Jorida Tabaku, Erion Braçe dhe Ina Zhupa

Raporti/ Deputetët më efikasë të Kuvendit, në krye të listës Braçe, Zhupa e Tabaku! Kush janë 6 ligjvënësit ‘memecë’, 0 angazhim në parlament

28 Gusht, 17:51| Përditesimi: 28 Gusht, 18:31

  • Share

Debati në sallën e Parlamentit vijon të jetë në shërbim të interesave politike dhe jo të qytetarëve. Këtë evidenton raporti i Institutit për Studimet Politike mbi efikasitetin e deputetëve në sesionin e shkuar. Instituti për Studimet Politike vlerëson se pasi opozita la pas kaosin, pati progres relativ në kuptimin e funksionimit të parlamentit.

Këshilli i Ministrave vijoi të ishte burimi kryesor i nismave ligjore. Ndonëse duket se ka rritje të numrit të nismave ligjore nga deputetët (mbi 23-25%) një pjesë e tyre janë nisma de facto të qeverisë, të paraqitura indirekt si nisma të deputetëve të mazhorancës dhe pjesa më e madhe janë nisma për çështje politike ditore, pa ndikim pozitiv në nevojat për reforma dhe mirëqeverisje.

Raporti i Institutit për Studimet Politike rendit edhe deputeët më ‘efikasë’ gjatë periudhës janar-gusht 2024, referuar punës së tyre për nismat ligjore, për propozimet individuale ligjore, për pjesëmarrjen aktive në debatet në komisionet parlamentare dhe në seancat plenare, për interpelancat dhe pyetjet adresuar institucioneve, për angazhimin në publik dhe zonë elektorale, për pjesëmarrje në votimin parlamentar.

Sipas raportit, deputetët më efektivë vijuan të jenë pothuajse të njëjtët si në sesionet e mëparshme parlamentare: Erion Braçe (PS), Jorida Tabaku (PD), Ina Zhupa (PD), Bujar Leskaj (PD), Petrit Vasili (PL), Klotilda Bushka (PS), Tritan Shehu (PD), etj. Deputetët e PSD vijojnë me rekorde negative (nën 13%) në fund të renditjes, kurse partitë e tjera kanë kuota nën 30%.

Numri maksimal i pikëve me të cilat vlerësohen deputetët nga Instituti për Studimet Politike është 100 pikë. Në krye të listës qëndron Braçe, Zhupa dhe Tabaku me nga 77 pikë.  

Tabelë: 20 deputetët me nivelin më të lartë të efikasitetit. Burimi: Instituti për Studimet Politike

Raporti ka bërë edhe një renditje të deputetëve më pak efikasë gjatë periudhës janar-gusht 2024. Në raport thuhet se lista e deputetëve më pak efikasë "kryesohet pothuajse nga të njëjtit deputetë si edhe në sesionet e kaluara parlamentare, kryesisht deputetë – biznesmenë që sigurojnë mandate personale në zona të ndryshme, deputetët e PSD dhe deputetë të tjerë me të dhëna specifike, përfshirë edhe figura të njohura politike që vijojnë të injorojnë detyrimet dhe përgjegjësitë parlamentare."

Agron Çela i PS, Gledis Çeliku i PSD, Gertjan Deda i PSD, Niko Kuri PS/MEGA, Orlando Rakipi i PS, Shkëlqim Bullari i PS dhe Tatiana Piro e PS janë 7 deputetët që kryesojnë listën e 7ligjvënësve me efikasitetin më të ulët në Kuvend. Të cilët janë vlerësuar me më pak se 19 pikë nga Instituti i Studimeve Politike. Nga lista përjashtohet ish-kryeministri Sali Berisha, i cili nuk merr pjesë në seancat plenare për shkak se ndodhet në arrest shtëpie për aferën Partizani, ndërsa mandati i tij i deputetit nuk është djegur.

Tabelë: 20 deputetët me nivelin më të ulët të efikasitetit. Burimi: Instituti për Studimet Politike

Deputetët me ‘0’ angazhime në Kuvend, në komisione e seanca plenare

Krahas listës me nivelin më të ulët të efikasitetit, Instituti i Studimeve Politike ka renditur edhe deputetët me zero angazhime në Kuvend, të cilët nuk kanë marrë pjesë as në sennca plenare e as në mbledhjet e komisioneve parlamentare. Listës sërish e kryeson gjashtëshja e dpeutetëve që ishin renditur edhe me nivelin e efikasitetit më ulët. Konkretisht, Agron Çela i PS, Gledis Çeliku i PSD, Gertjan Deda i PSD, Niko Kuri PS/MEGA, Shkëlqim Bullari i PS dhe Tatiana Piro e PS.

“Nga të dhënat monitoruese janë gjashtë deputetësh që nuk kanë arritur të lënë “gjurmë parlamentare” në sesionin e fundit parlamentar, duke mos pasur asnjë angazhim personal NË komisionet e Kuvendit dhe as në seancat plenare. Nuk është vetëm çështje statistikore (0 fjalime), por është shumë më komplekse, - ata nuk kanë iniciuar asgjë, nuk kanë bërë asnjë propozim, nuk kanë folur për asgjë dhe nuk kanë ushtruar kështu pjesën më të madhe të detyrimeve Kushtetuese dhe ligjore parlamentare”, thuhet në raport.

Tabelë: Angazhimi i deputetëve në Kuvend. Burimi: Instituti për Studimet Politike

Në raport theksohet se gratë deputete vijuan të shënojnë nivel shumë më të lartë angazhimi dhe efikasiteti sesa deputetët e gjinisë tjetër.

Në vlerësimin e përgjithshëm gratë deputete patën mesatare prej 37% të efikasitetit parlamentar ndaj vetëm 33% të gjinisë tjetër. Vlerësimi nuk përfshin cilësinë e angazhimit, e cila mbetet kritike për dy gjinitë, por nivelin e përgjithshëm të angazhimit në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive parlamentare“, thuhet në raportin e Institutit për Studimet Politike.

Po ashtu në raport theksohet se “Kuvendi nuk arriti të përmbushë detyrimin kushtetues dhe ligjor për zgjedhjen e më shumëse 15 funksionarëve të lartë, përfshirë zgjedhjen e Avokatit të Popullit (nga 2022) apo Komisionerit kundër Diskriminimit (nga 2023), anëtarëve në KLGJ, KLP, ISSK, KPP, KDRTSH, etj.”

Kliko KËTU, raporti i plotë i Insitutit për Studimet Politike për monitorimin e Kuvendit

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?