Majmuni i Doktor Mokinit, fati tij në Shqipërinë komuniste! Esencë-Report Tv

6 Tetor, 22:18| Përditesimi: 7 Tetor, 09:26

  • Share

Sonte në Esencë ishte i ftuar Drini Pilikati në një rrëfim për Mokinët dhe majmunin e Doktor Mokinit.

Kush ishte Vasken Mokin, doktori armen që mbante në Shqipëri një majmun? Nga erdhi ky majmun që jetonte në qendër të Tiranës dhe cila është jeta e tij në Shqipërinë moniste ku e kishin të vështirë të jetonin njerëzit e jo më majmunët?! Esencë nga Eljan Tanini, shfaqet të premte dhe të diel në ekranin e Report Tv.

Drini Pilikati

Autor i librit: Majmuni i Doktor Mokinit

Eljan Tanini: -Përse një libër kushtuar një majmuni, tej mase të dëgjuar?

Drini Pilikati: -Ngeli si proverb për Tiranën, sepse majmuni trajtohej shumë mirë, vishej mirë, po aq sa thonin: “Je bërë si majmuni i Doktor Mokinit’’!

Eljan Tanini: -Çfarë ishte ky majmun, nga erdhi?

Drini Pilikati: -Ky majmun ishte i racës Cercopithecus, ishte majmuni i një ofirceri gjerman, mjek në ushtrinë gjermane. E kish marrë majmunin për të kaluar kohën. Ishte koha që u bë zbarkimi anglo-amerikan ne Siçili, dhe nga mjek për ti shpëtuar jetën majmunit dezertoi, vajti në Berlin ku kish patur familjen e tij. Rrugës, në stacionin e trenit, Vasken Mokin takohet me mjekun gjerman. Ai u bë shumë kurioz për majmunin. Ai e hapi muhabetin me gjermanin, u morën vesh që janë mjek të dy, ndërkohë që gjermani i thotë që dezertoi për të shpëtuar jetën e majmunit. Kur e merr vesh gjermani që ai ishte një armen që po shkonte në Shqipërine e pragut të çlirimit, gjermani i lë si amanet majmunin, ta merrte atë me vete në Shqipëri sepse ai nuk ishte i sigurtë me fatin e tij!

Eljan Tanini: -Sa vite jeton majmuni në Shqipëri?

Drini Pilikati: -Majmuni jeton në Shqipëri nga viti 1943, prilli-maji, deri në vitin 1955. Kur e pret familja Vaskenin në Durrës me një taksi, nëna e tij çuditet dhe e pyet për majmunin. Vaskeni i thotë se edhe majmuni është emigrant si ne.

Eljan Tanini: -Mokinët nga janë me origjinë?

Drini Pilikati: -Janë nga Armenia Juglindore të ardhur në Turqi. Babai i tyre ishte mjek popullor që kish blerë toka, kishte vreshata, bënte edhe disa prodhime armene si konjaku armen, vera etj.

Eljan Tanini: -Si erdhën në Shqipëri? Si erdhën në Tiranë?

Drini Pilikati: -Në Shqipëri vjen vetëm Doktor Jermokin Poturlian. Gjatë kohës së Genocidit Armen ose pas shkollës jetoi kryesisht në Stamboll ku pati edhe njohje të madhe me qarqet intelektuale. Ishte koha më e vështirë për armenët sepse u përndoqën.

Drini Pilikati: -Ai u nis me një rekomandim sepse në Stamboll kish njohur vëllain e Mbretit Zog, Xhemalin. Ai kishte një sëmundje lëkure, por edhe nëpërmjet një rrobaqepësi.

Eljan Tanini: -Në cilin vit vjen në Shqipëri?

Drini Pilikati: -Vjen në Shqipëri në vitin 1923 me rekomandim për Xhemal Zogun. Ndalon në Burrel, trajtohet në mënyrë absolute. I krijon Xhemali të gjitha mundësitë, ndërsa ai i kërkon një mjedis ku të bënte vizita. Ata i kërkuan të bëhej mjeku i famijes, ku në fund e mbylli duke qenë gjinekologu i familjes. 

Ata kishin një kontenier të vjetër të ushtrisë Austro-Hungareze që ai e ktheu atë si studio mjekësore.

Eljan Tanini: -Ju si e njihni Doktor Mokinin? Keni qenë komshi?

Drini Pilikati: -Kemi qenë komshi, banonim te Pallati me tulla të kuqe i Merlikës në Rrugën e Durrësit. Unë kam ardhur vonë në atë pallat.

Eljan Tanini: -Po përse një libër për një familje dhe një majmun?

Drini Pilikati: -Ky është një libër që më është dashur të punoj në 8 vite, duke u lidhur edhe me pjestarët e familjes në të gjithë botën. Ata janë mjekë, unë kam gjetur rreth 23 mjekë profesionistë. Armenët janë të lidhur më mjekësinë. Mjeku më i dobët armen është më i miri, ai që është më i zoti është shkencëtar.

Eljan Tanini: -Shoku im më i mirë armen është Sari Çakmakxhian. Majmuni, si sillej me njerëzit?

Drini Pilikati: -Majmuni ishte tekanjos! Ishte i lidhur shume pas Koharit, nënës së Vaskenit, por edhe pas Vaskenit. Ishte majmun mesatar. Kishte jetuar me një doktor dhe kishte krijuar tekat e tij. Kishte ca fiksime, jo kur shihte me të zeza, e kontrollonte ushqimin mos ishte i prishur, kishte bërë një jetë të mirë në ushtri! Në libër nuk është vetëm historia e një majmuni dhe e një familjeje, atje janë tre familje. Diran Çakmakxhian, një tregtar i njohur, po ashtu edhe Dhimitër Mihali që e kishte nënën armene.

Eljan Tanini: -Majmuni rrinte vetëm me doktorin, rrinte në shtëpi apo edhe dilte?

Drini Pilikati: -Majmuni nuk rrinte kurrë i lidhur, dilte edhe me doktorin megjithëse ai ishte shumë i zënë. Majmuni dilte më shumë me nënën e doktorit, madje edhe në pazar, shkonin edhe të babai i Sarit, te Dirani.

Armenët në Shqipëri janë trajtuar në përgjithësi mirë, megjithëse kanë patur edhe ata hallet e tyre por nuk i krijuan kurrë probleme sistemit. Megjithëse Mokini nëpërmjet Zogut krijoi, organizoi të gjitha spitalet. Babai i Vaskenit ishte ndër mjekët e Sulltanit. Ai hapi edhe studion e tij në Sheshin Taksim, pati edhe lidhje shoqërore me deputetë armen në Parlamentin Turk.

Eljan Tanini: -Ku ndërroi jetë Mokini i parë?

Drini Pilikati: -Mokini i parë ndërroi jetë në vitin 1952 në Tiranë. Ai kishte një shok të ngushtë, Mihal Shani i cili ishte rrobaqepësi i Zogut, por edhe që ishte në gardën e rrobaqepësve të Sulltanit. Djali i Shanit kishte studiuar me Mehmet Shehun në Napoli. Atë e pushkatuan si spiun i anglo-amerikanëve.

Eljan Tanini: -Çfarë ndodhi me familjen e Vaskenit në Shqipërinë e pas luftës?

Drini Pilikati: -Kishte bërë emër Mokini. E nisi punën që në vitin 1923 nga Burreli. Erdhi nga Burgajeti bashkë me Zogun në Tiranë. U bë elitë në Tiranë. Djalin e tij Vaskenin e mori pranë për nevoja të mëdha. Direkt pas luftës lindjet ishin të mëdha, kishte punë. Ai e kishte klinikën poshtë shtëpisë, e banonte sipër në kat të dytë. Punonte edhe në shtet. Kishte kulturën e mjekut në Itali i biri. Kur u hap universiteti te ne, mjekësia, mori edhe diplomën i biri, ku në vazhdim krijuan bazat e tjera të mjekësisë shqiptare. Sistemit të ri monist i duheshin mjekët prandaj nuk i bëri gjë. Si Jani Basho te Shtepia me Gjethe. Majmuni i Doktorit quhej Xhek, sepse gjermani ishte njohës i mirë i Muzikës Jazz. Majmuni ishte qenie që lëvizte shumë, ai dilte në ballkon shpesh herë.

Eljan Tanini: -Doktor Vaskeni me kë u martua?

Drini Pilikati: -U martua me vajzën e Mihal Shanit. Familjet kishin njohje të hershme mes tyre, fëmijët ishin rritur bashkë, bënë tre fëmijë. Veda dhe Vilma quheshin vajzat, Vahe ishte djali. U bënë shumë armenë në Shqipëri. Hebrenjtë hynë në fushën e financës, ndërsa armenët në fusha të tjera dhe në mjekësi. Janë njerëz të urtë dhe shohin punën e tyre duke të dhënë nga privatësia e tyre. Kur një ministër shqiptar vajti ne Çeki, kërkonte mjeshtrat për punë, atje ishte edhe Dhimitër Mihali që çdo urdhër e kthente në punë. Dhimitër Mihali është babai i turbinës shqiptare. Dhimitër Mihalin donin ta mbanin kubanezët në Kubë! Kuba e donte Dhimitër Mihalin për stacionin e famshëm të pompimit. Mihali ishte me nënë armene. Bëri shkollën për inxhinieri turbinash, shteti shqiptar kishte nevojë për të. Zbulimi i Kubës në Tiranë mori vesh që në Shqipëri kishte një specialist që ata kishin shumë nevojë për të. Çekia ua maste kokën me pe Kubanezëve, për këtë arsye erdhi në ndihmë Dhimitër Mihali që i njihte shumë mirë jo vetëm turbinat. Kuba do e paguante aq sa të donte Dhimitri, ai nuk mund të dilte mbi shtetin. Kuba donte që ai të qendronte më shumë atje. Vetë Fidel Castro kontaktoi direkt me Ramiz Alinë që Dhimitri të qendronte edhe ca kohë në Kubë. Ne nuk pranuam, direkt u prishën më shumë lidhjet tona.

S.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Beteja në Kushtetuese, a duhet që listat për deputetë të hapen plotësisht?