

 

Futbollistët e Romës kanë ngritur peshë trajnerin Hose Murinjos, pas fitores në Air Albania.

Ora 23:11
Lojtarët e Romës në lot gëzimi, shkruhet me gërma të arta emri i klubit

Roma fitoi trofeun e Conference League, në Air Albania. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët i janë drejtuar tifozërisë, e disa prej tyre lotonin nga gëzimi.

Më pas, u shkruajt edhe emri i Romës me shkronja të arta në trofeun e Conference League. 

Ora 23:10
Një kuqezi në 'Air Albania' ngre lart flamurin kombëtar, Kumbulla s'u fut në lojë por bën historinë! Bëhet shqiptari i parë që ngre lart një trofe evropian

 

Marash Kumbulla mbrojtësi shqiptar i Romës edhe pse nuk mundi të luajë, në fund të ndeshjes ka bërë krenar gjithë shqiptarët pasi është ngjitur në podium me flamurin kuq e zi.

Kjo ka qënë një ndeshje që ka ngritur peshë tifozët jo vetëm në Tiranë në Stadiumin 'Air Albania' por dhe në stadiumin 'Olimpico' në Romë ku 50 mijë tifozë ishin mbledhur për të pritur fitoren e skuadrës së tyre.  Kumbulla ka gjetur një mënyrë shumë emocionuese për të festuar me flamurin e tij të zemres, në tokën e tij fitoren e ekipit në të cilin debuton. Ashtu saç edhe ai vetë kishte thënë ditë më parë se e kishte ëndërr të ngrinte trofeun e shumëpritur të Romës e ku ka më mirë se kjo ëndërr të bëhet realitet në ‘Air Albania'.

Marash Kumbulla ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar, pas triumfit në Ligën e Konferencës me Romën, në finalen e luajtur përballë Feyenoordit të luajtur në Tiranë. Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, bëhet i pari futbollist kuqezi që fiton një trofe evropian. Këtë triumf, Kumbulla zgjodhi që ta festojë me flamurin e Shqipërisë, duke mos e hequr atë për asnjë moment.

1653513162_Capture.JPG

Ora 23:05
Po ndiqnin ndeshjen tek 'Amfiteatri', tifozët e Romës nuk përmbahen nga gëzimi

Tifozët e Romës të cilët po ndiqnin ndeshjen tek Amfiteatri, kanë shpërthyer në gëzim pas fitores së ekipit të tyre të zemrës.

'Kemi fituar, kemi fituar! Roma kampione, Italia kampione! Jam tifoz i Romës nga 20 vite. E kemi ndjekur gjithmonë në stadium.'- u shprehën tifozët për Report Tv.

'Aq tifoz jam, sa djali im e ka emrin Gabriel, si Batistuta'.-tha ai.

Ora 22:57
Mbyllet ndeshja, italianët triumfojnë në ‘Air Albania’

 

Finalja e Conference League është mbyllur. Italianët kanë triumfuar ndaj Feyenoord.

Ora 22:45
Ndeshja bën bashkë në ‘Air Albania’ kryeministrin Abazovic, Taulant Ballen dhe futbollistin e njohur kroat

Mes shumë politikanëve që po shijojnë nga afër finalen e Konferencë Ligës janë dhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Mësohet se në stadium ata shoqërohen edhe nga futbollisti i madh kroat, Davor Suker.

Kujtojmë se sot në “Air Albania” është dhe presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama. Ndërkohë që të ftuar vip janë rreth 800 persona.

Kur kanë mbetur edha pak minuta ndeshja sa vjen e bëhet më emocionuese ndërkohë që tifozët e dy skuadrave po dhurojnë spektakël me ovacione për të mbështetur skuadrën e tyre.

Ora 22:17
Kumbulla në nxemje, mbrojtësi shqiptar i ekipit të Romës mund të futet në pjesën e dytë

Mbrojtësi shqiptar i ekipit të Romës Marash Kumbulla, ka nisur nxemjen në fushë dhe kjo tregon mundësi të futjes në lojë në pjesën e dytë të ndeshjes.

Futbollisti shqiptar nuk ishte pjesë e formacionit fillestar të ndeshjes, por me sa duket do të ketë mundësi të marrë pjesë në lojë.

 

Ora 22:12
'Dridhet' skuadra e Mourinjos, shtylla dhe Rui Patrisio i mohojnë golin holandezëve

Drithërima në portën e Rui Patrisios, shtylla dhe portieri i skuadrës italiane i mohojnë golin e barazimit holandezëve. Tentativa e mbrojtësit Trauner u ndal në shtyllën e majtë, teksa më pas ishte portieri portugez që tregoi reflekset. Fejnordi kërkon penallti për prekje të topit me dorë nga Kristante, por pas konsultimit me VAR-in, gjyqtari vijon lojën.

Ora 22:09
Conference League, nis pjesa e dytë, nuk ka ndryshime në formacion

1653509479_1653507257Screenshot1.jpg
Ka nisur pjesa e dytë e finales së Conference League. Nuk ka ndryshime në formacione.

Ora 21:55
Finalja Conference League/ Mbyllet pjesa e parë, me avantazhin e ekipit italian

1653508528_A5.jpg

Mbyllet pjesa e parë e finales së Conference League mes Romës dhe Feyenoord. 

Ora 21:52
VIDEO/ Roma shënon gol në 'Air Albania', 50 mijë tifozë romanistë shpërthejnë ovacionet në Stadiumin 'Olimpico' në Itali

Finalja e madhe Roma-Feynoord nuk po ndiqet me emocione vetëm në Air Albania pasi një tjetër stadium është nën ‘ankth’ për rezultatin final.

Momenti i golit është pritur me ovacione të forta dhe festë në Stadiumin Olimpico të Romës ku tifozët roman janë mbledhur për të ndjekur ndeshjen.

Ora 21:40
Me duar në kokë, tifozët e Feyenoordit presin me dëshpërim golin e Romës

 

Report Tv sjell pamjet live nga Tirana ku tifozët e Feyenordit pas golit që shënoi Roma. Tifozët holandezë duken të dëshpëruar, teksa vendosin duart pas koke.

Ora 21:33
Finalja Conference Leauge, Roma në avantazh, Zaniolo shënon gol (VIDEO)

 

Finalja Conference Leauge, Roma në avantazh, Nicolo Zaniolo shënon gol në minutën 32'.

Ora 21:29
Vangjush Dako i pranishëm në stadium, Forza Roma

Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako është i pranishëm në Stadiumin ‘Air Albania’ ku po luhet finalja e madhe Roma- Feynoord.

Dako ka postuar një foto nga stadiumi, ndërsa ka një përshëndetje për mikun e tij Antonelo Venditin, tifoz i përjetshëm i Romës magjike.

“Përshëndes mikun tim Antonelo Venditin, tifozin e përjetshëm të Romës magjike!
Forza Roma!”, shkruan Dako.

Ora 21:24
Roma e nis “ters” finalen, Mourinho humbet fantazistin

Zëvendësim i detyruar te Roma, largohet nga fusha i dëmtuar, Mkitarjan, vendin e tij e merr Serxhio Olivera.

Ora 21:18
Legjenda Françesko Toti në “Air Albania”, tifozët nxitojnë për foto, truprojat qëndrojnë vigjilentë

 

I pranishëm sot në “Air Albania”, është dhe legjenda e futbollit italian dhe e skuadrës së Romës, Franccesko Toti.

Tifogrupet respektive po dhurojnë spektakël me koret e tyre dhe banderolat që mbajnë në duar, ndërsa tribunës VIP tashmë po i bashkohen emrat legjendarë të futbollit evropian.

Një ndër ta, i shumëpritur nga tifozët e zjarrtë të Romës në Shqipëri është edhe Françesko Toti. Ish-kapiteni verdhëkuq është parë duke u ulur në vendin e tij, ndërsa disa të rinj përpiqen t’i “rrëmbejnë” një fotografi, ndërkohë që trupërojat kanë nxituar ta rrethojnë për të evidentuar çdo rrezik të mundshëm.

Ora 21:15
VIDEO/ Sherr në stadium, tifozët e Romës ngatërrojnë sektor, përfundojnë te holandezët

Një përplasje mes tifozëve është regjistruar në stadiumin ‘Air Albania’. Një nga tifozët e Romës ka “ngatërruar” vendin dhe është futur në zonën e tifozëve holandezë.

Kjo ka shkaktuar edhe tension dhe shtyrje në stadium. Është dashur ndërhyrja e forcave të sigurisë për të qetësuar situatën.

 

Ora 21:08
Conference League bën 'bashkë' Ramën dhe Metën, shijojnë finalen evropiane në stadiumin 'Air Albania'

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta po shijojnë finalen e Conference League në 'Air Albania'. Kryeministri dhe presidenti janë parë në stolat e stadiumit të ulur pranë njëri-tjetrit.

Ora 21:00
Conference Leauge, nis ndeshja Roma-Feyenoord

 

Ka nisur ndeshja mes Romës dhe Feyenoord në stadiumin 'Air Albania' për finalen e Conference Leauge.

Ora 20:59
Spektakël, finalja e Ligës së Konferencës starton me një koreografi mahnitëse, Cana vendos trofeun në qendër të 'Air Albania'

 

Ndeshja finale e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Fejnordit është hapur me një ceremoni spektakolare. Performanca e krijuar në qendër të stadiumit ka parë të kombinuar muzikën me një koreografi kërcimi në të cilin janë ekspozuar ngjyrat e kompeticionit. Koreografia është përmbyllur me legjendën e Kombëtares, Lorik Cana që ka sjellë trofeun dhe e ka vendosur në qendër të “Arenës Kombëtare”.

1653505604_bandicam20220525205445948.jpg

Ora 20:55
Marash Kumbulla nga ‘Air Albania Stadium’: Ëndrra ime të ngre trofeun në Tiranë

Shqiptari Marash Kumbulla ka dhënë një intervistë për “Sky Sport”, nga fusha e stadiumit “Arena Kombëtare” në Tiranë.

“Jam shumë krenar, është ëndrra ime që të ngre një trofe këtu në Tiranë. Ne do ta menaxhojmë mirë. Ne mund t’i lëndojmë ata. Murinjo na ka motivuar këto ditë, mezi po presim që të hymë në fushë. Është vërtet e çuditshme dhe e bukur në të njëjtën kohë”, ishin fjalët e mbrojtësit kuqezi.

Kumbulla do ta nisë nga stoli këtë takim, me Murinjon që ka preferuar mos ta startojë si titullar mbrojtësin e Kombëtares.

Ora 20:47
VIDEO/ Më të zhurmshëm se kurrë, tifozët e Feynoord ‘çojnë peshë’ Air Albania

Tifozët e Feynoord duket se po shijojnë në maksimum atmosferën brenda në stadiumin e ‘Air Albania’. Në prag të nisjes së ndeshjes ata po brohorasin për skuadrën e tyre të zemrës.

“Duke bërë zhurmë” – shkruan UEFA.

Ora 20:47
VIDEO/Iu shpëtuan kontrolleve të policisë, tifozët holandezë hedhin flakadanë në fushë

Megjithë kontrolleve të rrepta nga policia në hyrje të stadiumit tifozët holandezë ja kanë dalë të fusin brenda flakadanë të cilat i ndezën në tribunë, duke i hedhur madje dhe në fushën e blertë të stadiumit "Air Albania".

Ora 20:43
Finalja historike, tribuna e 'Air Albania' mbushet me VIP-a

Nga Boniek, te Toti, Van Persi, Tomason e Van Marvink, legjendat e futbollit pushtojnë tribunën e “Air Albanias”. Nuk mungon as Edi Reja.

Ora 20:41
Një tjetër 'ministadium' në Tiranë, Report Tv sjell atmosferën nga Amfiteatri me tifozët e Romës

Tek amfiteatri i Tiranës, tifozët e Romës, po ndjekin finalen e Conference League. Report Tv ishte pranë tyre dhe përcolli atmosferën e mbështetësve të Romës në këtë finale.

'Unë jam italiane dhe flas shqip. Jemi shumë të lumtur që jemi këtu.'- u shpreh një tifoze.

Ora 20:34
Finalja e Conference League, Meta në ‘Air Albania’: Ju uroj një natë të paharrueshme

Presidenti Ilir Meta është i pranishëm në stadimin ‘Air Albania’ për të ndjekur finalen e Conference League.

“Të dashur miq ju uroj një mbrëmje të paharruar nga Air Albania”, shkruan Meta.

Ora 20:24
Tifozi i Feyenoord pas memes së famshme me 'gishtin e mesit', e rikrijon pas 20 viteve me babin në Tiranë

1653510418_281717567101585460714474665470882466242490651n.jpg

Fotoja e djalit të vogël me fanellën e Fejnordit, teksa mban ngritur “gishtin e mesit” është padyshim një nga imazhet më të klikuara dhe të shpërndara në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për 8 majin e vitit 2002, teksa holandezët e Fejnordit, mposhtën Borusian e Dortmundit, në finalen e paharrueshme të Kupës  UEFA.

Ishte triumfi i parë evropian i futbollit holandez dhe një moment historik për shumë tifozë të pranishëm. Një nga të pranishmit brenda stadiumit me kapacitet 45,611 atë ditë ishte Mikei Uillson.

Ai ishte vetëm 5 vjeç kur Jon Dahl Tomason iu dha çmimi Man of the Match atë të mërkurë të ngrohtë në Roterdam, por në vend të rezultatit dhe festimeve që pasuan, ai priret ta kujtojë atë mbrëmje për arsye shumë të ndryshme. Djaloshi 5-vjeçar u ul mbi shpatullat e babait të tij kur fotografi i Reuters – Jasper Juinen, e kapi atë duke ngritur “gishtin e mesit”, para fillimit të ndeshjes.

“Nuk mbaj mend shumë për të, për të qenë i sinqertë”, tha Uilson. “E vetmja gjë që më ka mbetur është se nuk kam dashur make-up në fytyrën time, por gjithsesi ka ndodhur”.

Por, 20 vjet pas fotos legjendare, Uilson dhe babai tij, e rikrijuan foton në qytetin e Tiranës, teksa kishin udhëtuar për të ndjekur finale mes Romës dhe Fejnordit.

Ora 20:18
Jo vetëm në ‘Air Albania’, por edhe në Roterdam dhe në Romë tifozët mbushin stadiumet

Roma dhe Feyenoordi do të përballen në finalen e Ligës së Konferencës, por jo të gjithë tifozët e dy skuadrave arritën të udhëtonin në Tiranë për finalen.

Dy klubet kanë lejuar që tifozët të grumbullohen në dy stadiumet e tyre në Itali dhe Holandë për të mbështetur skuadrat që aty.

50 mijë tifozë të Romës do e shohin ndeshjen në stadiumin 'Olimpico', ku ka një super atmosferë.

Pamjet e tifozerive që janë mbledhur në “shtëpitë” e tyre janë postuar nga vetë klubet në “Tëitter” si një shenjë krenarie.

 

 
Ora 20:14
Gjithçka është gati, ja si duken dhomat e zhveshjes të dy skuadrave

 

Gjithçka është gati. Në dhomat e zhveshjes janë vendosur fanellat me të cilët priten të zbresin në fushën e 'Air Albania'.  

Ora 19:59
FOTOLAJM/ Mourinho i shkel syrin gazetarëve

Edhe një moment ç’tensionimi në ‘Air Albania’. Në këtë foto është trajneri i Romës që i shkel syrin gazetarëve.

Ora 19:51
Futen në stadium rreth 50% e tifozëve, krijojnë atmosferë elektrizuese në 'Air Albania'

 

Një pjesë e konsiderueshme e ifozëve janë futur në stadium, teksa kanë nisur që të dhurojnë një atmosfere vërtetë elektrizuese.

Ora 18:59
Formacionet/ Edhe pak nga sfida, ja si do të luajnë Roma dhe Feyenoord

Roma dhe Feyenoord do të luftojnë sonte në Tiranë për titullin e parë në Ligën e sapokrijuar të Konferencës Evropiane të Futbollit. Dueli final do të fillojë në orën 21:00.

UEFA ka publikuar formacionet zyrtare.

Roma: Rui Patrício; Mancini, Smalling, Ibañez; Karsdorp, Cristante, Mkhitaryan, Pellegrini, Zalewski; Zaniolo, Abraham

Feyenoord: Bijlow; Geertruida, Trauner, Senesi, Malacia; Aursnes, Til, Nelson, Kökçü; Sinisterra, Dessers

Ora 14:15
50 mijë në stadiumin e Romës për të parë në ekrane ndeshjen e Tiranës! Kryeqyteti italian në festë

1653480955_asromastadio.jpg

E sotmja do të jetë një natë festë në Romë. Edhe pse pjesa më ultrase është zhvendosur drejt Tiranës, rreth 50,000 tifozë verdhekuq priten sonte në stadiumin Olimpik për të ndjekur finalen e Konferencës së Ligës.

Ata janë organizuar dhe përmes ekraneve të mëdhenj do të shijojnë së bashku emocionet e finales së madhe.

Ora 13:36
Jepet sot për herë të parë, njihuni me detajet e trofeut të UEFA Europa Conference League

Për herë të parë do të jepet sot në ‘Air Albania’ në Tiranë dhe fatlum do të jetë ekipi i Romës ose i Feyenoord por i dini detajet e trofeut të UEFA Europa Conference League! Vetë konfederata evropiane e futbollit i ka bërë të ditura përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Peshon 11 kg, është 57,5 cm e gjatë dhe përmban 32 shufra gjashtëkëndore që shtrihen lart nga baza e tij”, sqaron UEFA.

Shufrat përfaqësojnë çdo skuadër në fazën e grupeve të kompeticionit forma e lakuar e shtyllave është frymëzuar nga fluturimi i një topi drejt portës, momenti i suspansës maksimale për tifozët.

Baza dhe pjesa e sipërme janë prej bronzi të lyer me dorë me një efekt çeliku të galvanizuar mat, ndërsa prizat kanë një përfundim argjendi me shkëlqim. Kupa është projektuar nga studio londineze Pentagram.

 

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ina: 26/05/2022 06:01

    O zot cfar vipash na bete me vjell.

    Përgjigju
  • Diana: 26/05/2022 02:25

    EDI RAMA DUHET TE NDERTOSH NJE STADIUM MODERN ME 40.000 VETA NE DURRES,,,,NJE NE VLORE ME 40.000 VETA,,,DHE NJE NE KORCE ME 30.000 VETA. ..te tre me pista......PO ASHTU TE NDERTOHEN NE C'DO QYTET TE MADH 6 FUSHA FUTBOLLI PER STERVITJE TE GRUPMOSHAVE TE NDRYSHME.....PA LENE MENJANE BASKETBOLLIN E VOLEJBOLLIN......

    Përgjigju
  • resg: 25/05/2022 21:57

    hahahaha, stadiumi gjysem bosh edhe ne tribune kokcepi i librazhdit, o zot sa turp

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?