Kronikë

Pastruan paratë e mafies, kunati e shoferi i biznesmenit Rezart Taçi lihen në burg! Apeli refuzon lirimin e të dyshuarve, bosi i naftës ende në arrati

2 Dhjetor 2021, 14:45| Përditesimi: 2 Dhjetor 2021, 18:43

  • Share

Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi që Artur Balla dhe Bledar Lilo të qëndrojnë në burg!

Kunatin dhe shoferin e ish-bosit të naftës Rezart Taçi, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit e Korrupsionit po i heton në cilësinë e të dyshuarve si pjesë e grupit kriminal të pastrimit të 18 milion eurove.

Këto para sipas SPAK, i përkasin bosit të Cosa Nostrës Francesco Zummo, ndaj të cilit antimafia italiane ka vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, për llogari të këtij hetimi.  Kujtojmë se gjatë seancës së fundit në GJKKO, Balla dhe Lilo pretenduan se nuk kanë pasur lidhje me paratë dhe se nuk kanë bërë transferta bankare, por vetëm kanë shoqëruar italianin Francesco Zummo.

Ndërkohë vetëm biznesmeni Rezart Taçi është në kërkim dhe SPAK i ka kërkuar Interpolit gjetjen dhe arrestimin e tij.

Ishin përgjimet e SPAK ato që zbuluan përfshirjen e Taçit, ku më 6 tetor 2021 Taçi i thotë Francesco Zummos se paratë ia garantonte me asetet e tij, duke i kërkuar të mos kishte merak, pas hapjes se llogarisë më 18 qershor në Mal të Zi e në Tiranë.

Nga hetimet e SPAK, Artur Balla dhe Beldar Lilo kanë pasur një rol aktiv për të ndihmuar italianët Francesco Zummon dhe ekonomistin Fabio Petruzzella-n, të dy të arrestuar në Itali, të hapnin llogari bankare dhe të bënin transferta parash për pastrimin e tyre. Balla dhe Lilo ndihmonin italianët me lëvizjet e tyre në Shqipëri  dhe bënin transfertat e parave sipas porosive që u jepte Rezart Taçi, i cili është në kërkim.

Sipas dosjes së siguruar nga Report Tv 18.4 milionë euro ishin depozituar nga korriku në një llogari bankare të hapur pranë ‘Alpha bank’ në Tiranë dhe pastaj duhet transferoheshin në Hong-Kong dhe Singapor nëpërmjet një kompanie të Rezart Taçit, po SPAK e ka bllokuar operacionin.

Llogaria ishte në emër të Francesco Zummo me shumën 18.399.996 euro. Ndërsa Taçi do të fitonte 3 milionë euro nga ky operacion, ose 16% e shuma. Shuma vinte nga një bankë në Kantonin zviceran të Ticino dhe ishin pjesa e pasurisë 150 miliona euro te Francesco Zummo ta konfiskuar nga gjykata italiane si te ardhura të Cosa Nostra.

Skema e pastrimit të parave ku ishin përfshirë ish bosi i naftës Rezart Taçi, kunati i tij Artur Balla dhe ish truproja e tij Bledar Lilo, u zbulua nga SPAK pas hetimeve disa mujore.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?