Mbërrijnë 13 shqiptarët e riatdhesuar nga kampet e ferrit në Siri, fëmijët pyetën ku do të shkojnë! Ministri i Brendshëm: Nuk është operacioni i fundit

28 Maj 2022, 09:00| Përditesimi: 28 Maj 2022, 15:24

  • Share

Mëngjesin e sotëm kanë mbërritur në aeroportin e Prishtinës 13 shqiptarët e riatdhesuar që kanë shpëtuar nga kampet e ferrit në Siri dhe janë të sigurt në duart e autoriteteve shqiptare. 3 gra dhe 10 fëmijë rikthehen në gjirin e familjes, për të lënë pas njëherë e përgjithmonë dramën që përjetuan prej një kohe të gjatë duke e çuar në 43 numrin total të bashkatdhetarëve që janë shpëtuar deri tani.

Shqiptarët e riatdhesuar janë pritur nga ministri i brendshëm Bledi Çuçi, bashkë me homologun e tij kosovar, Xhelal Sveçla, drejtuesit e policisë së të dy vendeve, Gledis Nano e Samedin Mehmeti, si dhe drejtoresha e Qendrës CVE, Lejdi Dervishi. Ndërkohë Çuçi shprehu mirënjohje për partnerët strategjikë, SHBA, që bënë jashtëzakonisht shumë për finalizimin me sukses të operacionit të katërt përmes së cilit edhe Kosova riatdhesoi disa shtetas të saj.

“Kurrsesi nuk është operacioni i fundit dhe as do të ndalemi derisa të rikthejmë edhe gratë e fëmijët e mbetur ende në kampet famëkeqe të zonave në konflikt, duke u bazuar gjithashtu në listat e hartuara më herët me partnerët libanezë, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në rajon, Marc Ghorayeb. Kemi statistika të sakta të bëra që nga tre operacionet e para, me partnerët libanezë, këshilltarit tonë diplomatik në Liban, e të gjitha këto lista që do i përditësojmë akoma më tepër do bëjmë të mundur të kthejmë çdo shqiptar që ka mbetur në këto kampe”, tha Çuçi.

Një nga personat e përfshirë në këtë operacion që priti shqiptarët e riatdhesuar tregoi se fëmijët e pyetën se ku do të shkojnë ndërsa ajo i shpjegoi se do të rehabilitohen dhe më pas do të kthehen në shkollë.

“Se më pyetën fëmijët po ne ku do shkojmë? Edhe i thashë që ju do shkoni në një qendër pritëse ku do bëni të gjithë analizat, do ketë dhe edukatorë e mësues, e sapo të jeni ju të gjithë gati e të ndiheni mirë ju dhe mamat tuaja, do gjejmë mënyrën më të mirë për t’i rehabilituar, kthehen e në shkollë”, informoi Lejdi Dervishi.

“Po si shoqet dhe shokët që kanë ardhur më herët, kanë filluar shkollën”, tha ministri i brendshëm.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla konfirmoi gjithashtu vijimin e punës për riatdhesime të tjera, tha se tashmë institucionet kanë përgjegjësinë për rehabilitimin e këtyre shtetasve dhe integrimin e tyre të plotë. 

“Puna jonë nuk përfundon këtu. Ekipet tona tashmë kanë shumë punë që këta bashkëkombas tanë të kthyer të rehabilitohen. Ata që janë të ndikuar të deradikalizohen në mënyrë që të bëhen pjesë e shoqërisë sonë e posaçërisht fëmijët të cilët në asnjë rast nuk janë fajtorë për situatën në të cilën ndodhen. Jemi të bindur se institucionet tona do të bëjnë maksimumin që rehabilitimi i tyre të jetë sa më i shpejtë. Me këtë t’i afrohemi fundit të një episodi vërtet të dhimbshëm të shoqërive tona”, tha Sveçla.

Në përfundim të kontrolleve mjekësore paraprake 13 gratë dhe fëmijët e riatdhesuar nisën të transferohen nga aeroporti i Prishtinës drejt Shqipërisë nën shoqërimin e Policisë së Shtetit dhe kujdesin e veçantë të punonjësve të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Ky është misioni i katërt i shpëtimit të shqiptarëve në Siri.  Më herët gjatë 3 misioneve të tjera janë riatdhesuar në Shqipëri 25 gra dhe fëmijë, ndërkohë që vijojnë të jenë në kampe dhe 17 shqiptarë të identifikuar. Report Tv mëson se nga të riatdhesuarit është edhe gruaja e dytë e Genci Ballës, Almira Kastrati dhe 2 djemtë. Ndërkohë që burimet bëjnë me dije se Eva Dumani, e reja e cila kërkoi ndihmë përmes mediave nuk ka ardhur sërish për shkak se nuk është gjetur nga autoritetet. Me këtë riatdhesim të sotëm shkon në 38 numri i shqiptarëve të riatdhesuar nga kampet e ferrit në Siri, Roj e Alhol. Në fund të korrikut të kaluar ishte riatdhesimi i fundit, kur erdhën 5 gra shqiptare dhe 14 fëmijë që jetonin prej vitesh në kampin famëkeq “Al Hol” në Siri. Janë rikthyer Brunilda Koçollari nga Tirana me 5 fëmijët e saj, Emanuela Vladi nga Dibra, nënë e 4 fëmijëve, Ruzhdije Balliu nga Librazhdi, Lavdie Kaca nga Tirana dhe 2 fëmijët e saj, si dhe Klotilda Zani nga Tirana me 3 fëmijë.

Deri më tani, nga Siria është kthyer Alvin Berisha, Floresha Rasha me katër fëmijët e saj (më 26 tetor 2020) dhe Endri Dumani. Pas kthimit nga kampi i ferrit "Al Hol" Rasha me fëmijët e saj si dhe Endri Dumani u zhvendosën për rehabilitim në shtëpinë e pushimit të ushtarakëve të Ministrisë së Mbrojtjes, në Konvaleshencë të Durrësit. Sipas burimeve, ka përfunduar faza e parë e trajtimit psikologjik që kishte të bënte me largimin e panikut nga gjendja e luftës që ata kishin përjetuar. 

Prej vitesh me dhjetra familje shqiptare të indoktrinuar nga rryma fetare u larguan nga shqipëria për luftën e xhihadit. Por toka e premtuar nga rekrutuesit e tyre u kthye në ferr, ku burra e gra vdiqën e shumë fëmijë mbeten në kampet famkeqe. Tanimë në Al Hol kanë mbetur edhe rreth 30 shqiptarë të tjerë, të cilët nuk janë identifikuar.

A.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Populli: 28/05/2022 11:43

    Keq me vjen vetem per femijet, per cfare kane perjetuar dhe traumat qe sdihet a do i kalojne ndonjehere. Sa per mamate e tyre do i thoja Cucit dhe homologut qe jane lodhur kot. Ato femra kane ikur me deshire dhe besoj po rikthehen pa deshire ne atdhe. Zgjedhjen e jetes e bene qekur martuan kamikazet e tyre. Keto duhen mbajtur nen vezhgim se nuk i dihet ca direktivash kane mare.

    Përgjigju
  • Shkodrani.ST: 28/05/2022 10:30

    Ca te mbjellesh do korresh shpresoj qe nje dite te mos behemi pishman nga keto mbetje analfabete filo Arabe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?