Alibeaj

Komisioni hetimor për investimet strategjike, tërhiqet Duka, u shtuan firmat e Bashës dhe Alibeaj! PD: Ridepozituam kërkesën

27 Maj 2022, 14:42| Përditesimi: 27 Maj 2022, 22:52

  • Share

Partia Demokratike ridërgon në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike.  Përsëritja e kërkesës u bë pasi Agron Duka tërhoqi firmën pak ditë më parë, ndërsa në vend të tij për ngritjen e komisionit firmosën Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha, të cilët për shkak të axhendës nuk kishin mundur të firmosnin.

“Grupi Parlamentar i PD ka ridepozituar sot të korrigjuar kërkesën me nënshkrimet e jo më pak se 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pas tërheqjes së deputetit Agron Duka. Dëshirojmë të theksojmë se për deputetët nismëtar, zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik, janë detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Qëllimi i ngritjes së Komisionit Hetimor nuk është targetimi i posaçëm i asnjë investitori të ligjshëm, por të evidentojë abuzimet me ligjin dhe të marrë masat për frenimin e këtyre fenomeneve negative, korruptive dhe klienteliste. Pasuritë publike nuk mund të jenë kurrë plaçkë për miqtë dhe familjarët e Edi Ramës, dhe detyra e Kuvendit është të marrë masat për të ndaluar abuzimet me zbatimin e ligjit për investimet strategjike dhe të nxjerr përgjegjësitë për këdo që ka shkelur ligjin”, thotë grupi i PD.

Sipas ligjit, për ngritjen e një komisioni hetimor duhen të paktën 35 firma deputetësh. PD thotë se ky komision do të hetojë të gjitha investimet e mëdha, që sipas tyre i janë dhënë miqve të Ramës. Në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar PD përcaktoi edhe përbërjen e Komisioni Hetimor për Investimet Strategjike ku kryetar është përcaktuar Gazment Bardhi.

Gazment Bardhi që është edhe inciatori për ngritjen e këtij Komisioni, ka thënë qartë që qëllimi është që me anë të kësaj të kuptohet që shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?