Konstituohet ‘Antikorrupsioni’, opozita bojkot! PS i shtrin dorën: Të punojmë për të ardhmen e vendit, komisioni jo për interesa partiake

14 Qershor, 07:41| Përditesimi: 14 Qershor, 10:50

  • Share

TIRANË- Me mungesën e opozitës, Komisioni i Posaçëm Antikorrupsion u konstitua nën drejtimin e socialistit Fatmir Xhafaj. Ashtu siç kishte paralajmëruar, opozita bojkotoi mbledhjen, por mazhoranca i shtriu dorën e bashkëpunimit dhe i bëri thirrje që të kthehen në tryezë për të punuar për reformat që do çojnë para të ardhmen e vendit.

“Roli i opozitës është tejet i rëndësishëm, pjesëmarrja me rëndësi për qëllimet që do adresojë kjo reformë. I keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për angazhim në këtë komision që buron nga kushtetuta dhe rregullorja e kuvendit.

Ky komision do adresojë çështje me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit, përtej interesit të partive tona,  i shërben forcimit dhe modernizmit të shtetit, të ardhmes së vendit tonë”, tha kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj.

Kryetari Xhafaj u kujdes t’i kujtojë opozitës që të mos bëjë gabimin e vitit 2014, kur bojkotoi disa mbledhje të Komisionit për Reformën në Drejtësi, por më pas u kthyen pasi kuptuan gabimin.

"Kjo situatë me sjell një situatë të ngjashme kur filloi veprimin në 2014 komisioni për reformën në drejtësi, opozita edhe atëherë në 2014, megjithëse e kishte votuar ngritjen nuk mori pjesë në mbledhjen e parë dhe disa të tjera. Reflektuan me vonesë dhe përfshinë më pas. Koha tregoi që kolegët tanë të opozitë gabuan dhe kjo u kushtoi shumë politikisht dhe elektoralisht. Shpresoj që kjo shistori të mos përsëritet dhe shume shpejt ta kemi opozitën mes nesh", u shpreh Xhafaj. 

E pranishme në mbledhje, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla theksoi se ky  Komision nuk është për interesa partiake, ndërsa ministrja Elisa Spiropali i tha opozitës se përtej debateve të përditshme politike, ajo që mbetet është puna e mirë në interes të vendit.

"Komisioni nuk ka asnjë ngarkesë politike apo interes partiak", tha Lindita Nikolla. 

"Vazhdimësia drejt integrimit do të kërkojë plotësimin e reformave. Një nga sfidat kryesore lidhet me domosdoshmërinë për plotësimin e reformave, siç është reforma në drejtësi dhe reformën në administratën publike. Këto masa vijnë si manifestim dhe si besim i joni, se për këtë çështje duhet qasje kombëtare dhe gjithëpërfshirje. Në BE nuk integrohet qeveria, por shteti shqiptar. Dora jonë për deputetët e opozitës, mbetet e shtrirë”, tha Spiropali.

Edhe Xhafaj u kujdes të thonte se puna në vijim do t’u japë përgjigjen spekulantëve që thonë se qëllimi i këtij komisioni është të kapë institucionet e drejtësisë.

“Kur ne të marrim vendimet e para, të ecim me hapat e parë, do u japë përgjigjen e duhur atyre që kanë spekuluar ne dashje apo pa dashje lidhur me qëllimin e këtij komisioni. Deri atëherë duhet të punojmë shumë fort dhe të shohim para”, vijoi Xhafaj.

Në mbyllje të mbledhjes, Xhafaj tha se do t’i drejtohen ftesë për bashkëpunim, shoqërisë civile, shoqatave të biznesit, Dhomës së Avokatisë, ILD, KLSH, INSTAT e institucioneve të tjera, që të propozojnë emrat e ekspertëve me të cilët do të përfaqësohen në komision për të kontribuar me ekspertizën e tyre.

Komisioni ka 11 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 5 nga opozita, por kjo e fundit, të paktën deri tani, vendet e saj i ka lënë bosh. Anëtarët e këtij komisioni janë kryetarët dhe zv.kryetarët e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe ata të Këshillit të Integrimit Evropian.

Objekti i komisionit, sipas projekt-vendimit do të jetë skanimi dhe reformimi i luftës ndaj korrupsionit dhe sundimi i ligjit në funksion të integrimit evropian të vendit. Po ashtu, synimi është që Kuvendi të rrisë rolin e tij mbikëqyrës dhe llogarikërkues ndaj qeverisë, institucioneve të pavarura dhe agjencive ekzekutive ligjzbatuese.

I. Përbërja e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 
1. Fatmir Xhafaj kryetar (PS)
2. Klotida Bushka anëtare (PS)
3. Eduard Shalsi anëtar (PS)
4. Etilda Gjonaj anëtare (PS)
5. Evis Kushi anëtare (PS)
6. Toni Gogu anëtar (PS)
7. Jorida Tabaku anëtare (PD)
8. Dhurata Tyli anëtare (PD)
9. Sorina Kote anëtare (PD)
10. Flutura Açka anëtare (PD)
11. anëtar (PD)
1. Milva Ekonomi anëtare zëvendësues (PS)
2. Erion Braçe anëtar zëvendësues (PS)
3. anëtar zëvendësues (PD)
4. anëtar zëvendësues (PD)

Pr/vendimin për ngritjen e këtij komisioni të Posaçëm antikorrupsion 

Ora 10:07
Mungoi në Komisionin Antikorrupsion, Spiropali: Dora jonë e shtrirë për opozitën! Debatet politike të përditshme, por mbetet puna për forcimin e vendit

Edhe ministrja Elisa Spiropali i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion. Spiropali tha se debatet politike janë të përditshme, por ajo që mbetet është puna për forcimin e vendit.

“Dora jonë për kolegët e opozitës mbetet e shtrirë, debatet politike janë të përditshme, dialogu politik institucional me pushtete të tjera përbëjnë qasje të re dhe të nevojshme për një cikël të ri reformimi demokratizmi dhe forcimi të rolit të vendit, kjo është puna që mbetet”, tha Spiropali.

Ora 09:52
Komisioni Antikorrupsion, Nikolla: Asnjë interes partiak, keqardhje për mungesën e opozitës

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ishte e pranishme në mbledhjen e konstituimit të Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion. Edhe Nikolla shprehur keqardhjen për mungesën e opozitës, duke sqaruar se ky komision nuk ka asnjë ngarkesë politike apo interes partiak.

“Ka një mision të rëndësishëm kombëtar, me përgjegjësinë që kuvendi i ka ngarkuar për kurorëzimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, përmes sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit, komisioni do ketë mbështetjen e plotë të kuvendit dhe timin personal. Komisioni nuk ka asnjë ngarkesë politike apo interes partiak. Duke qenë se është komision gjithëpërfshirës shpreh keqardhjen që opozita nuk është prezentë”, tha Nikolla.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 15/06/2024 01:36

    Nuk eshte spekullim z.Xhafaj,por eshte fakt i shkruar e zeza mbi te bardhe tek pika 7 ku synohet kontrolli i org.te pavarura te drejtesise,pra SPAK,BKH.

    Përgjigju
  • bebni: 14/06/2024 10:53

    ahahaha po pra asnje interesa partia, vec interes shteteror

    Përgjigju
  • herkuli: 14/06/2024 10:16

    Tgjej vend te futet tani korrupsioni nga xhaxhi Miri.

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 14/06/2024 09:47

    Une cuditem perse nuk ka asnje antar ne kete komision nga partia e Tom Doshit.

    Përgjigju
  • asolingo: 14/06/2024 09:31

    E po parlament me njerez te lashte vetem Shqiperia ka,bojkot djegje shkaterrime roga ecen per qejf ka rezik marin dhe bonus kur vene zjarr e djegin(hyne ne punet e veshtira).Dhe delet e PS bejne ndrikullen....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Hapësirat publike në plazhe, sipas jush janë: