Njihuni me bujkun nga Ndroqi që nuk i braktisi tokat! Sinan Lika flet në ‘Një nga Ne’: Po punove arrin diçka

12 Qershor, 20:39| Përditesimi: 12 Qershor, 20:42

  • Share

Tokat e trashëguara nga i ati nuk i ka lënë djerrë, por i ka mbjellë me kultura të ndryshme sipas sezonit.

Për Sinan Likën dita nis herët, pasi i duhet të përshtatet me ritmet e natyrës.

“Këto i kemi toka babe. Kemi qenë nga zona sipër e fshatit Çalabërzezë dhe kemi zbrit nga kodra e kemi ardhur në fushë.

Dita ime nis në orën 6 e gjysmë të mëngjesit. Kam 20 e ca vjet që merrem me bujqësi. Gjatë stinës së verës ngrihemi pak herët, që të mos na zërë vapa dhe bëjmë punët e kohës tek toka dhe tek sera”, tregon për emisionin “Një nga ne” në Report Tv.

Bujqësia është sa sfiduese, aq edhe e bukur kur shikon farat teksa rriten dhe japin frutin.

Nuk ka shpërblim të menjëhershëm. Gjithë investimin e kryer, e merr mbrapsht kur shitet prodhimi. Ndaj shumë e kanë braktisur tokën për shkak të lodhjes nga puna fizike, risqeve dhe përkushtimit që kërkon ky sektor. Por, jo Sinani.

“Bujqësia është pak e lodhshme, por po punove arrin diçka. Nuk ka asnjëherë orar. Kam bërë shkollën e mesme bujqësore në Kamëz. Kemi marrë informacione të vlefshme në atë kohë dhe dimë t'i praktikojmë me kulturat bujqësore që mbjellim tani. Dimë çfarë hamë se e prodhojmë vet.

Kur merr prodhimin dhe lekun jemi të kënaqur se tek leku varet e gjithë puna”, tregon bujku nga Ndroqi.

Tashmë ka përvojën e duhur që nuk e lë të gabojë. Përzgjedh me kujdes farat për mbjelljet e radhës, merret me prashitjen, spërkatjen me plehra kimik, vaditjen dhe vjeljen. Kështu kalon gjithë dita pa u ndjerë.

Koha e lirë mbetet e pakët, por kur mundet bën shëtitje me kalë për të shijuar mrekullitë e natyrës ose për të konsumuar prodhimet bio.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se SPAK do të bëjë drejtësi për 21 janarin?