Profil/ Nënë Adilja, 74-vjeçarja që shet trëndafilat e bahçes: Gjunjët më dhëmbin, por pa punë s’rri dot! Të gjithë më respektojnë

4 Maj, 15:45| Përditesimi: 4 Maj, 16:02

  • Share

Përballë ka makina, që rendin për diku. Ndërsa ajo pret që hapat e kalimtarëve që parakalojnë, ngjiten,  apo zbresin, të ndalin . Ç’ka nënë Adilja u ofron janë trëndafilat e saj...

“Trëndafilat janë në bahçen time, ua kam bërë shërbimin vet dhe i shes vetë”, thotë nënë Adilja.

Është 74-vjeç, moti këtë javë ‘i bën dredhi’ dhe gjunjët i dhëmbin, por puna siç thotë e bën të ndihet mirë. E fisnikëron njeriun.

“Epo nuk më rrihet mua, kam shumë vullnet edhe dëshirë që të punoj, s’rri dot pa punë, edhe pse më dhembin gjunjët, aq sa mezi eci”, shprehet më tej e moshuara.

Pensioni dhe mbështetja e fëmijëve i del për një jetesë të qetë, por punën e shikon si domosdoshmëri jo vetëm për  ‘stomakun’, por edhe për shpirtin e mendjen e njeriut.

“Jam nënë e tetë fëmijëve edhe i kam të gjithë ‘për marshallah’ edhe më thonë ‘mos shko, mos dil se punojmë ne’. Por jo shpirt ti nënës, - i them, se unë jam me këmbë e dorë, derisa të kem këmbë e dorë do të puno,j pastaj e dini vetë ju”, rrëfen ajo.

Vjen nga Baldushku në metropol dhe deri në mbrëmje arrin që t’i shesë thuajse të gjithë trëndafilat.

“Jam mirënjohëse se më kanë respektuar dhe unë kam respekt për të gjithë. Më blejnë, të rinjtë po, por edhe të moshuarit”, tregon.

Një trëndafil i baçës së nënë Adiles, kushton sa një kafe, por siç thotë e moshuara, të bën shumë herë më të lumtur.

“Me gjithë shërbimin që i bëjmë ne, çmimi nuk është i arsyeshëm. Po unë jam 74-vjeç dhe i mbaj pak më lirë se të tjerët që t’i shes dhe të largohem”, shprehet.

Me ndërrimin e stinëve të tjera lule të freskëta të bahçes së saj, do të sjellë kësaj ane.

“Kam edhe lule të tjera po në fund të qershorit bëhen”, thotë.

Nënë Adilen e lëmë me trëndafilat e saj. Si një portret i bukur njerëzor, që buzëqesh këtij qoshku të Tiranës.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilirjan: 05/05/2024 07:13

    Nje perqafim per kete nene te nderuar! Nenat tona... me te mirat ne bote. Me fat kush i ka akoma.

    Përgjigju
  • D.D: 05/05/2024 00:44

    Respekt!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?