Edhe pse jemi në muajin shtator, lumi i Shalës vijon të jetë i frekuentuar nga turistët. Megjithatë, prej një jave ky udhëtim është kthyer në një aventurë sfiduese për vizitorët. Rënia e nivelit të liqenit të hidrocentralit të Komanit ka bërë që udhëtarët të detyrohen të hyjnë në ujë, pasi është e pamundur që rruga të përshkohet nga varkat.
Për guidat turistike, kjo situatë ka krijuar probleme të mëdha për vizitorët, të cilët shpesh përballen me vështirësi. Ata kanë kërkuar ndërhyrjen urgjente të institucioneve për hapjen e portës së liqenit, gjë që do të sillte rritjen e nivelit të ujit dhe do të lehtësonte lundrimin.
“Ka rënë ndjeshëm kuota në liqenin e Komanit. Është bërë aventurë e rrezikshme për të shkuar e për të ardhur në Lumin e Shalës sepse ka dhe të moshuar. I lutem autoriteteve të marrin masa. Ka një javë që është ulur kuota e liqenit. Është një metër e gjysmë poshtë normales. Është shumë e vështirë për ne dhe turistët”, tha Mond Çela, guidë turistike.
Lumi i Shalës, i njohur për bukurinë e tij mahnitëse dhe natyrën e paprekur, përshkon Alpet Shqiptare duke krijuar një peizazh të rrallë dhe tërheqës për vizitorët. I njohur shpesh si "Tajlanda e Shqipërisë" për ujin e tij të kristaltë dhe nuancat e gjelbra dhe blu të thella, lumi ofron një përvojë të veçantë për ata që duan të eksplorojnë natyrën dhe të shijojnë qetësinë. Gjatë verës, lumi kthehet në një destinacion të preferuar për turistët, të cilët mund të shijojnë lundrimin me varka ose notin në ujërat e tij të freskëta. Përreth lumit shtrihen male të larta, të cilat i japin zonës një karakter të egër dhe madhështor.
G.K//ReportTv.al