Lezhë-Një 57-vjeçar banues në Tiranë është vendosur në pranga pasi përfitoi 3 milionë lekë nga administratori i një subjekti privat.
Burri i identifikuar si R. M. së bashku me bashkëpunëtorin e tij komunikonin me të me anë të aplikacionit ‘Signal’, duke u hequr si përfaqësues të një institucioni vendor.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
Operacioni u kodua 'Flop'.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, se i kishin kërkuar një shumë parash me anë të mashtrimit, nëpërmjet një aplikacioni, kanë nisur hetimet me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Flop”, u arrestua në flagrancë shtetasi:
R.M. 57 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi R. M. në bashkëpunim me një shtetas tjetër të paidentifikuar, kanë përfituar 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, pasi kanë komunikuar me të në aplikacionin “Signal”, në emër të përfaqësuesit të një institucioni vendor.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.