Rinasi regjistron një tjetër rekord, mbi 1,2 mln pasagjerë në Gusht dhe 7,2 mln për tetë muaj, ose dyfishi i 2023! Rama u përgjigjet kritikëve

2 Shtator, 15:10| Përditesimi: 2 Shtator, 22:34

  • Share

Teksa u mbyll sezoni veror, në aeroportin “Nënë Tereza” u regjistruan edhe bilancet e udhëtarëve nga vende të ndryshme të botës. Kryeministri flet edhe për “ata që komentojnë se ç’na duhen turistët

Shqipëria regjistron një tjetër rekord pasagjerësh për sezonin turistik që sapo u mbyll, teksa publikohen edhe shifrat zyrtare nga aeroporti i Rinasit “Nënë Tereza”. Dyfishi i udhëtarëve e krahasuar me vitin e kaluar për të njëjtën periudhë. Por njëkohësisht e njëjta shifër edhe për muajin Gusht i veçuar, duke kaluar numrin e 1,2 mln pasagjerëve.

Shifrat i ka publikuar sot (2 Shtator) vetë kryeministri Edi Rama, në rrjetin social Facebook. Ajo që bie në sy është detaji se në të tri muajt e verës, numri i pasagjerëve i ka kaluar të 1 milionët. 

Bilanci Janar-Gusht 2024 arrin në 7 milionë e 233 mijë  e 711 pasagjerë që kanë hyrë vetëm në Rinas, ku në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte 4 milionë e 606 mijë e 805 pasagjerë. Ky bilanc flet për 56% rritje në vitin aktual, sipas kryeministrit.

“Shqipëria nuk ndalet në rritjen e numrit të turistëve dhe Rinasi në gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë ose 368.456 (41%) më shumë se sa gushti i shkuar.
Risia e këtij viti janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja”, shkruan Rama.

Postimi i Ramës:
“SHQIPËRIA NUK NDALET në rritjen e numrit të turistëve dhe Rinasi në gusht tejkaloi çdo parashikim optimist, me 1 milionë e 251.467 pasagjerë ose 368.456 (41%) më shumë se sa gushti i shkuar.
Bilanci Janar-Gusht 2024 arrin në 7 milionë e 233.711 pasagjerë që kanë hyrë vetëm në Rinas, ku në të njëjtën periudhë të vitit të shkuar numri i tyre ishte 4 milionë e 606.805. Ky bilanc flet për 56% rritje në vitin aktual.
Risia e këtij viti janë afro 4 mijë pasagjerë nga Japonia, rreth 4 mijë të tjerë nga Zelanda e Re, pothuajse 20 mijë nga Australia dhe 35 mijë nga Kanadaja.
Ata që komentojnë ç’na duhen turistët, duhet të llogarisin se të gjithë këta miliona njerëz shpenzojnë në Shqipëri para për të fjetur, për të ngrënë, për të udhëtuar, për të blerë dhurata dhe të gjitha këto para nuk u shkojnë disa “oligarkëve”, siç i bien shkurt disa kalorës të vrerosur të luftës me qeverinë, po derdhen në arkën e buxheteve familjare të dhjetëra mijëra dhomave të dhëna me qira, të mijëra strukturave të mikpritjes në të katër anët e Shqipërisë, të mijëra e mijëra njësive të shërbimit e bizneseve të vogla. 
Patjetër që një pjesë e tyre shkojnë edhe në formë taksash në arkën e buxhetit të shtetit për investime të mëtejshme e për pagat e rritura ndjeshëm, e jo padashje qeveria nuk po ndërhyn ende për të taksuar si kudo në Europë volumin e madh në rritje të dhomave të dhëna me qira, sepse ne duam që fillimisht të gjithë shqiptarët të prekin jo vetëm të mirat e këtij ndryshimi epokal në sektorin e turizmit, po edhe të kuptojnë me fakte se sa shumë mundësi akoma ka në Shqipërinë Turistike si për ata që banojnë këtu, si për ata që ngurrojnë akoma të kthehen, e si për ata që e kanë ndarë mendjen të mos kthehen por kanë një kohë të artë për të investuar në Shqipëri kursimet e tyre”.

E.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?