E rëndë në azilin privat në Tiranë! Historiani vret me bastun shokun e dhomës! Autori 'Qytetar Nderi' i Kavajës! Në pranga 2 infermiere, tentuan ta fshehin ngjarjen

8 Gusht, 09:03| Përditesimi: 8 Gusht, 22:14

  • Share

Tiranë- Një krim i rëndë ka ndodhur në azilin privat të të moshuarve në kryeqytet. 78-vjeçar Zyhdi Shehi, ka goditur disa herë me bastun hekuri shokun e tij të dhomës, Virxhil Vesho, duke i shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme.

Policia konfirmoi ngjarjen e ndodhur rreth orës 04:00 (8 gusht 2024) në shtëpinë e kujdesit "Ruaje moshën" në lagjen "Ali Demi' në Tiranë. Viktima, Virxhil Vesho, 82 vjeç, ka vdekur pas goditjeve dhe traumave në pjesën e kokës, bën të ditur policia.

Paraprakisht mësohet se mes dy të moshuarve debati ka qenë banal, teksa autori e ka akuzuar shokun "pse i kishte zënë krevatin".  Ndërkohë autori ka thënë se e ka qëlluar me shkop hekuri shokun e tij të dhomës, pasi ai e bullizonte.Të dy të moshuarit sipas përfaqësuesve të azilit privat, vuanin nga skleroza.

“Për motive të dobëta, i dyshuari Zyhdi Shehi ka goditur disa herë me anë të një bastuni (shkop hekuri), shokun e tij të dhomës, shtetasin Virxhil Vesho 82 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën”, sqaroi policia e Tiranës.

Arrestohen dy infermiere
Ndërkohë sektori për Hetimin e krimeve ka arrestuar pasdite dy infermiere të azilit. Ndalimi i tyre është bërë pasi nuk kanë kallëzuar ngjarjen.Dy infermieret nuk kanë marrë në telefon policinë por kanë marrë në telefon agjenci funerale. Në polici ata kanë pretenduar që nuk e kanë kuptuar që Zyhdi Shehi kishte vrarë Virxhil Veshon, por sipas tyre kanë menduar se është rrëzuar dhe i ka ardhur vdekja nga kjo, dhe jo nga dhuna e ushtruar nga shoku i dhomës së azilit.

Grupi hetimor ka kryer veprimet hetimore në shtëpinë e të moshuarve "Ruaje moshën" në rrugën "Ali Visha", në lagjen "Ali Demi", duke këqyrur skenën e krimit, marrë në pyetje autorin e arrestuar dhe mbledhur dëshmitë e stafit  apo pamjet e kamerave të sigurisë. Ekspertët do të përcaktojnë dhe shkallën që ishte i prekur nga skleroza 78 vjeçari i cili ishte historian dhe vitin e kaluar kishte marrë titullin "Qytetar Nderi' nga Kavaja dhe në vitin 1990 i ishte dekretuar medalja "Naim Frashëri" për merita në punë.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasin Zyhdi Sheshi, 78 vjeç, banues në një azil privat, për të moshuarit, për veprën penale "vrasja me dashje", parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal”, njoftoi sot në mëngjes paraprakisht policia e kryeqytetit.

Oficerët do të marrin në pyetje 78-vjeçarin Shehi, për të zbuluar motivin konkret që e shtyu të godiste shokun e dhomës për vdekje.

1723105491_shtepiaetemoshuarve.jpg

Foto: Shtëpia e të moshuarve "Ruaje moshën" në lagjen "Ali Demi", Tiranë ku ndodhi vrasja 

Ora 17:08
‘E mbështollën trupin me çarçaf dhe e çuan në funeral’, infermieret e azilit tentuan të fshehin krimin kur panë të moshuarin e vrarë

1723105237_ggggg.jpg

Dy infermiere të azilit privat në Tiranë, ku Zyhdi Shehi, 78 vjeç, vrau me bastun shokun e dhomës Virxhil Vesho 82-vjeç, janë arrestuar. Ndalimi i tyre është bërë pasi nuk kanë kallëzuar ngjarjen.

Dy infermieret nuk kanë marrë në telefon policinë, por kanë marrë në telefon agjenci funerale. Pasi e kanë gjetur trupin e pajetë, dy infermieret e kanë mbështjellë me çarçaf dhe e kanë dërguar në agjencinë funerale. Por kur këto të fundit kanë konstatuar gjak dhe goditje, kanë kërkuar që trupi i viktimës të rikthehet në vendngjarje.

Në polici kanë pretenduar që nuk e kanë kuptuar që Zyhdi Shehi kishte vrarë Virxhil Veshon, por sipas tyre kanë menduar se është rrëzuar dhe i ka ardhur vdekja nga kjo, dhe jo nga dhuna e ushtruar nga shoku i dhomës së azilit.

Ora 10:21
PAMJET/ Vrasja në azilin e të moshuarve në Tiranë, kjo është godina ku ndodhi krimi

Ky është azili privat i të moshuarve në Tiranë, ku mëngjesin e sotëm ndodhi krimi i rëndë, teksa 78-vjeçari i dyshuar dhe arrestuar Zyhdi Shehi, goditi për vdekje pas sherrit me bastun hekuri shokun e tij të dhomës, 82-vjeçarin Virxhil Vesho.

Azili mban emrin “Ruaje moshën”, por duket se nuk ka ruajtur dot jetën e viktimës, teksa i dyshuari është edhe shkrimtar e historian i njohur, me tituj nderi ndër vite.

Në pamje dallohet tabela me emrin e shtëpisë së kujdesit dhe numri i telefonit. Dera metalike që rrethon vilën pothuajse të mbuluar nga pemët. Sistemi i monitorimit me kamera pranë derës së hekurit dhe një mur i lartë. Në të një njoftim në letër A4, për orarin e punës, vizitave dhe pritjeve, teksa këshillohen vizitorët se takimet nuk zgjasin më shumë se 30 minuta dhe koha duhej respektuar.

Policia beson nga hetimet e para se krimi ka motive të dobëta, për zënien e krevatit të autorit nga viktima.

1723105491_shtepiaetemoshuarve.jpg

Azili privat i të moshuarve, ku ndodhi krimi
Ora 09:54
Vrasja në azil, autori i dyshuar i krimit është historiani dhe shkrimtari Zyhdi Shehi, “Qytetar Nderi” i Kavajës dhe me medaljen “Naim Frashëri”

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga krimi i rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm në Tiranë, në ambientet e një azili privat pleqsh në lagjen “Ali Demi”. Policia tha se ka arrestuar si të dyshuar për vrasjen me bastun hekuri të 82-vjeçarit Virxhil Vesho, shokun e tij të dhomës Zyhdi Shehi, 78 vjeç.

Por kush është autori i dyshuar?

Zyhdi Shehi, i lindur më 1946, është një historian dhe shkrimtar i njohur për botime dhe publicistikë historike e letrare. Madje ai vitin e kaluar është shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Kavajës, ku iu dorëzua titulli nga autoritetet lokale bashkiake dhe në ceremoninë e zhvilluar dallohet gjendja jo e mirë shëndetësore, teksa dridhet gjatë fjalës së mbajtur. Nga hetimet e para për krimin dhe dëshmitë, rezulton sesi viktima dhe autori, vuanin të dy nga skleroza, kurse motivi ka qenë i dobët, me debatin se “përse më ke zënë krevatin”.

Zyhdi Shehi

Përmbledhja e aktivitetit të historianit dhe shkrimtarit Zyhdi Shehi:

Sipas biografisë së botuar edhe në rrjetin social Facebook, Zyhdi Shehi është diplomuar në Institutin Pedagogjik të Shkodrës për Gjuhë-Letërsi e më pas ka mbaruar me korespondencë edhe Fakultetin Filologjik të Tiranës, po për Gjuhë-Letërsi. Pas një periudhe pune si mësues, në vitin 1982, nis punën në Muzeun Historik të Kavajës. Në vitin 1996, pas botimeve të artikujve të shumtë në fushën e historisë dhe etnografisë së zonës, del me librin e parë, monografinë kushtuar patriotit kavajas, Ahmet Bejtaga. Më pas, në vitin 2000, monografinë Andrea Ekonomi, "Mësues i Popullit", "Kavaja, figura të shquara historike" 2005, "Indrit Cara", 2007, "Inxhinjeri Jani (Xhuf) Koljaka, e Diplomati Stavro Stavri", etj. Për merita në punë i është dektretuar në vitin 1990 edhe medalja "Naim Frashëri".

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Beteja në Kushtetuese, a duhet që listat për deputetë të hapen plotësisht?