Marrëveshja Itali-Shqipëri/ Përfundon verifikimi, 12 emigrantët e parë dërgohen me autobus në Gjadër, kthehen pas 2 të miturit dhe 2 të sëmurët (VIDEO)

17 Tetor, 07:20| Përditesimi: 17 Tetor, 15:51

  • Share

LEZHË- Pas përfundimit të verifikimeve në qendrën pritëse në Shëngjin, 12 nga 16 emigrantët e mbërritur të mërkurën (16 Tetor) në vendin tonë janë dërguar në kampin e Gjadrit.

Transporti i tyre është bërë me autobus gjatë mesnatës, ndërsa 4 të tjerët, dy prej të cilëve të mitur dhe 2 me probleme shëndetësore janë dërguar në Itali.

Gazetari i Report TV, Elvis Hila, raporton se procedurat po vijojnë nga autoritetet italiane, edhe me ndihmën e atyre shqiptare, që prej ditës së djeshme, kur mbërriti anija ‘Libra’ me 16 refugjatët e parë të kontigjentit, me egjiptianë dhe sirianë.

Kapaciteti për momentin është 400 persona dhe deri tani ka përfunduar 70% e strukturave pritëse dhe akomoduese, përfshi edhe logjistikën e nevojshme. 

Konkretisht, rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm, anija 'Libra" u ankorua në portin e Shëngjinit me 10 refugjatë nga Bangladeshi dhe 6 egjiptianë.

Të hënën e 14 tetorit 2024, anija ‘Libra’ e Marinës Ushtarake italiane u nis nga Lampeduza drejt Shqipërisë  për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në kampin e emigrantëve në Gjadër. Ata u shpëtuan në det të dielën e 13 tetorit. 

Fillimisht në bord u krye një kontroll fillestar i emigrantëve  për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: të jenë me origjinë nga vende të sigurta dhe burra. Gratë, të miturit, personat e torturuar dhe të sëmurët dërgohen në Lampeduza dhe aty presin që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga komisionet territoriale. 

Kjo marrëveshje është vlerësuar edhe nga ndërkombëtarët, si kryekomisionerja e KE, Ursula von der Leyen, e cila theksoi se marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët Itali-Shqipëri, mund të merret shembull edhe nga BE-ja.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u firmos më 6 nëntor 2023 në Romë mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe ngjalli shumë detabe në të dy anët e Adriatikut, por pavarësisht kundërshtimeve u ratifikua me shumicë votash nga përlamentet e të dy vendeve.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?