Përdhunimi i të miturës në Mirditë, shkojnë për gjykim 5 të dyshuarit

18 Mars 2022, 09:55| Përditesimi: 18 Mars 2022, 10:02

  • Share

Pas shumë seancave gjyqësore, dosja penale në lidhje me përdhunimin e 15-vjeçare në Mirditë, ka kaluar për gjykim në Gjykatën e Lezhës. Vendimi është marrë nga gjyqtari Artan Hajredinaj, duke i hapur rrugë gjykimit të themelit për 5 personat e vënë nën akuzë për veprën penale "Kryerja e marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur".

Ndërkohë avokatet e të pandehurve kanë mohuar në vazhdimësi që klientët e tyre të kenë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, pasi referuar dhe bisedave që janë zbardhur ka qenë vetë e mitura që i ka provokuar në vazhdimësi. Njëri nga avokatet e të akuzuarve ka kallëzuar në SPAK për "Shpërdorim Detyre" dhe ka kërkuar përjashtimin e prokurorit çështjes, me pretendimin se hetimet nuk janë kryer siç duhet.

Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe personi me iniciale A.Gj u arrestuan në muajin maj 2021 nga policia, pas denoncimit të një vajze 15-vjeçare e cila pretendonte se përmes shantazhit është përdhunuar me dhunë nga 5 personat. Tashmë do të jetë gjykimi i themelit që do të vendose për fatin e 5 të akuzuarve, nëse kanë konsumuar apo jo veprën penale që pretendon prokuroria e Lezhës.

Kjo ngjarje e cila ndodhi në fshatin Tarazh të Mirditës tronditi mbarë opinionin publik dhe u shoqërua me protesta në disa qytete të Shqipërisë.

I.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?