Ilir Meta ne aktivitetin sot ne Presidence

Nën petkun e Kuranit, Meta pret në Presidencë lobuesin amerikan pas akuzave të gazetës austriake

24 Maj 2022, 22:08| Përditesimi: 24 Maj 2022, 22:13

  • Share

Presidenca shpërndau këtë të martë një njoftim, sipas të cilit ishte përkthyer në shqip libri “Kuran – me referenca nga Bibla; Një kuptim bashkëkohor” me autorët amerikanë Safi Kaskasi dhe David Hungerford. Përurimi i këtij libri mbërrin pak ditë pasi gazeta austriake, “Kronen Zeitung” publikoi një artikull ku e cilësonte Presidentit Ilir Meta si ‘thellësisht të korruptuar’ dhe ngrinte dyshime për burimet financiare të lobimeve në SHBA.

Cila është lidhja mes librit dhe autorëve të këtij libri me artikullin e gazetës austriake? Është e thjeshtë. Safi Kaskasi është një ndër lobuesit më të mëdhenj pranë Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit në SHBA.

Mbërritja e tij në Shqipëri në këtë periudhë ngre dyshime të qenësishme se nuk ka bërë mijëra kilometra vetëm për të përuruar përkthimin e një libri. Meta dhe Kryemadhi e kanë takuar, të paktën publikisht, në korrik të vitit të kaluar, gjatë një vizite private në SHBA.

As Presidenti dhe as kryetarja e LSI-së nuk e bënë publike këtë takim, por vetë Safi Kaskasi e publikoi në Facebook.

“Unë dhe gruaja ime u vizituam këtë mëngjes nga Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij Ilir Meta dhe gruaja e tij Monika Kryemadhi. Ne u dhuruam atyre një kopje të librit tim Kur’ani me Referencat në Bibël. Zonja e Parë e Shqipërisë e donte librin dhe u angazhua për ta përkthyer atë në shqip me një grup studiuesish. Na ftuan që t’i vizitojmë ata në Shqipëri për të festuar përkthimin e librit në shqip”, shkroi Kaskas.

Kush është Safi Kaskas?

Sipas CV-së që gjendet në internet, Safi Kaskas është amerikano-libanez dhe lobist i njohur që operon në SHBA  dhe Arabinë Saudite. Kaskas ka një veprimtari të pasur lobimi në Uashington dhe konsiderohet si një prej personave “më të dashur” atje.

Safi Kaskas e përshkruan veten si menaxher ekzekutiv dhe strateg politik me mbi 40 vjet përvojë me bazë të gjerë në planifikim, udhëheqje dhe etikën e biznesit, me një theks në menaxhimin strategjik në korporatat dhe botët akademike.

Ai është bashkëthemelues i Universitetit East West në Chicago, Illinois dhe u zgjodh si president i bordit të tij të drejtorëve nga 1979 në 2005. Vazhdon të shërbejë si anëtar i bordit të drejtorëve të Universitetit. Si themelues dhe president i Strategjisë së Menaxhimit të Edge Strategic, Kaskas ndihmoi shumë korporata të nivelit të mesëm dhe të madh në zgjerimin e portofolave të tyre falë edhe lobimit në Uashington.

Vizita e lobistit u paraqit si event për promovimin e një libri, por nuk ka asnjë dyshim që lidhet me rolin e zotit Kaskas si lobist. Meta është shqetësuar nga shkrimi i gazetës më të madhe austriake dhe nuk përjashtohet nisja e një historie tjetër të fshehtë lobimi, kur jo pak është folur se pas lënies së mandatit Ilir Meta do të shpallet ‘non grata’ nga SHBA./ VOXNEWS.AL

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?