Mero Baze: SHBA është garancia për një reformë që do modernizojë shtetin shqiptar

6 Shtator, 20:46| Përditesimi: 6 Shtator, 20:52

  • Share

Lajmi se Ambasada e SHBA do të angazhohet me komisionin e posaçëm për mirëqeverisjen, anti-korrupsionin dhe sundimin e ligjit, është një lajm I mirë për të gjithë ata që presin që  beteja anti-korrupsion të përfshijë vet administratën e shtetit shqiptar dhe një lajm I keq për të gjithë ata që kanë dashur ta deligjitimojnë si një marrëveshje Rama Berisha kundër drejtësisë së re. 

Përfshirja e SHBA dhe e Bashkimit Evropian brenda këtij iniciative ligjore dhe institucionale, krijon siguri të reja për reformën në drejtësi në disa aspekte. 

Së pari rrit besueshmërinë e kësaj iniciative dhe e shkëput atë nga qëllime politike të supozuara si kundër Reformës në Drejtësi. Kjo a shumë rëndësi sidomos për qeverinë, e cila e ka për detyre ta cojë deri në fund këtë betejë dhe të mos jap imazhin e një force politike e cila u godit më shumë se kushdo tjetër nga Reforma në Drejtësi dhe u zhgënjye prej saj. 

Natyrisht beteja e SPAK kundër korrupsionit ka problemet e veta, por fryma që ajo ka ngjallur kundër korrupsionit është aktualisht e vetmja shpresë që ka shoqëria shqiptare për të ecur përpara. Ajo shkëput politikën nga drejtësia dhe jep një mesazh të qartë se politika ka punët e saj, por drejtësia është roje e ligjit në këtë vend. 

Hezitimet e para të SHBA dhe Bashkimit Evropian, duket se janë tejkaluar dhe aty po hyjnë aty jo për ti dhënë besueshmëri qeverisë në këtë iniciativë por si rije të progresit të arritur nga drejtësia deri më sot. 

Së dyti pjesëmarrja e tyre I jep fund aludimeve për bashkëpunim mes qeverisë dhe “non grata”-s në opozitë kundër Reformës në drejtësi. Përkundrazi prezenca e tyre I jep garanci drejtësisë se e vetmja pjesë e prekur e shoqërisë nga kjo reformë do të jenë të korruptuarit dhe njerëzit që kanë probleme me ligjin. 

Nuk di sa e sigurt do të jetë pjesëmarrja e PD në këtë komision por aktualisht PD e ka humbur monopolin e opozitës dhe ne kemi një opozitë shumë më plurale se një vit më parë. Kemi  disa parti opozitare që po bëjnë një grup të ri parlamentar në Kuvend dhe grupi I Lulzim Bashës që kanë qenë të qarët në mbështetjen për drejtësinë e re madje me një retorikë më të fort se qeveria. 

Kështu që iniciativa vlen dhe përtej mandatit të këtij kuvendi dhe konfigurimit të ri të parlamenti të ardhshëm I cili ka për detyrë ti jap Shqipërisë një legjislacion që garanton një administratë me frymë perëndimore në zbatimin e ligjit e cila duhet të bëj kapërcimin e nevojshëm nga një administratë e degraduar nga ryshfetet dhe korrupsioni në një administratë serioze që respekton ligjin dhe e shikon veten jetëgjatë në ato zyra dhe jo e lidhur me rrotacionin politik. 

Së fundmi nga suksesi I kësaj iniciative varet shumë dhe një zhbllokimi I punës së administratës dhe frikës së biznesit për investime e cila ka filluar të vërehet pas reprezaljeve të SPAK në administratë dhe tek njerëzit e biznesit të përfshirë në afera korruptive. 

Garancia që duhet I japim administratës për të vepruar profesionalisht, duhet të shmang ngërçin që vërehet aktualisht në distancën që kanë zyrtarët e lart e të mesëm për të marrë përgjegjësi në firmosjen e akteve administrative, fenomen që është vrenjtur dhe në vende të tjera evropiane si Rumania e Kroacia kur janë përballur me reformat antikorrupsion. 

Të gjithë duhet të kuptojmë se futja në Bashkimin Evropian nuk është një parullë propagandistike por një detyrim I madh që fillon me modernizmin e shtetit shqiptar. Dhe ky proces nuk mund të realizohet kurrë pa një reformë të besueshme ligjore dhe një iniciative politike që nuk e frenon Reformën në Drejtësi por e thellon atë duke e kthyer në një shprese për gjithë shoqërinë . 

Ndaj garancia që jep përfshirja e SHBA dhe BE në këtë proces është jetike, jo vetëm për të mos krijuar vatra të reja monopoli mbi drejtësinë por dhe për ta kthyer drejtësinë në një normalitet me të cilin politika duhet të bashkëjetojë . 

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush kë do të forcojë më shumë protesta e 7 tetorit?