Sport

'Po mendoj të lë punën', Olsi Rama nuk përmbahet për arbitrin! 'Shpërthen' edhe Daja: Do kërkoj nga klubi mos të pranojë Hamitin

26 Tetor 2021, 10:03| Përditesimi: 26 Tetor 2021, 11:59

  • Share

Derbi i parë i sezonit mes Tiranës dhe Partizanit i ka takuar bardhebluve, të cilët kanë fituar 1-0 falë golit të realizuar me penallti nga Vesel Limaj. Ishte ky episod që irritoi pafund tifozët e Partizanit, por edhe drejtuesit, pasi sipas tyre gjyqtari Hamiti akordoi një 11 metërsh të paqenë, duke dënuar skuadrën.

“Është një situatë ku të gjithë e përjetojnë presionin. Këtu përfshirë edhe veten që po e përjetoj në një mënyrë që po mendoj nëse ia vlen të meresh me këtë punë apo jo. Nuk është hera e parë me këtë Hamit lezhjanin. Është përsëritës, ngelës, por fatkeqësisht ka pak arbitra në Shqipëri. Mendoja që me VAR njerëzit do ishin më përgjegjës,”-u shpreh Olsi Rama, drejtor i Partizanit.

“Do bëj ç’mos, duke kërkuar nga klubi sepse nuk jam unë i duhuri që të merrem me arbitrat, por Hamiti të mos jetë më në ndeshjet tona,"-deklaroi Ilir Daja, trajner i Partizanit.

Humbja kundër Tiranës e ka çuar në 6 ndeshja pa fitore Partizanin këtë sezon, ndërsa autori i golit që vendosi derbin shprehet shumë i lumtur, në një kohë kur realizon në dy ndeshjet e fundit për bardheblutë.

“Sot ishte një gol më i rëndësishëm. U kënaqa më shumë sot se sa me golin që realizova kundër Teutës,”-u shpreh Vesel Limaj, futbollist i Tiranës.

Ndërkohë në kampin bardheblu kjo fitore ka rritur entuziazmin dhe kjo në bazë edhe të fakteve. Aktualisht 25 herë fituesit e Superligës udhëheqin kampionatin me 14 pikë, 3 më shumë se Teuta e vendit të dytë.

Të themi të drejtën jemi të gjithë të gëzuar. Kampionati gjithsesi do jetë shumë i fortë, por ne jemi në vendin e parë,”-tha Refik Halili, president i Tiranës.

“Sigurisht që është fitore e rëndësishme dhe për këtë jemi të kënaqur. Renditja është provizore sepse ka edhe shumë javë kampionat. Gjithsesi është shumë e rëndësishme vazhdimësia dhe fitorja në derbi. Jam i kënaqur sepse pashë lumturinë në sytë e tifozëve dhe kjo fitore shkon për to,”-deklaroi Orges Shehi, trajner i Tiranës.

Vlen të theksohet se në derbi ligjërisht lejohej 30% e kapacitetit të stadiumit, por present në ‘Air Albania’ ishin rreth 70%. Padiskutim që tifozët janë edhe gjëja më e bukur e derbit, që i mungonin kësaj ndeshje prej shkurtit të 2020.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?