Momenti i firmosjes së Marrëveshjes së Dejtonit

Milosheviçi ka vdekur, por idetë e tij ende lulëzojnë

13 Shkurt 2022, 10:45| Përditesimi: 13 Shkurt 2022, 10:47

  • Share

Para dy dekadash filloi procesi kundër presidentit serb, Slobodan Milosheviç, i cili vdiq në qeli i pa dënuar. Por idetë e tij që çuan në luftën e Jugosllavisë, në vrasjen e shkatërrimin jetojnë ende.

Vetëm para pak ditësh u emërua Momçilo Babiç ambasador serb në Rusi. Ky njeri në vitet 90-të bënte pjesë në rrethin e ngushtë të familjes së Slobodan Milosheviçit. Si dje me 12 shkurt para 20 vjetësh filloi procesi kundër Milosheviçit në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë. Presidenti serb, që gati ishte deklaruar në sundimtar të pakufizuar, akuzohej për krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. I akuzuari, politika e të cilit kontribuoi në luftërat që shpërbënë shtetin shumëkombësh, Jugosllavinë, nuk e pranoi legjitimitetin e gjykatës. Ajo ishte thjesht "ilegale". Katër vite më vonë Milosheviçi ndërroi jetë nga infarkti në zemër para shqiptimit të dënimit.

Revolucion pa ndryshim
Me largimin e tij nga pushteti në vitin 2000 përmes të ashtuquajturit revolucioni i tetorit, Serbia filloi të ketë shpresë pas vitesh në autokraci dhe luftërave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë. Kryeministri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, Zoran Xhinxhiç, që kushte studiuar në Gjermani dhe ishte i lidhur me perëndimin, konsiderohej si garant për reformat dhe shfuqizimin e elitës së vjetër. Por programi i tij u ndërpre papritur, i vrarë nga krerë të policisë speciale paramilitariste të Milosheviçit, "Beretat e kuqe". Tani vrasësit e dënuar me 40 vite burg sërish zenë kryetitujt e mediave. Aktualisht ka një peticion që kërkon lirimin para kohe të të dënuarve.

Përpjekja për rehabilitimin e vrasësve të Xhinxhiçit i përshtatet peizazhit aktual politik. Ideja e dikurshme e Milosheviçit, se të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet të përbashkët, çoi para më shumë se dy dekadash në luftë e shkatërrim. Në luftëra të përgjakshme u përpoq të arrihej qëllimi për krijimin e "Serbisë së Madhe". Nga viti i kaluar ky program nacionalist nën moton "Bota Serbe" është futur sërish në sallonët e politikës. Beogradi duhet të kudjeset për njerëzit e tij në vendet fqinje, me qëllim që ata të mos diskriminohen, kjo është kredoja. Por ky është vetëm "justifikimi", që Beogradi të përzihet sërish në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Kroaci e Mal të Zi, kudo ku jetojnë pakica të mëdha serbe.

Të vjetrit e të rinjtë
E është rrjedhojë logjike, që idetë e Milosheviit ringjallen sërish. Sepse krerë të politikës së vjetër japin sot prapë tonin, në krye është presidenti i gjithëfuqishëm, Aleksandar Vuçiq. Në kohët e Milosheviçit ai punonte për një program propagandistik të serbëve boshnjakë dhe nga viti 1998-2000 ishte ministër i Informacionit. Emri i tij që atëherë është simbol i presioneve ndaj mediave të huaja e vendase. Sot po praktikohen sërish recetat e vjetra. Mediat janë në shërbim të Milosheviçit kur të dëshirojë ai. Këtë e garantojnë gjelat e fryrë të mediatve nga rrethi i pushtetmbajtësit si Zeljko Mitrovic, ("Milosheviçi është hero"), televizioni i të cilit Pink është si shtëpia e presidentit.

Milorad Vuçeliç, po ashtu kuadër i Milosheviçit dhe nga viti 1992 deri në vitin 1995 drejtor i përgjithshëm i televizionit propagandistik shtetëror, RTS drejton sot gazetën e njohur bulevardeske "Novosti". Gazeta përpiqet si më parë të provojë në artikuj të panumërt, se serbët po shtypen prej shekujsh nga popujt fqinjë dhe nga bota e huaj. Kësaj renditjeje nuk duhet t'i mungojnë as emrat e të dënuarve për krime lufte, si gjenerali Vladimir Lazareviç apo Dragan Vasiljeviç (Captain Dragan) që sot nderohen nga shteti. Opozita e sotme e ndodhur nën presion, dhe historianë kritikë nuk bien në ujdi vetëm për një gjë: "nëse sot sundon një situatë si në vitet 90-të" apo është "më keq se në vitet 90-të".

Marrë nga Deutsche Welle

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?