Sport

Përfundojnë pas 16 ditësh lojërat olimpike 'Tokio 2020'! Tomas Bach: Miliarda njerëz u bashkuan përmes emocioneve

8 Gusht 2021, 21:00| Përditesimi: 8 Gusht 2021, 21:12

  • Share

Lojërat Olimpike "Tokio 2020" u shpallën të mbyllura këtë të diel nga shefi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Tomas Bach. Gjatë ceremonisë përmbyllëse, ai tha se ngjarja sportive 16-ditore i kishte sjellë botës njëfarë shprese gjatë pandemisë së koronavirusit.

"Që nga fillimi i pandemisë, për herë të parë e gjithë bota u bashkua. Ne epiqendër u kthye sporti. Duke ndarë momente gëzimi dhe frymëzimi, miliarda njerëz në të gjithë globin u bashkuan përmes emocioneve. Kjo na jep shpresë për të ardhmën, na jep besim, tha ai.

Bah falënderoi gjithashtu organizatorët japonezë dhe mijëra vullnetarë që u angazhuan në përgatitjen e tyre. Garat u zhvilluan në kushte të rrepta të kufizimeve kundër koronavirusit. Lojërat ishte paraparë të mbahen vitin e kaluar, por ato u shtynë për shkak të pandemisë.

Organizatorët duket se e kanë parandaluar rrezikun që ky organizim të jetë një arsye e përhapjes së koronavirusit, edhe pse rreth 50,000 njerëz u mblodhën pavarësisht pandemisë. Dy xhudistet e Kosovës, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova morën dy medalje të arta në këto lojëra. Kjo ishte hera e dytë që Kosova mori pjesë në Lojërat Olimpike, ku në Rio më 2016, xhudistja Majlinda Kelmendi fitoi medalje të artë në kategorinë e saj.

Pjesë e lojërave olimpike “Tokio 2020” ishin edhe 9 sportistë shqiptarë, të cilët nuk mundën të merrnin asnjë medalje, ndërsa peshëngritësi Briken Calja arriti rezultatin më të lartë. Lojërat Olimpike Verore 2024 do të mbahen në Paris të Francës.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A mund të zhvillojë Shqipëria turizmin elitar?