Nga mënyra e jetesës te lindjet e vona, cilat janë shkaqet e kancerit të gjirit? Onkologu Nina për Report Tv: Spitalet publike të ofrojnë testin gjenetik

19 Tetor, 16:21| Përditesimi: 19 Tetor, 16:31

  • Share

Mesatarisht çdo vit diagnostikohen 750 raste të reja me kancer gjiri në vendin tonë, dhe sipas bluzave të bardha vitet e fundit është vënë re një ulje e moshës së të prekurve. Stili i jetesës dhe lindja e fëmijës së parë në moshë të madhe janë ndër faktorët kryesorë që përmendin mjekët.

“Gjithmonë mund të flasim për ndryshim edhe të mënyrës së jetesës, pra në faktorët riskues që e reduktojnë kur flasim për problematikën e kancerit të gjirit më përpara ka qenë një lindje e hershme, pra femrat duhet të kishin lindje në mosha të herëshme. Aktualishtë gjithmonë lindjet janë në mosha më të larta”, shprehet Drejtori Mjekësor i Onkologjikut Helidon Nina. 

Por cilat janë qarqet që kanë prevalencën më të lartë?

“Qarqet e Korçës, Elbasanit e Beratit më të lartë, dhe më të ulëta Kukës, Shkodër e Vlorë. I referohem të dhënave  të vitit 2023”, shton mjeku Nina.

Veç investimeve dhe shtimit të gamës së medikamenteve për trajtimin e sëmundjeve tumorale, Drejtori Mjekësor i spitalit të Onkologjikut Helidon Nina tha për Report TV që është e domosdoshme edhe shtimi i një ekzaminimi specifik për diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit.

“Kuptohet që gjithmonë e më tepër është parë me vëmendje, pra në sensin edhe të  medikamenteve e të pajisjeve. Vend për përmirësim, patjetër që ka. Një nga ato që thatë ju ccfarë mund të përmirësohet është testi gjenetik një nga elementët, që shërben për diagnostifikimin dhe trajtimin e kancerit”, shprehet mjeku.

Gjatë këtij muaji mamografia ofrohet falas, dhe sipas mjekut Nina mesatarisht në një ditë kryhen rreth 25 mamografi, pa përfshirë ato të planifikuara. E megjithatë sipas specialistëve për moshat mbi 50 vjeç mamografia është e domosdoshme, ndërsa për grupmoshën mbi 35 vjeç është e rekomandueshme.

“Me pacientin do ishte mirë që mjeku të jetë i drejtpërdrejtë, mos të mundohen me modifikuar gjuhën, pasi mund ta bësh në terminologji, por jo duke fshehur një problem që mund të jetë. Sepse pacientin duhet ta kesh aleat për të bashkëpunuar dhe është shumë e rëndësishme të të besoj, vetëm kështu mund t’ia dalësh”, tha Nina.

Tetori rozë i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit është në javën e tretë të aktiviteteve, por edhe mjekët e theksojnë që një muaj nuk mjafton dhe vëmendja duhet të jetë maksimale gjatë gjithë vitit.

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?