Patos/ Kujdeset për bletët prej 35 vitesh, bletërritësi Isa Beha: Rriten me pasion, sekretet e punës ia tregoj mbesës

9 Korrik 2023, 15:54| Përditesimi: 9 Korrik 2023, 15:57

  • Share

Isa Beha nga fshati Zharrëz i Patosit kujdeset për bletët me të njëjtin pasion, si 35 vite më parë kur nisi të ushtrojë këtë zanat.

 “Për mua Bleta është një punë shumë e mirë për të gjithë ata që e kanë pasion dhe e kanë me qejf, se po nuk e pate me qejf bleta nuk të ecën.’- shprehet Isa Beha.

Bletërritësi i njohur në zonë ka ngritur një park me 90 koshere në pronën e tij, rreth 100 metra nga shtëpia.

Me veshjet e posaçme, futemi në park ku na shoqëron mbesa e Isatit. Ajo sapo ka mbaruar klasën e 6-të dhe pushimet verore i kalon me gjyshin.

‘Mbesa me afrohet shumë. I ka shumë qejf. T’ua linim fëmijëve. Gjynah gjithë ai mall’- thotë ai.

Bletërritësi 73-vjeçar na tregon për vështirësitë e punës, por që e mban gjallë pasioni.

Ka përfituar nga skema mbështetëse e AZHBR, duke shtuar 12 koshere të reja këtë vit.

‘Shtohet po t’u bësh të gjitha shërbimet me ilaçe. Por duhet dhe shumë punë.’- tha ai.

Muajin tjetër Isa Beha do të nisë vjeljen e mjaltit dhe tregun e ka të sigurt. Na tregon se kur punon me ndershmëri dhe pa hile, prodhimi nuk mbetet pa shitur.

‘Deri në gusht ma merr mëndja mirë do jenë mirë, se duhet të piqet mjalti themi ne dhe duhet të vuloset 70%. Se merr atë prodhimin ti pa vulosur ai nuk të rron!’- u shpreh Isa Beha.

Me të ardhurat që merr çdo sezon nga mjalti dhe qumështi i bletës mban familjen prej 5 anëtarësh. Në fshatin Zharrëz ndihmon dhe fermerët e tjerë që kanë koshere bletësh.

‘Kam shumë kërkesa dhe për qumësht blete dhe për mjaltë!’- shprehet ai.

Bletërritësi ka dëshirë ta lë trashëgimi zanatin dhe siç shihet e interesuar është mbesa 12-vjeçare që e shoqëron në punët për mbarështimin e bletëve.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?