Macron u bën thirrje partive me 'vlera republikane' të formojnë Qeverinë e re

10 Korrik, 21:45| Përditesimi: 10 Korrik, 21:48

  • Share

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u bëri thirrje të mërkurën partive politike me “vlera republikane” t’i bashkojnë forcat për ta formuar një shumicë të qëndrueshme në Asamblenë Kombëtare të vendit, pasi zgjedhjet parlamentare të dielën nuk dhanë fitues të qartë.

Zgjedhjet, të cilat Macroni i thirri pasi humbi kundër të së djathtës ekstreme Tubimi Kombëtar në zgjedhjet evropiane, e kanë futur Francën në një rrugë qorre, me tri blloqe të kundërta politike dhe pa një shumicë që do ta formonte Qeverinë e re.

Në një letër të publikuar në gazetat e vendit, Macroni u bëri thirrje partive me “vlera republikane” ta formojnë një koalicion qeverisës dhe tha se shpreson se mund ta zgjedhë një kryeministër nga një grupim i tillë.

“Të shpresojmë në aftësitë e liderëve tanë politikë për të treguar ndjesi, harmoni dhe qetësi në interesin e tyre dhe të vendit. Në frymën e këtyre parimeve, unë do të vendos për emërimin e një kryeministri”, shkroi Macron.

Fronti i Ri Kombëtar – një koalicion i të gjelbërve, socialdemokratëve, komunistëve dhe partisë majtiste të Jean-Luc Melenchonit, Franca e Panënshtruar – fito befas më së shumti ulëse në zgjedhjet e së dielës, por jo shumicën e nevojshme.

Koalicioni i qendrës i Macronit, “Bashkë”, doli i dyti, ndërsa Tubimi Kombëtar i treti, pavarësisht se shpresonte se do ta fitonte shumicën pas një rritje të madhe që shënoi në rundin e parë të zgjedhjeve.

Do të ishte e zakonshme për Macronin t’i kërkojë grupit më të madh parlamentar, në këtë rast bllokut majtist, ta formojë Qeverinë e re, por asgjë në Kushtetutë nuk e detyron atë ta bëjë këtë.

Macroni nuk kërkoi qartazi që Tubimi Kombëtar dhe Franca e Panënshtruar të përjashtohet nga koalicioni për formimin e Qeverisë, por përmendja e “vlerave republikane” nga ai kuptohet si përjashtim i partive të së majtës ekstreme apo të së djathtës ekstreme.

Disa ligjvënës nga Partia Franca e Panënshtruar reaguan ndaj letrës së Macronit, duke thënë se ai duhet ta pranojë kandidatin e aleancës majtiste për kryeministër, sapo ajo ta përzgjedhë atë, dhe ta lejojë atë ta formojë Qeverinë e re.

“Gjëja më e mirë që ai mund të bëjë për vendin në këtë kohë, është ta lejojë grupin që fitoi më së shumti ulëse, Fronti i Ri Popullor, të qeverisë. Çfarëdo dredhie tjetër do të ishte shumë problematike dhe e rrezikshme për demokracinë”, tha njëri nga ta, Eric Coquerel, në televizionin LCI./REL

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ju duken të sigurta kushtet e rrugëve në Shqipëri?