Pamjet gjatë përplasjeve në Tiranë

 ‘Policët më morën aparatin dhe më detyruan të fshij fotot’ policia reagon pas denoncimit të fotoreporterit: Po kryhen verifikimet

25 Maj 2022, 16:55| Përditesimi: 25 Maj 2022, 17:02

  • Share

TIRANË- Gjatë përplasjeve që ndodhën një natë më parë ndërmjet tifozëve të Romës dhe Feyenoordit në kryeqytetin shqiptar, pati edhe një incident me fotoreporterin Gent Shkullaku. Ai ka deklaruar në media se policët e kanë ndaluar teksa po bënte punën e tij duke shkrepur fotografi të përplasjeve dhe e kanë detyruar që të fshijë fotot. Sipas fotoreporterit, policët i kanë marrë me forcë aparatin dhe pavarësisht tentativave të tij për t’i sqaruar se ai po bënte punën e tij, për të cilën ishte akredituar edhe tek UEFA, disa foto e kanë detyruar që ti fshijnë me pretendimin se ata dukeshin me fytyrë.

Lidhur me këtë incident ka reaguar edhe Policia e Shtetit, e cila thotë se drejtori i Policisë Gledis Nano ka urdhëruar verifikimin e rrethanave të këtij incidenti. Sipas policisë po kryhen të gjitha veprimet dhe nëse do të rezultojë se ka patur tejkalim apo shkelje të procedurave standarde të punës nga punonjës policie, do të merren masat disiplinore përkatëse.

‘Lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar, me fotoreporterin Genti Shkullaku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka urdhëruar verifikimin e rrethanave të këtij incidenti. Një grup i posaçëm nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike po kryen të gjitha veprimet dhe nëse do të rezultojë se ka patur tejkalim apo shkelje të procedurave standarde të punës nga punonjës policie, do të merren masat disiplinore përkatëse.

Gjatë takimit të zhvilluar mesditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dhënë porosi të veçantë drejtuesve të strukturave policore të angazhuara me shërbim në Tiranë, për mbarëvajtjen e aktivitetit, që gazetarëve dhe reporterëve, vendas e të huaj, t’u krijohen të gjitha lehtësirat, me qëllim që ata të përmbushin misionin e tyre.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të medias në veçanti, si dhe shpreh angazhimin për të përmbushur më së miri detyrimin për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në një event madhështor siç është finalja e sotme europiane e Conference League.’- njofton policia.

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbërori: 25/05/2022 18:20

    Skeni par gjë akoma, komunizmi fatkeqsisht po zgjohet…!

    Përgjigju
  • Julian: 25/05/2022 17:40

    Lejeni policine ti zhdepi n drru , ca filmoni

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?