Nga imitimi i veshjeve te formula e gatshme e këngës, guximi i Ronelës rebelon muzikantët: RTSH të reflektojë, të mos mbetet ‘peng’ i Eurovizionit

11 Maj 2022, 20:46| Përditesimi: 11 Maj 2022, 21:18

  • Share

Në veriperëndim të Italisë e me solidarizimin për Luftën në Ukrainë, në arenën “Para Olimpico” të Torinos, përfaqësuesit e 17 vendeve të para pjesëmarrëse të Festivalit Erovision Song Contest, prezantuan këngët e tyre. Moskualifikimi i Shqipërisë, në 10 vendet finaliste, kësaj here nuk u prit me befasi, e as u shoqërua me polemikat që shprehin të pakënaqurit për përzgjedhjet gjeopolitike që ndodh të ndikojnë në përcaktimin e fituesve.

Si rrallëherë, qëndrimet e post gjysmëfinales së parë u shoqëruan nga mjaft komente të qytetarëve në vend, emigrantëve e figurave publike me një ndjesi lehtësie që kjo performancë s’do të shkonte më tej, e rebelim ndaj atyre që e përzgjodhën, këngën “Sekret” të Ronela Hajatit, si përfaqësuesen në këtë ngjarje, jo thjesht muzikore, por edhe ekspozuese të kulturave të vendeve...

“Festivali i 60-të, që ishte një festival jubilar e që duhet të shënonte një arritje të përsosur në të gjithë komponentët e saj për mua ishte një dështim”, thotë kompozitori Enver Shëngjergji.

Shumëkush e kishte paralajmëruar, që prej finales e më tej shpalljes së fituesit, se Radio Televizioni Shqiptar dhe juria përzgjedhëse, po deformonte jo thjesht imazhin e Festivalit të Këngës, në 60-vjetorin e tij, por përmes kësaj kënge, po ekspozonte shumëçka veç artit e kulturës.

“Ky është rezultati më i keq që ka arritur Shqipëria dhe këtë e them me bindje të plotë, sepse kjo këngë, nëse mund ta quajmë të tillë, nuk ka as muzikë, as tekst, ka një koreografi por që është shumë vulgare, nuk ka koreografi të mirëfilltë. Pra, në të gjitha aspektet është e mangët, përveç faktit që është denigrues për gjuhën shqipe, sepse ka një dialekt që nuk është as dialekt verior. Është denigrues për muzikën shqiptare, për muzikën që kanë shkruar gjenerata të tëra kompozitorësh. Po të isha në juri nuk do ta kisha pranuar kurrë, dhe ndoshta do të isha tërhequr edhe nga juria nëse shumica do të kishte qenë kundër meje”, thotë pianistja Etrita Ibrahimi.

“Fatkeqësia më e madhe e këtyre 30 vjetëve është se kushdo mund të shkruajë, kushdo mund të kompozojë etj. Tek e fundit është e drejta e secilit që në jetën e tij private çdokush të bëjë çtë dojë. Kur vjen puna në një institucion shtetëror, të një televizioni shtetëror, të një televizioni të mbarëqytetarëve dhe që paguhet e mbahet me taksat e shqiptarëve këtu ndërron ‘davaja’. Këtu nuk kemi të bëjmë më me shije personale. Këtu duhet të kemi parasysh që duhet të mbizotërojë ajo në të cilën zhvillohet ky aktivitet që është sigla RTSH, pra RadioTelevizioniShqiptar”, thotë Shëngjergji...

E gjitha ndodhi, kur Festivali ndonëse me mungesën e shumë emrave “big” të cilët janë ftohur ndaj këtij kompeticioni, kishte elementë që mund të kishin përfaqësuar denjësisht këngën shqiptare.

“Si në të gjitha festivalet e botës ka shumëllojshmëri këngësh, kompozitorësh etj., dhe fare mirë kënga mund të kishte qenë pjesëmarrëse në Festivalin e RTSH, sepse zgjedhjet janë personale. Unë po të kisha qenë drejtori artistik i Festivalit nuk do e kisha pranuar, por ky është mendimi im. Por, ajo këngë mund të ishte pjesëmarrëse në festival por nuk mund të fitonte, sepse kishte materiale më të mira, që mund ta përfaqësonin më mirë Shqipërinë. Ndoshta mund të mos kualifikoheshin për në finale, kjo nuk ka asnjë rëndësi ,por aman nuk do të denigronin imazhin e Shqipërisë dhe të kulturës shqiptare”, thotë Ibrahimi, vajza e kompozitorit Feim Ibrahimi.

“Personalisht nëse do të isha unë që do të përzgjidhja kënga “E jemja nuse’, e kënduar nga Rezarta Smaja, për mua ishte një model mjaft i suksesshëm i atij Festivali. Mua më vjen shumë keq, që të gjitha këngët e festivalit bëhen një lloj kurbani për në Eurovizion”, thotë etnomuzikologia Mikaela Minga.

“Për këngëtaren nuk mund të them asgjë! Ajo ashtu diti, ashtu këndoi. Por është e pafalshme, që juria, mes të cilëve ishin dhe dy miq të mi krijues kompozitorë, ranë në nivel duke bërë seleksionimin dhe duke vendosur në vend të parë këtë këngë që nuk përfaqëson asgjë”, thotë Shëngjergji.

Tendenca për të imituar, u perceptua lehtësisht që me vënien e parë në skenë të këngës fituese, të shkruar e kompozuar nga vetë Hajati. Kënga, por edhe performanca kishte një lloj ngjashmërie me këngën “Wild dances” të këngëtares ukrainase Ruslana, fituese e Eurosong në vitin 2004.

“Aty janë implementuar disa formula të gatshme të këngës, si elementi etnonacional, përpjekja për të rimarrë në këngë disa karakteristika të shprehjeve tradicionale që ne kemi, por që sipas meje, nuk kanë arritur të jenë të suksesshme apo të godasin”, thotë Minga.

Por, kjo qe një tendencë, u pasua edhe në komponentët e tjerë gjatë prezantimit në Eurovizion. Veshja pompoze e daljes mediatike të Hajatit, e siguruar nga stilisti Niko Komani, fillimisht risolli stilin e kostumografes së çmimit OSCAR, Eiko Ishioka, e më tej stilistin brazilian Pedro Leopoldo. Por jo vetëm kaq, koncepti i këtij produksioni për të shpënë në Eurosong elementë që mund të tërheqin vëmendjen edhe mund të afronin një publik sa më të gjerë u vërejt edhe nga ‘loja’ me elementë si homoseksualiteti, që siç vënë në dukje muzikantët munguan gjatë garës së Festivalit e madje edhe në videoklipin zyrtar. Mes këtyre ingredientëve sa realë edhe në funksion të shfaqjes, u vlerësuan në rrjetet sociale, qëndrimet e këngëtares kundër bullizmit të personave mbipeshë... Elementë këto që arritën të siguronin klikimet e mediave sociale... Por, në fund, pati shumëçka, veç “Bukurisë së tingullit” që kërkonte tema e këtij edicioni të Eurosong.

“Kjo këngë nuk ka asnjë lajkomotiv shqiptar. Nuk ka asnjë tekst, mbi të cilin ti mund të fitosh, dhe ajo që të bën të vësh duart në kokë, është paraqitja vizuale. Është e pa tolerueshme”, thotë Shëngjergji.

Në trokitjet e memories së Shqipërisë në Eurosong, muzikantët e studiuesit sjellin në vëmendje se Shqipëria e Festivali i Këngës ka pasur edhe momente suksesi të prezantimit të saj...

“Eurovizioni, ka treguar se jo gjithmonë ka vlerësuar këngën që në prizmin tim ka qenë e veçantë. Unë kam vlerësuar sidomos ata që kanë qenë interpretues të mirë, por edhe që kanë dhënë një lloj performance. Pa dyshim i preferuari im ka qenë Eugent Bushpepa, më pas Rona Nishliu që po ashtu solli një version shumë origjinal. Hersi Matmuja ka pasur një zë të veçantë... Unë kam pasur të përzgjedhurit e mi, por që ajo që do sugjeroja është të mos ndjekim formulat në përzgjedhjen e një kënge e të jemi disi më origjinal në atë çka mund të përfaqësojë kënga shqiptare në Eurovizion”, thotë Minga.

“Personalisht kam vlerësuar shumë këngën ‘Ktheju tokës” të Eriona Rushitit. Edhe Anjeza Shahini e ka përfaqësuar mirë Shqipërinë, si dhe Rona Nishliu dhe Eugent Bushpepa. Pak rëndësi ka nëse kanë arritur apo jo në finale, por ajo që mbetet është përfaqësimi dinjitoz i Shqipërisë me atë këngë”, thotë Ibrahimi.

Në kërkim të artit, kulturës e prestigjit të Festivalit të Këngës, s’mbetet veçse të shpresohet, se ky bumerang reagimesh deri edhe nga mediet e huaja, të nxisë tek drejtuesit e Festivalit dhe jurisë që do të përzgjidhet refleksion.

“Për mua Festivali i Këngës mbetet një nga institucionet më të rëndësishme i muzikës shqiptare. Dhe do të doja të mos mbetej peng i Euroviozionit, por të mund të përcillte kërkimin mbi këngën e lehtë në paraqitjet e tij. Pra, të mund të gjente një lloj ekuilibri mbi atë çka mund të jetë e suksesshme në Eurovizion, por edhe mbi realitetin e këngës së lehtë sot. Mbi prurjet, refleksionet që ka, dhe artistë të talentuar ka shumë”, thotë Minga.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • LA GRANDE CAZZATA: 11/05/2022 23:12

    Të paktën Ronela do hyjë në historinë e përfaqësuesve të RTSH në Eurovizion, sepse deri tani ka performancën dhe paraqitjen më të keqe nga të gjithë përfaqësuesit tanë deri më sot. Nuk është e lehtë të jesh më e keqja, apo më skandalja. Do kurajo, do culo, injorancë, mendelehtësi, paturpësi, etj. Secili gjen mënyrën e vet për të hyrë në histori. Bravo Ronela! U tunde, u shkunde, fërkove ducin, ulërite, këndove një gjasme këngë, u veshe si mos më keq, i bëre merdën Eurovizionit dhe besimit për të na përfaqësuar denjësisht, nuk hyre as në finale, por hyre në histori! Gjeniale!!! Shënim:1-Ardit Çuni i BBVIP ishte ai aty me stafin e Ronelës? Nëse po, çdo ai? Apo pjesë e LGBT bashkë me atë balerinin me taka grash?

    Përgjigju
  • sali: 11/05/2022 23:10

    Tallavaja kosovare shkateroi muziken e lehte shqiptare

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?