Astrit Lulushi, ish-gazetari dhe producenti i njohur i Zërit të Amerikës në shqip, u nda nga jeta të mërkurën më 4 shtator 2024 në moshën 70-vjeçare në Woodbridge të Virxhinias.
Rrugëtimi i Astritit për në Amerikë, ishte dëshmi e dëshirës dhe guximit për t’i ikur komunizmit dhe diktaturës në Shqipëri, drejt lirisë dhe një jete më të mirë. Në vitin 1985, Astriti u arratis nga Shqipëria dhe erdhi në Amerikë, ku filloi një jetë të re dhe më vonë solli edhe familjen e tij.
Një vit me pas, Astriti filloi një karrierë të shënuar 30-vjeçare tek Zëri i Amerikës. Zëri, figura dhe fjala e tij u bënë të njohura dhe të dashura për dëgjuesit dhe shikuesit ndër vite për tema që nga mjekësia dhe shkenca, diaspora shqiptare në Amerikë dhe historia.
Roli i tij prapa skene, ishte po aq i rëndësishëm si producent kryesor i emisionit televiziv Ditari.
“Largohem i përmbushur dhe i nderuar që kam qenë në shërbimin tuaj, ju dëgjues dhe shikues të mrekullueshëm të programeve të Zërit të Amerikës”, u shpreh ai kur doli në pension nga Zëri i Amerikës në korrik të vitit 2019.
Astriti u nderua me “Çmimin e Karrierës”.
Astriti kishte një jetë të pasur krijuese, si autor i 17 librave, shkrimeve të shumta, poezive dhe reflektimeve.
Kolegët, ish-kolegët dhe miqtë e kujtojnë Astritin si një njeri me pak fjalë, shumë pasione, përkushtim, kuriozitet dhe thellësi mendimi.
“Ai njihej nga të afërmit si një njeri me fjalë pak, por me mendjen e një filozofi dhe shpirtin e një poeti. Një njeri i një kohe tjetër, një intelektual i qetë që nuk pushoi së shkruari”, thuhet në njoftimin e përgatitur nga familja për largimin e tij nga jeta.
Ai lë pas bashkëshorten, vajzën dhe familjen e saj, vëllezërit dhe motrën e tij. Djali i tij ndërroi jetë para disa vjetësh.
Ne ish-kolegët e tij të Zërit të Amerikës, do ta ndjejmë humbjen e tij.
Nderimet e fundit për nder të Astritit do të bëhen të martën më 10 shtator, ndërsa varrimi më 11 shtator./ VOA
G.K/ReportTv.al