Dosja 'Babale'! Pamjet e turpshme, Salianji në Apel me grup deputetësh demokratë presion gjyqtarëve para vendimit! Prokurori kërkon 1 vit burg, avokatët pafajësi! Gjykata vendos më 26 shtator

20 Shtator, 10:42| Përditesimi: 26 Shtator, 07:48

  • Share

Tiranë- Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji zgjodhi të paraqitej sot në Gjykatën e Apelit i shoqëruar me një 'taborë' deputetësh demokratë, në seancën ku u dhanë konkluzionet përfundimtare lidhur me dosjen e njohur si "Babale" ku ai akuzohet për "kallëzim të rremë'. 

Në konkluzionet përfundimtare Salianji dhe avokatët kundërshtojnë dënimin me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për këtë akuzë ndërkohë prokuroria kërkon lënien në fuqi të këtij dënimi. Ndërkohë trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala, Elona Toro Iliba Bezati për shkak të dosjes voluminoze do ta shpallë vendimin në 26 shtator ora 13:00.

Pak pasi doli nga seanca në Apel, deputeti Salianji sulmoi hapur dhe publikisht Drejtësinë, duke i kërcënuar me padi dhe madje quajtur 'kalbësira morale'.

"Këta janë kalbësira morale, që për para shesin gjithçka dhe për interes publik bëjnë gjithçka", tha ai, duke shtuar se "ka frikë vetëm Zotin" tha ai për gazetarët. 

Deputetët demokratë 'truproja' të Salianjit
Por pamjet e mëngjesit të sotëm, ishin skena të turpshme. Për shumë kënd rikujton skenat e gjyqit të '21 janarit', atëherë kur në seancën e fundit kur pritej të jepej dënimi për shefin e gardës Ndrea Prendi për vrasjen e 4 protestuesve, salla ishte mbushur plot me gardistë si presion ndaj trupit gjykues që do të jepte vendimin. 

11 vjet më vonë, pamjet ripërsëriten si deja-vu. Këtë herë Salianjin e mbron një grup deputetësh parlamentar të PD-së, të cilët u rreshtuan për të mbrojtur kolegun deputet, dhe për ti bërë presion gjyqtarëve që pritet brenda orësh të komunikojnë dënimin për inskenimin e “Babales”.

Krah Salianjit ndodhen prej mëngjesit 15 deputetë demokratë: Ferdinad Xhaferi, Emilja Koliqi, Saimir Korreshi, Elda Hoti, Agron Gjekmarkaj, Lefter Gështenja, Bledian Nallbati, Dhurata Çupi, Luan Baçi, Gazmend Bardhi, Luçiano Boçi, Ludovik Hasani, Kastrioti Piroli, Dashnor Sula, Asllan Dogjani.

Çfarë kërkon Salianji dhe të tjerët?
Salianji kundërshton dënimin me 1 vit burg, i dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor 2019, për akuzën e "kallëzimit të rremë". Të njëjtën gjë pretendoi edhe Indrit Sefa, avokati i gazetarit të dënuar Jetmir Olldashi, i cili u shpreh që "ose të jepet pafajësi, ose të riçelet procesi gjyqësor, sepse provat janë të pabaza".  Në konkluzionet përfundimtare prokurori i cështjes kërkoi lënien në fuqi të dënimit me 1 vit burg për Salianjin ndërsa avokati kërkoi pafajësi.

Deputetet PD në sallën e gjyqit me Salianjin
 1- Ferdinad Xhaferi
 2- Emilja Koliqi
 3- Saimir Korreshi
 4- Elda Hoti
 5- Agron Gjekmarkaj
 6- Lefter Gështenja
 7- Bledian Nallbati
 8- Dhurata Çupi
 9- Luan Baçi
10- Gazmend Bardhi
11- Luçiano Boçi
12- Ludovik Hasani
13- Kastrioti Piroli
14- Dashnor Sula
15- Asllan Dogjani

Çfarë ndodhi gjatë ditës në seancë?

Deputeti Ervin Salianji, në fjalën e tij mbrojtëse pretendoi se "nuk kishte bërë kallëzim të rremë" dhe se gjithnjë ka bërë denoncime ndaj njerëzve të pushtetit, duke vënë në dukje se po ashtu "gjithnjë i kam fituar gjyqet". Ai pretendoi pafajësi dhe se dënimi ka qenë me prapavijë politike.

Ligjvënësi demokrat u shpreh se ai nuk hynte farë në këtë proces, pasi denoncimi i tij lidhej me dënimin që Geron Xhafa kishte marrë në Itali për drogë. për rastin "Babale" ai tha se e kanë marrë përsipër tre të tjerët se e kanë bërë.

Në të njëjtin proces ankimimi janë edhe gazetari Jetmir Olldashi, po i dënuar dhe Fredi Alizoti. Kurse Albert Veliu (i thirrur Babalja dhe që inskenoi audio-përgjimin me vëllanë e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj), i cili u kap për ekstradim në Belgjikë pas arratisë, gjykata ka dhënë 3 vite burgim për dosjen "Babale" dhe kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme.

Gjykata u tërhoq për vendim për kerkesën e bërë nga Fredi Alizoti, i cili tha se tërhiqet nga kërkesa për apelimin e vendimit te shkallës së parë, pasi e ka kryer dënimin. Gjykata u tërhoq për te vendosur nëse do shprehet tani apo nëse në perfundim të procesit.

Procesi vijoi me fjalën e Indrit Sefa, avokati i Jetmir Olldashit, që lexoi 63 faqe.

"Ky vendim është në kundërshtim të hapur me kodin e procedures penale. Janë prova të paadministruara, vetëm ai që ka dhënë vendimin e di se ku i ka gjetur provat. Për të marrë vendimin, gjykata nuk mund të marrë prova të reja, përveç atyre që janë paraqitur në shqyrtim gjyqësor. E kuptojmë që gjykata ka evoluar dhe merr si provë edhe ato qe dëgjon në televizor. Ky nuk është rasti i parë", tha ai.

Mbrojtësi ligjor pretendoi se nuk janë lexuar procesverbalet dhe nuk janë administruar në procin gjyqsor.

"Ne i kemi kërkuar gjykatës të administrohen dhe kërkesa jonë është rrezuar për leximin e procesverbaleve. Nuk u lexuan deklarimet e Albert Veliut. Prokuroria kërkoi marrjen në pyetje te viktimës, Geron Xhafa. Ne kërkuam po ashtu marrjen e tij në pyetje. Gjykata revokoi vendimin e vet për marrjen në pyetje te viktimës. Nuk e di bazën ligjore ku mund të jetë. Mbase nuk lexojmë të njëjtin kod si gjykata", tha Sefa.

Dhe më tej ai parashtroi kërkesën:

"Ne kemi kërkesë që gjykata të riçelë hetimin gjyqsor. Duhet të revokojë te gjitha vendimet e ndërmjetme, që janë te pabazuara në ligj. Kërkojmë pafajësinë ose riçeljen e procesit. Na janë cënuar të drejtat kushtetuese", u shpreh avokati.

Materiali i avokatit ka qenë i gjatë dhe Gjykata kërkoi që ta përshpejtonte me afat të caktuar. Në vijim u morën 10 minuta pushim për të rinisur dëgjimin e palës së deputetit Ervin Salianji, nëpërmjet avokatit të tij. Salla ka qenë e tejmbushur dhe Gjykata sipas raportimit të gazetares së Report TV, Keti Banushi, ka tërhequr disa herë vëmendjen, pasi ka pasur edhe prezencë të madhe të deputetëve opozitarë.

Çfarë është dosja 'Babale'

Çështja e skandalit të inskenuar “Babale” plasi më 14 Maj të vitit 2018 nga selia e PD-së në Tiranë, në një konferencë për shtyp ku dolën Ervin Salianji, Enkelejd Alibej dhe Gazment Bardhi, duke denoncuar atë që e quajtën “audio-përgjim ku implikohej në trafik droge Geron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj”.

Përgjimet me stilolaps pretendoheshin se ishin bërë nga Albert Veliu (Babalja), kunati i tij Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi, në prill të atij viti, në një lokal në Vlorë.
Prokuroria Tiranë dhe Gjykata e shkallës së parë konkluduan se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit, duke i dënuar. 
Vendimi u mor më 18 Dhjetor 2019 nga gjyqtari Artan Gjermeni, konkretisht:

Deputeti Ervin Salianji u dënua me 1 vit burgim. Albert Veliu, njohur si Babalja, u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, Alfred Alizoti me 2 vite burgim, dënim që pretendon se e ka mbaruar, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim zëvendësohet me 100 orë pune. Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku sot po mbahen edhe konkluzionet e palëve dhe zvarritet prej më shumë se 4 vitesh. Ndërsa gjykata e Apelit duke patur parasysh që dosja është volumunize do ta shpallë vendimin në 26 shtator ora 13:00

Ora 14:48
Dosja 'Babale' në Apel/ Salianji sulmon drejtësinë para vendimit: Kalbësira morale! Do padis gjyqtarin, Xhafën e të tjerët! Kam frikë vetëm Zotin

Teksa nuk i mjaftoi shpura me deputetë të opozitës që kishte marrë pas për mbrojtje dhe intimidim të dukshëm psikologjik ndaj trupës gjykuese, deputeti demokrat Ervin Salianji, nuk u kursye aspak edhe vetë pasi doli nga seanca, duke sulmuar hapur Drejtësinë për dënimin që i kishte dhënë në shkallën e parë dhe qartazi duke i bërë presion para vendimit Gjykatës së Apelit Tiranë, e që do jepet më 26 Shtator.

Ligjvënësi i PD dha prononcim sot (20 Shtator) pas daljes nga Gjykata, ku u dëgjuan konkluzionet e palëve, para se të shpallet vendimi. Seanca u shty (26 Shtator, në orën 13:00), për shkak të dosjes voluminoze.

Salianji teksa mbrojti pafajësinë e tij dhe se ishte dënuar padrejtësisht me mungesë provash dhe se s’kishte bërë as kallëzim të rremë, as krim dhe as çështje penale.

Ai deklaroi se do e ndiqtë çështjen edhe më tej, se “do e demontonte”. Salianji u shpreh se do bënte edhe kallëzim në SPAK për këtë dosje, ndaj gjyqtarit Artan Gjermeni që dha vendimin në shkallën e parë dhe që e quajti “shërbëtor të bandës së Lushnjës”, ndaj Fatmir Xhafës që sipas tij e zë ligji Antimafia, pasi ka vëllanë e dënuar për drogë në Itali dhe të gjithë të tjerëve.

“Do depozitojmë kallëzim për këtë çështje, për Fatmir Xhafën si subjekt i Ligjit Antimafia, për gjyqtarin e çështjes dhe të tjerët. Fatmir Xhafa nuk po hetohet. Çfarë e pengon të SPAK që të hetojë Fatmir Xhafën, që ka vëllanë të dënuar për drogë në Itali. Apo e pengojnë kullat e ndërtuara dhe aksionet në një prej bankave të nivelit të dytë. Do i denoncojmë të gjitha, se i kemi. Do t’i demontoj në çdo lloj forme”, tha Salianji.

Pyetjes së gazetarëve nëse ka frikë nga dënimi, deputeti i PD iu përgjigj se “nuk kam frik askënd, përveç Zotit”. Teksa sfidoi drejtësinë se nëse jepte vetëm një provë apo dokument se ai ka bërë kallëzim të rremë, do përballej me ta. Salianji këmbënguli se nuk i njeh as Alfred Alizotin dhe as Albert Veliun, e thirrur Babalja. Gjithashtu pretendoi për “dënim të falsifikuar ndaj tij”, pasi nuk ekzistonte asnjë provë dhe për më tepër se nuk po hetohej e gjykohej nga SPAK, por nga Prokuroria dhe Gjykata e Tiranës.

Salianji tha se audio-përgjimi është bërë në Janar, kurse prokurori e solli në 24 tetor, teksa shprehu dyshime edhe për ekspertimin e zërit të Geron Xhafës.

“Unë kam denoncuar një trafikant droge, dhe do vijoj të denoncoj publikisht sepse ky është qëllimi im, të rrëzoj qeverinë. Pasi e denoncova, ai shkoi me këmbët e tij u dorëzua në Romë, në burg”, tha ai.

Gjithashtu sulmoi edhe avokatin e Xhafës, Ardian Vishaj, duke kujtuar se dikur kur punonte te Marrëdhëniet me Jashtë në Prokurori të Përgjithshme e mbrojti nga dënimi i Italisë, kurse tani e mbron nga audio-përgjimi, teksa i kujtoi edhe “çështjet që mbron për qeveritarët socialistë apo ministrat e akuzuar”.

Ai nuk kurseu as drejtësinë dhe Prokurorinë, teksa i quajti bashkë me të tjerët si "kalësira morale".

“Avokati i palës nxjerr termin babale. Këta e kanë babalizuar Shqipërinë me drogë. Alizoti paguhej nga drejtorët e policisë, ka dalë në përgjime. Prokurori nuk dha asnjë provë. Sot një tjetër damkë nga i dënuari për drogë. Unë në gjyq se kam dëmtuar reputacionin e një trafikanti droge, tha prokuroria. Unë këtë punë kam, se jam interesit publik për rrëzimin e qeverisë dhe do ta bëj prapë.

Këta janë kalbësira morale, që për para shesin gjithçka dhe për interes publik bëjnë gjithçka. Ose janë të paaftë, ose siç duket institucionet e drejtësisë kanë bërë gjueti për të mbyllur gojën. Vendim i falsifikuar dhe i fshehtë. Gjermeni del përgjimet e Prokurorisë së Torinos si shërbëtor i Enver Dondollakut e Aldo Bares , të Bandës së Lushnjës. S’kam frikë nga asgjë përveç Zotit. Frikën s’e njoh, krimi i vetëm se denoncova vëllanë e ish-ministrit për drogë”, tha deputeti.

Ora 13:52
Dosja 'Babale' në Apel, jepen konkluzionet përfundimtare/ Prokuroria kërkon dënimin e Salianjit me 1 vit burg, avokatët pafajësi

Në gjykatën e Apelit po jepen konkluzionet përfundimtare lidhur me dosjen 'Babale'

Prokurori  i Apelit Arben Qosja  kërkon të ngelet në fuqi vendimin e shkallës së parë si i mbështetur në prova dhe në ligj për deputetin demokrat Ervin Salianji, avokatët pafajësi.

Prokurori Arben Qosja: I qëndroj vendimit që është dhënë nga gjykata e shkallës së parë. Vleresoj që shkaqet procedurale që ngritën ankim dy të pandehurit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, nuk janë shkaqe që mbeshteten në ligjin procedural penal. Shkeljet e pretendeuara prej tyre nuk qëndrojnë. Në tërësine e tyre, nuk evidentohen shkelje të ligjit procedural penal. Thelbi është që ka një përgjim, momentin e regjistrimit. Në tërësinë e provave dhe duke vleresuar marrëdhëniet që kanë patur personat me njeri-tjetein dhe nga të gjktha provat e tjera, cka tregojne se kanë njohje me njeri tjetrin. Vlerësoj që vendimi i shkallës se parë eshtë i drejtë. K kerkoj gjykatës së apelit lënien në fuqi të kerij vendimi.

Avokati i Ervin Salianjit, Ledio Braho : Nuk është provuar asnjëherë qe Ervin Salianji kishte dijeni. Fakti që nuk kishte dijeni, nuk provon të kete konsumuar elementë të veprës penale. Nuk e kemi të qartë as sot dinamikën e ngjarjes. Si mund ta dënosh me 1 vit burg, kur nuk ka prova. Kërkojmë ndryshimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe shpalljen të pafajshëm te Salianjit

Avokati i Ervin Salianjit, Redi Ramaj: I kërkojmë këtij trupi gjykues të prishet vendimi i Shkallës së Parë dhe të shpallet i pafajshëm klienti i mbrojtur prej nesh.

Kurse Ardian Vishaj, avokati i Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafa, aktualisht deputet i PS, u shpreh:

“Është e drejta e Salianjit të perceptojë si të dojë, kur thotë që kam mbrojtur politikanët e korruptuar. Unë nuk kam gjetur dot është përdorur Salianji nga Babalja apo Babalja nga Salianji. Kjo gjëagjëzë është e vështirë. Ka dondollak dhe dondollakesh më të madhe se Babalizimi i kësaj çështjeje? Nga pikëpamja teknike është shumtë e vështirë identifikimi i zërit regjistrues. Shumë e vështirë. Privatisht mora një ekspert për të identifikuar zërin, një ekspert italian. Ekspertimi u bë informal. Është eksperti që është përdorur edhe nga Berluksoni. Në vitin 2018 ky zotëria (i drejtohet Gazmend Bardhit), ka qenë ministër Drejtësie.

Ndërhyn Salianji: Të dalë në media dhe t’i thotë keto. (ngre tonet)

(Ngre tonet edhe Gazmend Bardhi)

Visha: Nuk më jep asnjë kënaqësi të shoh pas hekurave asnjë politikan dhe aq më shumë një të zgjedhur. Zërin e kemi dhënë në Prokurorinë e Tiranës, kanë qenë 6 veta prezent. Është e vërtetuar si janë dhënë mostrat e zërit të Geron Xhafës. Kërkoj lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë.

Salianji: U tha që çështja u Babalizua. E kanë babalizuar Shqipërinë Geroni, vëllai i Geronit dhe parafolësi (i referohet Ardian Vishës). Tha që këta persona na kanë sjellë rrotull, atherë ku hyj unë që kam bërë kallezim të rremë? Është kalbësirë kokë e këmbë.

Ora 12:44
Salianji: S’kam bërë kallëzim të rremë, i kam fituar të gjitha gjyqet! Ç’hyj unë në këtë proces? Një avokat ofroi USB-në, unë denoncova Xhafën e dënuar

Deputeti Ervin Salianji i ka qëndruar pretendimit të tij të pafajësisë në konkluzionet që jep në Gjykatën e Apelit, pasi shkalla e parë e ka dënuar me 1 vit burg për dosjen “Babale”.

Ai pretendoi se kallëzimi i tij nuk ishte i rremë, duke kërkuar pafajësinë. Ligjvënësi demokrat tha se i kishte fituar gjyqet e mëparshme dhe se kishte denoncuar aferat e njerëzve të pushtetit.

Ai pretendoi se Alizoti, Veliu dhe Olldashi thonë se e kanë bërë ata kallëzimin, teksa në gjyq gjendet ai vetëm pse e tha publikisht. Salianji u shpreh se kishte denoncuar faktin se vëllai i ish-ministrit Xhafa ishte i dënuar në Itali për drogë dhe se autoritetet këtu nuk e zbatonin.

Ai përmendi edhe emrin e një avokati për të cilin tha se ka dorëzuar audio-përgjimin me zë dhe që sipas tij “sot mbron ministra të pushtetit dhe madje Geron Xhafën, vëllanë e ish-ministrit”, por pa i përmendur emrin.

Në fund Salianji u shpreh se të gjithë prokurorët, gjyqtarët dhe policët e përmendur te çështja e denoncuar e audio-përgjimit dhe rastit të Geron Xhafës janë të shkarkuar.

Fjala e Salianjit në Gjykatën e Apelit:

“Në funksionin tim si deputet dhe sekretar kam bërë denoncime të ndryshme në lidhje me funksionarë të lartë, për Arben Ndoka, Agron Cara, Flamur Bibe, Damian Gjiknuri, Erion Veliaj, Saimir Tahiri, Geron Xhafa, Artur Hushi, Ervin Rroshi, Vangjush Dako, Safet Gjici, Pjerin Ndreu dhe kështu me radhë. Të gjitha këto çështje kanë qenë të denoncuara prej meje dhe të çuara në gjykatë. Të gjitha çështjet që kanë pasur në çdo gjykatë janë fituar. Në vitin 2017 kemi nisur një denoncim për ish-ministrin e Drejtësisë dhe deputetin e PS tanimë, që kishte favorizuar që vëllai i vetë me këto dy emra, i dënuar për trafik lëndësh narkotike, i qenka dënuar reputacioni. Ne kemi nxjerrë dokumentin gjyqësor të gjykatës italiane, ku kemi thënë ky njeri ka dënim, ndërkohë vëllai është ministër i Brendshëm. Siç e dëgjuat nga avokati i gazetarit, ai thotë e kam bërë unë. Albert Veliu thotë e kam bërë unë. Ku hyj unë këtu? Si hyj unë këtu? E para nuk ka kallëzim. Ç’është kjo vepër kallëzim publik? Pa diskutim që unë këtë do e bëj 1000 herë dhe kur të dal nga kjo.

Ka email-e që vërtetojnë që në këtë audio-përgjim e kemi pasur në tetor 2017. Denoncimi është bërë në 4 Maj 2018, në orën 11:00. Për tre dite me radhë pati heshtje nga ministri dhe vëllai i vet dhe heshtje nga prokurorët. Zero reagim. Nëse një njeri preket në mënyrë të padrejtë, del dhe thotë nuk jam unë personi i denoncuar me zë. Se ajo është me zë. Ky zotëri denoncohet në orën 11:00, dhe pavarësisht dënimit të tij me burg, shkon me influencën e vëllait të tij dhe vetëdorëzohet. Prova që është ngritur e gjithë kjo “farsë” është gjë zëri i Agron apo Geron Xhafa ka ardhur me USB, nga një avokat që tani mbron të gjithë ministrat e korruptuar. Ndërkohë kur ka qenë në prokurori, e ka ndihmuar qe t’i shmanget dënimit. Ka një lidhje me shumë se klient-avokat.

Albert Veliun dhe Alfred Alizotin unë nuk i kam njohur kurrë. Si e kam bërë unë një kallëzim të rremë, kur ata thonë që e kanë bërë vetë. Si ka mundësi që Alizoti nuk ka asnjë komunikim me mua, zero asnjë koktakt. Alizoti urdhëron drejtorin e policisë së Fierit me sill paratë se jam me shefin këtu. Alizoti urdhëron drejtorët e policisë së qarqeve. Drejtori i policisë Andon Marku i jep para këtij. Të gjithë këta prokurorët dhe gjyqtarët janë të gjithë të shkarkuar. Kulluri dhe Osmani u shkarkuan. Kol Hysenaj po ashtu.

Artan Gjermeni ka dalë në përgjimet e prokurorisë italiane si “zar” dhe “ushtar” i bandës së Lushnjës. Ky është trafikant droge dhe mbron trafikantët. Jam unë këtu dhe nuk ka hetim për Fatmir Xhafën që e ka vëllanë trafikant droge”.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Muli: 21/09/2024 13:54

    Me Keta Mashtrues Si Babalja Nuk Ja Vlen Qe Te Meresh As Me Ata Qe I Thone Vetes Deputet Qe Vetem Deputet Nuk Jane Lereni Drejtesin Te Flas Dhe Po Deshet Pastaj Shkoni E Bejni Serenat Ne Burg Turp Te Keni Megjith Se Turpin E keni Ngrene Me Buk Si Babaj Juaj Sali Kerma

    Përgjigju
  • Iris: 21/09/2024 01:31

    Faji eshte i gjykatesve.Duhet te kishin urdheruar zbrazjen e salles,duke lene vetem familjen,ose po te ishte e nevojshme,as edhe ata.Keto jane praktika qe zbatohen ne gjithe boten,nuk ka nevoje qe dikush te beje /Tarzanin/ ne salle,qe te mos i lejohet qendrimi.Edhe prania e heshtur,/e rregullt/,po te jete bere me synim intimidues,si ne rastin e ketij,apo N.Prendit,mjafton per te dhene arsye ligjore te justifikueshme per te urdheruar zbrazjen e salles.Dhe Salianjke,ato komentet per /kalbesira morale qe shesin e bejne gjithecka per para e interes publik/,je i sigurte qe i ke per njerezit e drejtesise,se nga pershkrimi duket sikur i ke bere per veten?! I pershtaten karakterit tend 100 %!

    Përgjigju
  • Linda: 20/09/2024 21:12

    Salianjin e zgjodhi opozita si kryetar komisioni e zgjodhi dhe kanditat ne Elbasan akoma pa mbaruar mire problemet e zvarritura me drejtesin! E degjuam sot kete palacoku cirku kete harbut te shaj e te kercenoj ne dyert e gjykates!! A e duhet Salianji mbas dites se sotme te mbaj mandatin e deputetit???

    Përgjigju
  • Ethem Lalaj: 20/09/2024 19:33

    Për SALIANIN(Babalen) është seanca e 15 e gjyqit të dështuar nga DREJTËSIA E TREDHUR E SB 92. -Ky SHPIFS që është dënuar 1 vit burg për deklarim të rremë..akuza duhej për SHPIFJE..qëllimi për ta lehtësuar..! -Nëse gjykata do kishte në mëndje ta dënonte DUHET TI KISHTE KËRKUAR HEQJEN E IMUNITETIT. -Ky dhe SEKTI PD me në krye NON GRATËN NË MOTO KAN SHPIFJEN QË NGA 1991. -Fakti që ky me porosi të Sb,Lb i paguan 200.000 € babales që sajoi zërin e G.Xhafës dhe e përcollën në MIGRIM..tregon MASHTRIMIN E MADH TË DREJTËSISË & OPINIONIT..! -Shpifja BABALE kërkonte të RRËZONTE QEVERINË RAMA NGA PUSHTETI,METODË E SB KUNDRA MINISTRAVE TË BRËNDSHËM PËR DESTABILIZIMIN E VËNDIT..! -Dënimi Salianit është dënimi SALIUT+LULIT që kan manipuluar popullin në 34 vite. -SPAK,GJKKO..PO VONON SEKUESTRON E PSURISË MBI 1000.000 € TË SB,DHËNDRRIT,GOCËS,LIRISË ME FONDET PËR FËMIJT AUTIK,etj. -Sulmi I Sb ndaj SHBA,MEDJEVE..gjithkujt kundër tij KA TRËMBUR SPAK+GJKKO..DERI NË MARRZI..! -Nuk është serioze që të dënohen vetëm MAJTAS MBI 20 PUSHTETAR & NGA E DJATHTA E KRIMIT 34 VJEÇAR-ASNJË..! -Sb familjarisht & me ha-le-Atët nuk mund të dënohet nga DREJTËSIA E PLEPAVE.. -SPAK,GJKKO po zvarrit në marrzi..21 janarin,Gërdecin,4-5 dosjet e Like Metaj..etj. -Hajdutërinë e Sb,Im familjarisht e me Aleatët.. nuk i lan as lumi VJOSËS..!

    Përgjigju
  • Jim: 20/09/2024 17:41

    Mu Kujtua Ndrea Prendi me gardistet e vet ne gjyq ne nje mase me te eshte edhe ky !

    Përgjigju
  • Game over: 20/09/2024 15:01

    U dogj dhe injoranti salianjii , Po cfare ide muti opozite eshte ajo me babale e me lesh , ne Shqipëri ka njeqind gjera per protesta qe nga ndotja mungesa e H2O e shume probleme , keto bejne poltike babalesh , ik me mire te ike vet nga politika , edhe kete e degjuam

    Përgjigju
  • Vlora: 20/09/2024 14:42

    Çeta Babale ne salle per te mbrojtur nje mashtrues, nje llum ,nje ordiner,,ne burg te mbledhes sapuna kelysh kurve.

    Përgjigju
  • Tedi: 20/09/2024 11:48

    Babalja e ja kryer aktin e mashtrimit me autor mashtruesin ordiner Salianji . Prezemca e deputeteve ne salle eshte variant i vjeter presioni qe kjo parti ka zbatuar kur kryen krime .Kujtoni prezencen e gardisteve per ceshtjen e 21Janarit si forme predioni ndaj gjykates .Ne rast se nuk merr vendim per denimin e Salianjit kjo trupe gjykuese me mire te largohet nga drejtesia. Frike mos kini se perball ketyre deputeteve jane mijera shqiptar qe kerkojne drejtesine e shume pritur

    Përgjigju
  • Kola: 20/09/2024 11:04

    Paska shkuar me gjith trimat e grupi parlamentarë i PDsë, për të mbështetur një mashtrues,shpifës,të dënohet di gjith të tjerët!Drejtësia të mos punoj me dy standarte.

    Përgjigju
    • A...Zh: 20/09/2024 11:48

      Pse kemi drejtesi ne?!

  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kush duhet ta numërojë votën e diasporës?