Presidenti/ PS negociata me palët, Alibeaj refuzon! Balla: Vendosëm piketat! Mediu: Nëse opozita s'është unike, ne s'bëhemi pjesë! Idrizi: Qeveria garantoi jo proces të njëanshëm

13 Maj 2022, 08:35| Përditesimi: 13 Maj 2022, 14:51

  • Share

Kur duhen edhe 2 ditë që të përfundojë afati për dorëzimin zyrtar të kandidatëve për President të Republikës, ende nuk ka asnjë emër për tu hedhur për votim në raundin e parë të përcaktuar të zhvillohet të hënën e 16 majit, ora 17:00. E sotmja ishte ditë negociatash. Teksa Enkelejd Alibeaj i PD ka refuzuar, grupi negociator i Partisë Socialiste zhvilloi takime me krerët e grupeve të tjera parlamentare.

Takimet ndërmjet kryetarëve të grupeve parlamentare u zhvilluan të ndara, ku në orën 09:00 në bisedë me socialistët ishte Shpëtim Idrizi i PDIU-së, ndërsa më pas ishte Fatmir Mediu dhe Agron Duka, që biseduan me Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla garantoi edhe një herë opozitën se mazhoranca është e vendosur që t’i japë vendit një President konsensual, ndërkohë që bëri me dije se në takimet me dy grupet parlamentare të opozitës arritën të vendosin piketat kryesore. Balla tha se tashmë nuk ka kohë dhe duhet ecur para me procesin.

Vullnetin  e mazhorancës për konsensus e konfirmoi edhe kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili ftoi edhe një herë palët që të marrin pjesë. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, pas takimit që zhvilloi me Partinë Socialiste për Presidentin e Republikës tha se opozita duhet të jetë një e tërë në proces. Ai nënvizoi se nëse nuk do të ketë unitet në opozitë për të propozuar një kandidat të përbashkët atëherë edhe grupi parlamentar që ai përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e këtij procesi.

Ndryshe nga kolegët e grupeve të tjera parlamentare, Enkeleid Alibeaj nuk do të ulet në negociata me mazhorancës, nëse nuk merret për bazë drafti i tij me kriteret për zgjedhjen e presidentit të ri.

Për procesin e negociatave për Presidentin reagoi edhe Prezenca e OSBE në Shqipëri, e cila e konsderoi atë procesin gjithëpërfshirës, i cili do të sjellë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit.

Më 16 maj, ora 17:00 do të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të republikës, vendim i cili u mor në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Më 15 maj ora 16:00 është afati I fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare të deputetëve, ndërsa më datën 16 maj ora 10:00, mblidhet Komisioni i Ligjeve për vlerësimin e kandidaturave. Afatet janë vendosur me votë të Partisë Socialiste, pasi përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votim..

Nga të gjithë emrat e propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për Presidentin e ri, vetëm 67 prej tyre janë seleksionuar nga grupi negociator për t'u diskutuar më tej mes vetë maxhorancës, grupeve të tjera parlamentar dhe shoqërisë civile. Kryeministri Edi Rama nuk e ka përjashtuar mundësinë që ata të dalin në raundet e para me më shumë se 1 kandidaturë. 

Ora 14:57
Presidenti i ri, Boçi kundërshton draftin e Alibeajt: Përpjekje për të paraqitur opozitë false të emëruar nga Rama-Balla! Nuk kemi miratuar asnjë dokument kriteresh

1652370967_Sequence03.00254715.Still018.jpg

Deputeti i PD, Luciano Boçi, mbështetës i Sali Berishës ka reaguar për zgjedhjen e presidentit të ri duke thënë se grupi parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh.

"Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedurë. PD ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit  në Këshillin Kombëtar. Çdo përpjekje e Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla, nuk pranohet. Kjo e folura dhe paraqitja e vendimeve personale në emër të Grupit parlamentar të PD-së përpos që është qesharake, mbetet një hile bajate, për të marrë atribute të paqena dhe për të mbajtur gjallë një përçarje që dihet se kujt i shërben.

Grupi Parlamentar i PD nuk ka miratuar asnjë dokument kriteresh apo procedure për zgjedhjen e Presidentit, siç e paraqet z. Alibeaj. Nuk ka pasur as vendim të Kryesisë grupit parlamentar, as mbledhje të grupit, as takim me kuorum për ta quajtur mbledhje grupi dhe as dakortësi në takimet pa kuorum. Ky lloj keqpërdorimi i sinqeritetit dhe dëshirës së deputetëve të PD-së për të negociuar dhe propozuar Presidentin duhet të marrë fund. 

PD ka organet e saj vendimmarrëse dhe ka miratuar rezolutën për zgjedhjen e Presidentit  në Këshillin Kombëtar. Grupi parlamentar është i unifikuar në idenë që është opozita ajo që duhet të propozojë. Çdo përpjekje e Alibeajt për të paraqitur një opozitë false të emëruar nga Rama-Balla për të shpëtuar faqen e Ramës faqe botës, nuk pranohet. Ne do të vazhdojmë misionin e PD-së për të përafruar qëndrimet për procesin dhe emrin me të gjithë partitë opozitare në nivel politik e parlamentar", shkruan Boçi.

Ora 12:37
‘Demokratët takohen në 1 pikë’, Salianji i bën thirrje Grupit Parlamentar: Të bashkohemi për mos t’ia lënë zgjedhjen e presidentit PS

1651834137_Screenshot2.jpg

Dy ditë përpara se afati për dorëzimin zyrtar të kandidatëve për presidentin e Republikës, deputeti i PD, Ervin Salianji i ka bërë sërish thirrje Grupit Parlamentar të mbajë një mbledhjen të përbashkët për të dakortësuar qëndrimin për kriteret.

Pavarësisht se opozita është ndarë në 3 palë, Salianji theksoi se këto 3 kampe bashkohen në 1 pikë, që nuk duhet absolutisht të lihet në dorën e PS zgjedhja e presidentit.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka një vendim të dakortësuar për kriteret apo mënyrën se si duhet të zhvillohet procesi i negociatave! 

Deputetë të pranishëm në takimin e kaluar më konfirmojnë që në atë takim shumica e të pranishmëve e ka rrëzuar kriterin që Presidenti i Republikës nuk duhet të jetë politik!

Gjithë opozita ka një pikë përbashkuese : PSSh nuk ka legjitimitetin për ta zgjedhur Presidentin e vetme, për këtë arsye i takon Partisë Demokratike dhe grupit të saj parlamentar të thërrasë në mbledhje të përbashkët gjithë deputetet opozitarë por dhe personalitetet që mund të gjejnë konsensus të gjerë!”, u shpreh demokrati.

Ora 11:48
Alibeaj i dërgon grupeve parlamentare  draftin e PD për Presidentin

 

Enkelejd Alibeaj i ka dërguar të treja grupeve të tjera parlamentare draftin e për zgjedhjen e Presidentit.

“Në vlerësimin tonë, Presidenti i Republikës, i cili sipas nenit 86 të Kushtetutës përfaqëson unitetin e popullit, duhet të zgjidhet në një proces gjithëpërfshirës, konsensual midis shumicës dhe pakicës parlamentare, transparent, luajal ndaj Kushtetutës dhe interesave të qytetarëve. Paraqitja e këtij qëndrimi është një dëshmi e vullnetit tonë të mirë për një proces, i cili t'u japë shqiptarëve një figurë presidenciale dinjitoze, në lartësinë e detyrës kushtetuese dhe me legjitimitet të plotë.

Megjithatë, dokumenti, bashkëlidhur kësaj shkrese, nuk ka si qëllim ngurtësimin e një procesi që favorizon opozitën, por synon gjithëpërfshirjen. Për këtë arsye, ky propozim është i hapur për diskutime, përmirësime apo propozime shtesë nga të gjitha grupet parlamentare, me synimin e vetëm të ndërtimit të një procesi transparent dhe që prodhon produkt të gjithëpranuar. Pasi të njiheni me këtë dokument, mbetemi në pritje të qëndrimit tuaj publik”, i shkruan Alibeaj Taulant Ballës, Mesila Dodës dhe Fatmir Mediut.

Sipas draftit në formulën e zgjedhjes së presidentit kërkon që opozita të propozojë 4 emra kandidatësh e mes tyre të arrihet në një dakordësi mes mesazhorancës dhe opozitës për emrin që do t’i dërgohet Parlamentit për votim

(Kliko këtu per propozimet e PD për kriteret e zgjedhjes së presidentit të ri)

Ora 11:46
Presidenti i ri/ Alibeaj: Nuk vrapojmë pas emrave nëse nuk kemi kritere! Kam njoftuar PS dhe grupet e opozitës me qëndrim zyrtar! Nuk bëhet procesi në dhoma të errëta

 

Enkelejd Alibeaj ka folur para mediave pasi nuk mori pjesë në takimin me PS për zgjedhjen e presidentit të ri duke thënë se nuk bëhet procesi në dhoma të errëta ndërsa thekson se ka njoftuar grupet parlamentare me qëndrim zyrtar. Ndër të tjera tha se nuk e cilëson të udhës që të vrapojnë pas emrave konkre si kandidat për President nëse nuk kanë kritere.

"Në një proces real, të sinqertë ashtu sic e do dhe figura e presidentit e do, të jetë e shqiptarëve, neutral, tu qëndrojë sfidave që pozicioni i presidentit ka. Për të arritur në këtë pikësynim jemi ofruar për të patur një proces të sinqertë, të bazuar në kritere, në procedurë që është garancia e parë dhe e domosdoshme në një produkt sic shqiptarët e duan. Për këtë arsye, ia kam përcjellë qëndrimin zyrtar grupin parlamentar të mazhorancës dhe grupeve të tjera parlamentare. Ky proces të mos perceptohet si lojë apo farsë. Kushtetuta e ka të qartë që presidenti zgjidhet me 84 vota.

Nuk e ka mazhoranca legjitimitetin për të zgjedhur e vetme sepse së paku 3 deputetë janë deklaruar si "non grata". Për këtë arsye nuk ka legjitimitet mazhoranca për të bërë lojëra apo për të bërë farsë Edi Rama.

Është e kuptueshme që e drejta për të propozuar, së paku i takon opozitës. Ne kemi propozuar kritere sepse kemi detyrim, jo mes palëve politike, nuk duhet të jetë kështu, por një president që të dalë në sy të shqiptarëve. Ju i dini kriteret, njëri është që presidenti duhet të jetë antikomunist. Është vendosur një kriter për mosaktivizimin politik në 5 vitet e fundit, por nuk është i shkruar në gur.

Ne këtë qëndrim tonin ia ofrojmë grupeve të tjera parlamentare sidomos atyre të opozitës. Me konsultimet që kam pasur me Dodën dhe Mediun kanë qëndruar tek kriteret. Ne kemi qëndrimin që opozita duhet të propozojë sipas një mekanizmi të bërë publik. Duhet të jetë një proces që të mos jetë buzëkuq. Nuk do ia bëjmë këtë shqiptarëve. Pres publikisht nga përfaqësuesit e mazhorancës të kenë qëndrimin e tyre. Presim reagimin e tyre dhe do të kemi sërish një reagim tonin. Ne nuk jemi për të pasur proces në dhoma të errëta, të cilat nuk kanë rezultuar të mira për shqiptarët. Gjithçka në sy të publikut. Nuk do të ishte e udhës të vrapojmë pas emrave nëse nuk kemi kritere", tha Alibeaj.

Ora 11:04
Presidenti i ri/ Balla: Gjatë takimeve me 2 grupet e opozitës vendosëm piketat që do na çojnë në një president konsensual! Nuk duam ta vrasim procesin

 

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla bëri me dije se në takimet me dy grupet parlamentare të opozitës arritën të vendosin piketa që do të sjellin president konsensual.

"Bashkë me kolegët Gjiknuri dhe Spiropali zhvilluam një raund të dytë takimesh me 2 prej 3 grupeve parlamentare të opozitës. PS e ka dëshmuar edhe sot disponibilitetin për të kaluar në diskutime konkrete me emrat e kandidatëve për president. Me të dyja grupet ka pasur gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkret. Mediu na informoi për një qasje për të ardhur me një emër ose disa emra konkret nga opozita për një përpjekje që po bën Mediu.

Vijoj të shpresoj që të ketë një vendimmarrje për të ardhur dhe ata në tryezën e diskutimeve. Disponibiliteti është për t'i dhënë një president të të gjithë shqiptarëve, por ka disa afate, nuk kemi më mundësi të shtyjmë afatet. Me 16 është afati i parë ndërsa afati i fundit është data 23 maj. Janë disa biseda shumë të frytshme, sot më në fund kemi arritur të vendosim piketa dhe shina të një procesi që mund të na çoj tek një president sa më konsensual. Ne nuk duam ta vrasim procesin, kjo do të ishte kundërshti e asaj që po flasim. Kemi rënë dakord që të ulemi në vijim", tha Balla.

Ora 10:57
Mediu: Ne s’propozojmë asnjë kandidat pa pjesën tjetër të opozitës! Nëse ata s’bëhen pjesë edhe ne jo! Deri të hënën nuk besoj se ka kandidat

 

Kryetari i Partisë Republikane pas takimit që zhvilloi me Partinë Socialiste për Presidentin e Republikës tha se opozita duhet të jetë një e tërë në proces.

“Qëndrimi ynë ka qenë që opozita të dalë me figurat e veta. Shpresoj që të arrijmë në këtë konsensus opozitar. Ne kemi vendosur si ‘Aleanca për ndryshim’ që propozime t’i bëjmë brenda opozitës. Nëse nuk do të ketë një qëndrim opozitar nuk marrim pjesë në proces.

Unë nuk i ndaj në të Rithemelimit apo ku di unë si i quani ju. Për mua të gjithë deputetët ashtu siç e përcakton Kushtetuta janë të detyruar të marrin pjesë në këtë proces. Unë nuk shoh të ketë një kandidat për ditën e hënë. E shikoj absurde që politika të përjashtojë politikën. Ka figura politike të rëndësishme politike në vend”, tha Mediu.

Ora 10:36
Idrizi pas takimit me PS: Mazhoranca tregoi vullnet se Presidenti nuk do të zgjidhet njëanshmërisht! Duhet të jetë figurë me peshë publike

 

Kryetari i PDIU, deputeti Shpëtim Idrizi, pas bisedës që pati me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, tha se ka gjetur vullnet nga ana e mazhorancës që Presidenti do të jetë një figurë që nuk do të zgjidhet njëanshmërish.

“Theksuam që Presidenti duhet të jetë një person thellësisht me eksperiencë politike. Është njeriu që përfaqëson unitetin e kombit. Sigurisht që një president që mbart konsensus do ta luante shumë më mirë këtë rol. Gjetëm një vullnet të mirë vlen për të verifikuar këtë gjë, që nuk do të kemi një President të zgjedhur njëanshëm nga mazhoranca. Do të ftoja të gjitha palët që ne kërkojmë një President për palët dhe duhet të na bashkojë figura. Patëm një dakordësi me përfaqësuesit e PS-së që ka ardhur koha të flasim me emra konkretë. Duhet t’i japim shqiptarëve një President me peshë publike sepse politika shqiptare krijon shumë kriza. I ftoj të gjitha palët që të bashkohemi tek të gjitha prerogativat kushtetuese që kërkohen për Presidentin e Publikës”, tha Idrizi.

I pyetur se pse nuk pret që të negociojë së një e tërë me PD-në, Idrizi tha se "Nuk kushtëzojmë dot njeri në formatin që ata zgjedhin për të biseduar. Ne nuk mund të lëmë në terr shqiptarët për procesin e zgjedhjes së njeriut me të rëndësishëm në piramidën e shtetit. PDIU e ka marrë këtë përgjegjësi". 

 

Ora 10:04
Presidenti i ri, reagon OSBE: Procesi gjithëpërfshirës, do të sjellë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit

1652429752_2805179003738738414529941202927887229590430n.jpg

Prezenca e OSBE në Shqipëri ka reaguar për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri duke thënë se e përshëndet procesin përfshirës që do të sjellë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit.

"Ndërsa vendi fillon procedurat parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përshëndet një proces përfshirës, i cili do të sjellë në postin më të lartë një personalitet që përfaqëson unitetin e popullit, sikurse përcaktohet në Kushtetutën e Shqipërisë", shkruan Prezenca e OSBE në Shqipëri në një postim në Facebook.

Ora 10:03
Presidenti i ri, sot PS negociata me grupet parlamentare, Alibeaj nuk shkon në takim

1652107876_Screenshot2.jpg

Kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka vendosur të mos shkojë në takimin me Taulant Ballën për zgjedhjet e presidentit të ri.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?