Ndërtuesit do kompensohen me 30% për çmimet e rritura! Hyn në fuqi akti normativ për kompensimin e ndërtuesve që kanë kontrata publike

24 Maj 2022, 08:25| Përditesimi: 24 Maj 2022, 08:33

  • Share

Ka hyrë në fuqi akti normativ që i hap rrugën kompensimit të ndërtuesve që kanë një kontratë publike për çmimet e rritura gjatë këtij viti të materialeve të ndërtimit si hekur, çimento, bitum, tuba plastikë, alumin, bakër dhe zink.

Sipas qeverisë ky akt normativ është marrë për të mbështetur investimet publike dhe procesin e rindërtimit, në kushtet e vështira të krijuara me çmimet në treg.

Nga ky vendim bëhet kompensimi i të gjitha kontratave publike të financuara me fonde të buxhetit të shtetit, të njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, njësive zbatuese të caktuara në kuadër të procesit të rindërtimit apo të enteve të tjera publike të cilat kanë një kontratë në proces zbatimi që nga data 1 janar 2020 dhe që preken nga rritja e çmimit të hekurit, çimentos, bitumit dhe tubave plastikë, për punë të kryera pas hyrjes në fuqi të këtij akti normativ.

Do të përfitojnë kompensim edhe kontratat publike për punë, të financuara me fonde të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51% apo me financim të huaj, që përballohen nga fondet e shoqërive me kapital shtetëror.

“Me shpalljen e situatës së veçantë, sipas këtij akti normativ, operatorët ekonomikë, të angazhuar në kontrata publike për punë me fonde të buxhetit të shtetit, të njësive të qeverisjes qendrore dhe vendore, njësive zbatuese të caktuara në kuadër të procesit të rindërtimit ose të enteve të tjera publike apo të shoqërive me kapital shtetëror të paktën 51%, i paraqesin autoritetit kontraktor kërkesën për kompensim, sipas aneksit nr. 1, vetëm për pjesën e kostos që lidhet me rritjen e çmimit të materialeve të ndërtimit, të përcaktuara në nenin 2, të këtij akti normativ”, thuhet në aktin normativ.

Në kërkesën për kompensim operatorët ekonomik duhet të bashkëngjisin vlerën e parashikuar në kontratë për punimet gjatë 2022, vlerën e parashikuar për përdorimin e materialeve të ndërtimit për vitin 2022 si dhe vlera e kërkuar për kompensim.

Kompensimi i secilit prej operatorëve ekonomikë do të bëhet në masën nga 5% deri në 30% të vlerës që zënë materialet e hekurit, bitumit, çimentos, tubave plastikë, aluminit, bakrit dhe zinkut në kontratat publike respektive.

Në rast se operatori ekonomik nuk bie dakord me vlerën e vendosur të kompensimit nga autoriteti kontraktor, kontrata ndërmjet palëve zgjidhet dhe rihapet një procedurë e re prokurimi për realizimin e punimeve të papërfunduara. Gjithashtu, ndaj operatorit ekonomik merret masa e përjashtimit nga procedurat e përfitimit të kontratave publike për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik.

Ky akt normativ do të jetë në fuqi për aq kohë sa zgjat periudha e situatës së veçantë të krijuar në treg. Ndërkohë është vendosur që operatorët ekonomik mos të ndëshkohen për vonesat në punime për shkak të rritjes së çmimeve.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?