Enver Roshi, drejtues i Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë

Komisioni i Shëndetësisë miraton aktin normativ, hapet ‘rruga’ për vaksinat ruse dhe kineze

18 Mars 2021, 20:17| Përditesimi: 18 Mars 2021, 21:30

  • Share

Ditën e sotme deputetët në Komisionin e Shëndetësisë i kanë hapur rrugë autorizimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ministrisë së Shtetit për Rindërtimin që të vijojnë përpjekjet për të siguruar vaksina në çdo vend që e prodhon.

Sipas akteve të miratuara, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dhe Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, do të mund të negociojnë me vende që prodhojnë vaksina të pacertifikuara nga Administrata për Ushqimin dhe Barnat të SHBA, apo nga Agjencia Europiane e Barnave, duke hequr klauzolat e mëparshme ligjore që ndalonte përdorimin e këtyre vaksinave.

Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli, tha se nëpërmjet këtij projektakti të miratuar vendi ynë, ka mundësi për t’u furnizuar, me vaksina të tjera, përtej atyre, të cilat kanë një autorizim nga EMA dhe FDA, por edhe vaksina të vendeve të tjera, që janë të çertifikuara nga trupa çertifikuese të vendeve, që prodhojnë vaksina anticovid-19.

Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur më shumë se 80 mijë vaksina Anti-COVID, ku 38 mijë janë të AstraZenecës dhe pjesa tjetër janë të Pfizer.

'Në drejtimin e kryetarit, z. Enver Roshi, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, mori në shqyrtim Aktin Normativ nr. 6 datë 10.03.2021 “Për dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të çertifikuara nga trupa çertifikuese në vendin e prodhimit të tyre”, dhe Aktin Normativ nr. 7 datë 12.03.2021 “Për një ndryshim në aktin normativ nr. 1, datë 10.01.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave antiCOVID-19 në Republikën e Shqipërisë si dhe përdorimin e tyre në popullatë” miratuar me ligjin nr. 2/2021”. 

Për të dhënë shpjegime rreth projektakteve, të pranishme në komision ishin znj. Mira Rakacolli zëvendësministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe znj. Geraldina Prodani, Sekretare e Përgjithshme në këtë ministri. Në lidhje me të dy projektatet, znj. Prodani sqaroi se, ato  vijnë në kuadër të objektivit që ka qeveria shqiptare, për vaksinimin e pupullatës në një periudhë 14 mujore. Për sa i përket Aktit Normativ nr. 6, znj.

Prodani shpjegoi se ai parashikon dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anticovid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre.

Relatorja e projektit të parë  znj. Klodjana Spahiu, tha se, me anë të këtij akti normativ synohet t’i mundësohet ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, që të zhvillojë negociata me prodhues dhe distributorë të ndryshëm të vaksinës kundër Covid-19. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, anëtarët miratuan aktin normativ, në fjalë.

Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni, vijoi me shqyrtimin e Aktit Normativ nr. 7 “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave antiCOVID-19 në Republikën e Shqipërisë si dhe përdorimin e tyre në popullatë” miratuar me ligjin nr. 2/2021”.

Për sa i përket këtij projektakti znj. Rakacolli shpjegoi se, argumenti është i njëjtë me Aktin normativ të parë dhe nëpërmjet këtij akti të propozuar vendi ynë, ka mundësi për t’u furnizuar, me vaksina të tjera, përtej atyre, të cilat kanë një autorizim nga EMA dhe FDA, por edhe vaksina të vendeve të tjera, që janë të çertifikuara nga trupa çertifikuese të vendeve, që prodhojnë vaksina anticovid-19.'- njofton Kuvendi.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Berisha boton foton e gruas së Dumanit duke i rrezikuar jetën! Si e gjykoni?