Sekuestrohet apartamenti i Ilir Beqajt në Lungomare të Vlorës! Ish-ministri pronar ‘de facto’, e fshehu në emër të shokut! SPAK: Investoi 5 mln lekë, u ble për 6.7 mln lekë

29 Tetor, 14:14| Përditesimi: 29 Tetor, 15:51

  • Share

VLORË- Me vendim të GJKKO, ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj i është sekuestruar një apartament në Lungomare të Vlorës, rreth 166 metër katror në katin e 7-të të një pallati. Ish-ministri, sipas SPAK, e kishte fshehur këtë pasuri në emër të shokut të tij dhe ka qenë pronar ‘de facto’ i kësaj banese, për të cilën pretendonte se nuk ishte e tij.

Më 24 korrik 2024, agjentët e BKH ushtruan kontroll në apartamentin që u sekuestrua dhe sipas SPAK janë gjetur edhe të dhëna me interes për hetimin me abuzimet me fondet e BE në SASPAC, dosje për të cilën Ilir Beqaj ndodhet në burg.

Në vitin 2016, një shok i afërt i Ilir Beqajt, një biznesmen i identifikuar me inicialet I.F., ka lidhur kontratën e pronësisë me firmën ndërtuese dhe ka prenotuar apartamentin në vlerën 6,700,000 lekë të rinj. Një vit pas firmosjes së kësaj kontrate, SPAK thotë se ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit, por jo nga pronari që e bleu me letra, por nga ish-ministri Beqaj dhe bashkëshortja e tij.

Në total ata kanë investuar 5,064,700 të rinj në apartament deri në fillim të vitit 2019. Apartamenti në total është rreth 166 metër katror, sipërfaqe e brendshme 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2. 

Ndërkohë, në shkurt të vitit 2020, Prokuroria e Posaçme thotë se shoku i Beqajt ka nënshkruar një kontratë qiraje për apartamentin me bashkëshorten e Ilir Beqajt. Por, SPAK ka dyshime se e gjithë kjo skemë është përdorur nga ministri për të fshehur origjinën e pronës.

Foto brenda apartamentit të Beqajt që u sekuestrua

Sipas organit të akuzës, Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të apartamentit deri në fillim të vitit 2019, më pas kontrata e qirasë është nënshkruar mes shokut të Beqajt dhe bashkëshortes së ish-ministrit në fillim të vitit 2020. Kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të. 

Aktualisht Ilir Beqaj është në burg për abuzimet me fondet e SASPAC, ndërkohë që edhe në hetim edhe për dosjen e sterilizimit. 

Masat e sigurisë për dosjen SASPAC
Arrest ne burg
1- Ilir Beqaj - Drejtori i SASPAC 
2- Ermal Kurtulaj -   koordinator i projektit EUSAIR 
3- Alfred Nikollaj - drejtori Administrativ i ‘Landways International’
Arrest në shtëpi:
4- Gazmend Haxhia - Pronari i ‘Landways International’ - Nuk është ekzekutuar vendimi
5- Elton Marini - Menaxher futbollistesh  -ortak i shoqërisë private  
Detyrim paraqitje:
6- Bledar Leka 
7- Bjona Zijaj - konsulente financiare 

Njoftimi i plotë i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal me nr. 190, të vitit 2023. Nga tërësia e veprimeve proceduriale të kryera deri në këtë fazë të hetimeve paraprake për llogari të këtij procedimi penal, është identifikuar një pasuri e paluajtshme e llojit apartament banimi me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim Ilir Beqaj. Me vendim gjykate është lejuar kontrolli i kësaj pasurie në muajin korrik të vitit 2024, nga i cili janë përftuar të dhëna me interes për hetimin.  

Kjo pasuri apo shpenzimet/investimet e kryera për mobilimin e saj nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas legjislacionit në fuqi nga personi nën hetim Ilir Beqaj apo personat e lidhur me të.

 Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera rendisim faktet si më poshtë:

-Në vitin 2016, me kontratën e porosisë lidhur mes shoqërisë ndërtuese R…K… shpk dhe shtetasit I.F është prenotuar apartamenti në vlerën 6,700,000 (gjashtë milionë e shtatëqind mijë) lekë.

-Në vitin 2017 ka nisur investimi dhe mobilimi i apartamentit nga ana e personit nën hetim Ilir Beqaj dhe bashkëshortes së tij, proces i cili ka zgjatur deri në fillim të vitit 2019. Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë.

-Në shkurt të vitit 2020 është lidhur kontrata e qerasë mes shtetasit I.F (lidhje e ngushtë shoqërore e I.B) dhe A.B (bashkëshortja e Ilir Beqajt). Pavarësisht këtij fakti ka rezultuar se personi nën hetim Ilir Beqaj dhe familjarët e tij e kanë poseduar lirisht pronën dhe janë sjellë si pronarë të sendit të paluajtshëm deri në fillim të vitit 2019.

Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës. Bazuar në faktet e mësipërme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bazuar në nenin 274 të Kodit të Procedurës Penale ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosjen e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive” ndaj pasurisë së mësipërme.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 539, datë 20.09.2024, ka vendosur:

-Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

-Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme (apartament), me sipërfaqe 90.8 m2, sipërfaqe verande 61.2m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 13.7m2, me vendodhje në Lungomare, Vlorë, si pasuri e lidhur me personin nën hetim Ilir Beqaj

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në bashkëpunim me oficerë të policisë gjyqësore pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë kanë kryer ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gabari: 29/10/2024 18:03

    Kur t'i vini në shitje këto pasuri të konfiskuara për llogari të shtetit, do të gjykoj se nuk po bëni shaka!

    Përgjigju
  • Ildi: 29/10/2024 17:34

    Kaq? Nje apartament ne Vlore? Po hotelin ne dhermi do beni sikur nuk e shikoni? Buze detit I pangopur, anes rruges I panxene, shoke e miqe I sakatosur.... dhe ju merrni vetem me nje apartament. Jeni te gjithe njesoj beni sikur vini drejtesi e talleni me popullin. Bllokoni pronat dhe kompanit qe ka me emer te te tjerve.

    Përgjigju
    • Tani: 12/11/2024 13:54

      edhe hotel paska? pranej vika me shiushe uji me vete!

  • Ndoca: 29/10/2024 15:19

    Merrjani mor tan senet hajvanit. Bjerinimor nkaptin tan qelbsinave politiks ti ky lapurek!

    Përgjigju
  • Klaidi: 29/10/2024 15:16

    Apartamenti 166 m2 ne ate zone nuk e gjen me pak se 320 mije euro (bosh pa aredim) sikur te jesh me fat

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 29/10/2024 15:15

    Ka dhe nje shok tjeter nga Vlora Beqja qe rri ne Washington.

    Përgjigju
    • Alfi: 29/10/2024 15:57

      Kush esht?

  • xXx: 29/10/2024 15:10

    Suksese të mëtejshme o gjeni...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?