Sali Berisha

Namir Lapardhaja: Sikur Berisha të mos kishte ‘Mizën nën Kësulë’

7 Tetor, 09:31| Përditesimi: 7 Tetor, 09:34

  • Share

Sikur Berisha të mos kishte ‘Mizën nën Kësulë’ dhe në gjithë këto vitet e fundit të mos bënte atë që bëri, pra të mos i kishte vënë flakën PD-së dhe opozitarizmit, të mos kishte shpartalluar frymën dhe të mos kishte venitur besimin, të mos kishte nisur konfliktin dhe të mos kishte nxitur ‘vëllavrasjen’, të mos kishte inskenuar trille dhe të mos kishte ushqyer paranoja, të mos kishte keqpërdorur veset më të urryera te qenia njerëzore, duke ‘luajtur’ me ambiciet e sëmura të njerëzve dhe kokëboshësinë e ëndërrimtarëve që gdhihen pa brekë dhe ngrysen deputetë.

Ta kishte lënë PD-në në rrugën e saj, duke u tërhequr ai nga halli i vet, të kishte stimuluar ecjen përpara (dhe jo mbajtjen peng) të opozitës dhe reformimin e mëtejshëm të PD-së jo vetëm me njerëz dhe figura të reja, por me një ligjërim dhe qasje të re ndaj zhvillimeve të vrullshme të shoqërisë.

Të kishte ikur në shtëpi dhe të mblidhej si të gjithë bashkëmoshatarët, kur i thanë se duhet të ikësh- koha jote mbaroi; ta çlironte PD-në nga prangat e zjarrta të vetes së vet dhe ta linte të lirë në mbështetjen e drejtësisë dhe në marrëdhëniet normale me partnerët strategjik, pa të cilët ajo nuk ka arsye të ekzistojë dhe Shqipëria ka rrezik të shpërbëhet; me një keqqeverisje që nuk ka shqiptar të thotë se ka punuar mirë dhe një kryeministër që e ka të shkruar në ballë damkën e të korruptuarit, që e ndjek prej vitesh nga pas si ‘Saliun Non Grata’, me një kabinet ministror ku gjysma e ministrave janë në burg për korrupsion, ndërsa gjysma tjetër është kandidate për t’u futur në burg për korrupsion.

Ta kishte lënë të lirë PD-në dhe krejt opozitën që diferencën prej 36 mijë votave të vitit 2021 ta ngushtonte edhe më shumë; që të mos bënte pazar, siç bëri ai, me pushtetin ‘më jep vulën-të jap çfarë të duash’, të mos i mbyllte listat, por t’i hapte ato, për të stimuluar garën e shëndetshme, të mos i jepte Ramës 6-7 mandate në tavolinë, siç i jep ky Kod aktual, por të bënte gjithçka për ta ndryshuar dhe për të ofruar barazi mes partive dhe kandidatëve nëpërmjet ‘Shqipërisë një zonë zgjedhore’, ku vota të kishte të njëjtën peshë nga veriu në jug dhe deputetët e PD-së apo kandidatët për të qenë në lista të mos bridhnin rrugëve si piromanë me shkrepse në xhep, por si misionarë me program në dorë.

Që sot të mos shkonin për flakë të gënjeshtërt me gurë të mashtrimit në xhepat e grisur nga varfëria që pushteti dhe Berisha ka krijuar për të mbajtur njerëzit të lidhur pas vete, duke pasuruar një grup të vogël oligarkësh të lidhur me ta dhe duke varfëruar pjesën tjetër të njerëzve.

Pra, në vend të kësaj shfaqjeje marrëzie dhe skene hipokrizie nëpërmjet të cilave pushteti është miliona kilometra larg, të ndërtohej një alternativë besimi me llambushka shprese dhe siguresa garancie për të ardhmen, ku zjarrëvënien e gënjeshtërt dhe patetiken iluzive ta zëvendësonte një Kuvend Programor për të bërë kontrastin e domosdoshëm me këtë qeveri, që do dukej e rrënuar dhe e kalbëzyer nga pesha e korrupsionit të vet, dhe jo siç po bën Saliu duke u dukur më i vjetër se e vjetra dhe më i trepsur se vetë pushteti.

Sot PD-ja, opozita, demokratët dhe gjithkush që do të dëshironte ndryshimin, sikur asgjë më shumë se ç’bëri në 2021 të mos bënte dhe sikur pak durim e qëndrueshmëri të tregonte, nuk do të ishte më shumë se shtatë muaj nga dita e ardhjes në pushtet.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni sulmet ndaj kreut të SPAK, Dumani, e drejtësisë së re?