VIDEO/ Shqipëria për herë të parë në top 10, Colturi shkruan historinë në Botërorin e skive: Kisha ndjesi të mira që në stërvitje

17 Janar, 11:30| Përditesimi: 17 Janar, 18:49

  • Share

Për herë të parë në historinë e skive shqiptare Lara Colturi ka arritur të renditet në top 10-shen e një gare në Botërorin e skive. 17-vjeçarja në pistën austriake të Flachaut bëri mrekullinë në disiplinën e Slallomit edhe pse u nis e 60, duke lënë pas skiatore kampione si Shiffrin apo Vlohva dhe duke e mbyllur garën e 9-ta.

“Jam shumë e lumtur për këtë garë pasi që në stërvitje kisha ndjesi të mira. Ia dola ti kem edhe në garë. Në zbritjen e parë i kuptova shenjat e mira, ndërsa të dytën u përpoqa ta shijoja në maksimum dhe rezultati erdhi,”-u shpreh Lara Colturi, skiatore e Shqipërisë pas garës.

Me këtë rezultat historik Lara Coluti konsolidon renditjen në 30 më të mirat e kampionatit botëror, ndërsa do rikthehet të garojë sërish në datat 20-21 janar në Jansa të Sllovenisë. 17-vjeçarja do marrë pjesë në dy disiplinat e skive, në Sllallom dhe Giant Sllallom.

Ora 18:47
Lara Colturi shkroi historinë për Shqipërinë, Edi Rama: Është xhevahiri më i çmuar i kurorës

Lara Colturi, skiatorja italo-shqiptare që përfaqëson flamurin kuqezi u rendit e nënta në Kupën e Botës. Për herë të parë në histori një anëtare e Shqipërisë futet në këtë listë të ngushtë të më të mirëve në botë. Për këtë arritje, kryeministri Edi Rama ka shprehur vlerësimet, duke thënë se 17-vjeçarja është 'sot xhevahiri më i çmuar i kurorës' në ski, kjo falë pasionit të kreut të Federatës së Skive, Elvis Toçit.

"Një tjetër rezultat fantastik për Shqipërinë. Skiatorja Lara Colturi, italiania që vendosi bashkë me prindërit të përfaqësojë flamurin më të bukur në botë, u klasifikua për herë të parë në Top10, në një garë të Kupës së Botës. Urime Federatës Shqiptare të Skive, e cila falë pasionit të paepur të presidentit Elvis Toçi, ka krijuar një bërthamë talentesh me djem e vajza shqiptare, që stërviten në pistat e Italisë e jo vetëm, ndër të cilët Lara është sot për sot xhevahiri më i çmuar i kurorës", shkruan Rama.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që në Shqipëri të ndalohet përdorimi i euros për pagesa?