Sandër Pemaj

Greqi/ Përgjimet e Sky ECC, tre të arrestuar, mes tyre edhe një shqiptar, një nga 'kokat' e grupeve kriminale në vendin fqinj (EMRI)

29 Nëntor, 12:46| Përditesimi: 29 Nëntor, 13:59

  • Share

Një shqiptar dhe 2 grek, mes të cilëve oficeri i antidrogës u arrestuan pas zbardhjes së komunikimeve në “SkyECC” për trafik kokaine. Sandër Pemaj ka masë të dytë pasi në 2020-ën u arrestua me 1.2 ton kokainë, ndërsa është arrestuar edhe herë të tjera në vendin fqinj.

Komunikimet në aplikacionin e dekoduar “SkyECC”, i cili u përdor nga grupe kriminale për të porositur apo përgatitur vrasje dhe trafik kokaine, po jep rezultate edhe në Greqinë fqinje, me shqiptarë të përfshirë. Përmes një operacioni të zhvilluar së fundmi, 3 masa “arrest në burg” u ekzekutuan për një oficer të antidrogës greke, një shqiptar dhe një tjetër grek, për trafik kokaine e marijuane.

Shqiptari është Sandër Pemaj, 45 vjeç, nga Lezha. Ai rezulton i arrestuar që në janar 2020, në akuzë për trafikim droge, pas sekuestrimit të 1.2 ton kokainë në zonën e Astakos, e trafikuar me velierë nga ishujt Karaibe. Bashkë me Pemajn në atë kohë u arrestuan edhe 5 shqiptarë të tjerë, Arbër Përdeda, Ergon Tusi, Erlin Zotaj, Lek Doda dhe Maksim Preçi. Gjykatat greke fillimisht e dënuan Pemajn me burgim të përjetshëm, por në shtator 2024 Apelit në Greqi ia uli dënimin në 15 vjet e 4 muaj.

Njëlloj si në rastet e zbuluara në vendin tonë të përfshirjes së efektivëve të policisë, edhe oficeri grek i antidrogës, 42 vjeç, merrte financime mujore për të informuar dhe mbuluar veprimtarinë e paligjshme të rrjetit për të shmangur arrestimin e tyre. Ai gjithashtu ka tentuar të sigurojë në baza mujore dhe për llogari të një pale të tretë, sasi të mëdha droge, si dhe të përfshijë persona në rrethin e tij të kontakteve në veprimtarinë e paligjshme të rrjetit.

Por, çfarë profili ka shqiptari Sandër Pemaj?

45-vjecari konsiderohet një nga “kokat” e grupeve kriminale shqiptare në Greqi. Në 2010-ën u përfshi në një përplasje të armatosur me policinë greke bashkë me shqiptarin tjetër Marian Kola, që u arratis në 2013-ën nga burgu i Trikallas e më pas u vra nga policia greke në kufirin greko-shqiptar. Gjatë shkëmbimit të zjarrit në Virona në 2010, ku u hodhën edhe 5 granata, u vra aksidentalisht 25-vjecari shqiptar Nikolla Todi dhe u plagosën 2 policë. Pemaj dhe Kola u arrestuan pas ngjarjes. E ndërsa Kola u arratis e u vra, Pemaj u lirua pas disa vitesh nga burgu.

Ai ka precedentë penalë prej vitit 2000, duke u arrestuar 5 herë për grabitje me armë, drogë e tentativë vrasje deri në 2010. Në 2015-ën u arrestua si pjesë e një grupi kriminal që tregtonte heroinë, kokainë dhe marijuanë. Edhe kësaj radhe Pemaj u lirua shpejt, duke u arrestuar sërish në 2020 për trafikun e rreth 1.2 ton kokainë.

Xh.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?