Marrëveshja me Italinë për emigrantët, shtohen prapë afatet, kampi i Gjadrit nuk hapet në shtator! Vijojnë ende punimet, Report Tv sjell pamjet me dron

18 Shtator, 09:20| Përditesimi: 11 Tetor, 11:31

  • Share

LEZHË- Kampi i refugjatëve në Gjadër të Lezhës nuk pritet të jetë gati as deri në fund të muajit shtator siç ishte parashikuar. Punëtorë dhe mjete po punojnë përgjatë 24 orëve, por ka ende shumë punë për përfundimin e kësaj strukture brenda bazës ushtarake të Gjadrit.

Në pamjet me dron që sjell Report Tv duket qartë se pjesa më e madhe e dy strukturave kanë përfunduar dhe aktualisht po punohet për rrethimin, sistemimin e ambienteve të brendshme dhe lidhjen e energjisë elektrike dhe sistemit të kanalizimeve. Ndërkohë prej disa ditësh në Gjadër kanë mbërritur dhe karabinierët italianë, të cilët janë vendosur në hyrjen kryesore të kësaj strukture duke rritur dhe nivelin e sigurisë, pavarësisht se punimet ende nuk kanë përfunduar.

Filmimet brenda ambienteve të kampit janë të ndaluara e po ashtu dhe prania e personave të autorizuar në ambientet përreth kampit. Për të garantuar sigurinë autoritetet italiane po bashkëpunojnë dhe me Policinë e Lezhës, ku kjo e fundit do të ketë në varësi ambientet përreth kampit të cilat do të ruhen përmes një strukture të posaçme e cila do të ngrihet për këtë qëllim në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë.

Qendra ishte planifikuar të hapej më 1 shtator, kur do vinin dhe refugjatët e parë, por për shkak të vonesave në punime, hapja është shtyrë. Dy ditë më parë, ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi tha se pritet që kampi të hapet në muajin tetor.

“Me qendrat e emigrantëve në Shqipëri do të fillojmë në tetor. Sigurisht që ka pasur një vonesë prej disa muajsh, fillimisht hapja ishte planifikuar për në majin e kaluar, ka pasur kontrolle normale. Kjo është e gjitha”, tha ministri italian.

Më herët autoritetet italiane kishin shpërndarë edhe një rregullore etike apo sjelljeje për efektivët dhe punonjësit, ku binte në sy ajo e mosafrimit me gratë shqiptare, karakterin e vendasve, si dhe sjelljen në lokale apo bisedat, sepse shumica e shqiptarëve dinin italisht.

Marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët është arritur në 6 nëntor të vitit 2023. Marrëveshja është fillimisht për pesë vjet dhe është planifikuar për të pritur  3.000 emigrantëve në vit.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Në përplasjen Veliaj-Berisha kujt i jepni të drejtë?