Mbyll punën komisioni i ‘TIMS’, me votat e mazhorancës miratohet vetëm raporti i PS! Salianji: Policët u kanë shitur të dhënat grupeve kriminale

23 Korrik, 19:27| Përditesimi: 24 Korrik, 10:24

  • Share

TIRANË - 4 muaj punë nuk i bëri bashkë deputetët e mazhorancës dhe opozitës në Komisionin Hetimor të TIMS-it për të arritur në një konkluzion të përbashkët. PS e PD doli me dy raporte të ndryshme pasditen e 23 korrikut 2024 ndërsa në fund u votua propozimi i nënkryetarit, socialistit Gogu.

Kryetari i Komisionit, deputeti i PD-së Ervin Salianji propozoi bashkimin e raporteve, në një të vetëm. Propozimi u votua nga 5 deputetë, ndërsa kundër votuan në bllok të gjithë deputetët e PS-së. 

Prandaj në përfundim u vendos që si raport zyrtar të paraqitet ai i lexuar nga Toni Gogu, ndërsa raporti i opozitës do ti bashkëngjitet si mendim pakice. 

Raporti i PS-se
Dokumenti i socialistëve propozon domosdoshmërinë e ndryshimeve ligjore, që kërkohet të miratohen brenda 6 muajve. Raporti i socialistëve konfirmon problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime, të cilat, jo të gjitha lidheshin me procedurën e ndjekur në kontrollet kufitare.

"Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa me parë në formën e legjislacionit, i cili do t'i nënshtrohet shqyrtimit në parlament.
Aktet nënligjore në fuqi për sistemin TIMS duhen rishikuar tërësisht për mbrojtjen e të dhënave për sistemin TIMS, ku të përfshihen në të gjitha nivelet kontrollet, si dhe të miratohen rregulla ku rregullohen kompetencat dhe llogaridhënie në çdo nivel"   

Raporti i socialistëve konfirmoi problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime, të cilat, jo të gjitha lidheshin me procedurën e ndjekur në kontrollet kufitare. 

Raporti i PD-se
I ashpër në raportin e propozuar prej tij, ishte kryetari i komisionit Ervin Salianji, i cili ka hedhur akuza të rënda. Për Salianjin përgjegjës për nxjrrjen e të dhënave është ministri i Brendshëm Taulant Balla, ish-drejtori i IT në Polici Ervin Muça dhe kreu i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

"Nga hetimet e kryera nga agjencitë ligjzbatuese dhe veçanërisht Prokuroria e Posaçme është konstatuar se punonjës të policisë së shtetit apo struktura të tjera ligjzbatuese që e kanë për detyrë ruajtjen dhe administrimin e të dhënave të sistemit TIMS, i kanë vënë atë në dispozicion grupeve kriminale kundrejt përfitimeve monetare.

Këto grupe kriminale i kanë përdorur këto të dhëna për tu informuar në lidhje me hyrjet e daljet e kundërshtarëve të tyre nga vendi, urdhër-arreste, të ndalimit apo kërkimit nga agjencitë ligjzbatuese, deportimet apo edhe masat e tjera ndaluese nga shtetet e tjera. Funksionarë të lartë të policisë së shtetit janë duke u përballur me disa akuza penale për këto çështje.

Duke pasur akses në informacione të klasifikuara dhe në të dhëna të sistemit TIMS ata ua kanë vënë në dispozicion grupeve të ndryshime kriminale apo personave me rekorde kriminale. Në shumë raste duke aksesuar të dhënat e sistemit TIMS, janë gjurmuar persona kundër të cilëve janë kryer atentate për eliminimin tyre fizik ose ka patur plane të kësaj natyre", tha Salianji. ", tha ai.

Opozita në raportin e saj sugjeron që Policia të marrë masa për një auditim ndërkombëtar të departamentit të IT në policinë e shtetit. 

"Rekomandojmë që policia e shtetit të marrë masa për një auditim ndërkombëtar të departamentit të IT në policinë e shtetit dhe raporti ti vihet në dipozicion komisionit parlamentar të sigurisë kombëtare.

Me qëllim adresimin e rekomandimeve, në Kuvendin e Shqipërisë të ngrihet një  grup I përbashkët pune me përfaqësues nga ky komision dhe komisioni i sigurisë kombëtare, përfaqësues ng aministria e brendshme, drejtoria e përgjithshme e policisë së shtetit, amp dhe partnerët ndërkombëtarë, I cili të konkludojë me ndryshimet ligjore që janë të nevojshme"

Ndërkohë, ndonëse u miratua në Komision, raporti i PS ende nuk është bërë publik për mediat, ndërsa burime i thanë Shqiptarja.com se ende nuk është gati dhe po bëhen rregullimet e fundit gjuhësore.

Raporti përfundimtar do të votohet në seancë plenare të enjten, ndërsa raporti i opozitës do ti bashkëngjitet atij të mazhorancës si mendim pakice.

(Kliko ketu, raporti i PD që nuk u miratua në komision)

Ora 00:58
'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

1721748698_tims.jpg

Në Komisionin hetimor për TIMS, PS e PD nuk ranë dakord për të çuar një raport përfundimtar të harmonizuar për të ju drejtuar më pas Parlamentit për votim.

Pro idesë për të bashkuar dy raportet në një të vetëm, votuan 5 deputetë, ndërsa kundër propozimit të Salianjit kanë votuar në bllok të gjithë deputetët e PS-së. 

Megjithatë PS e PD  bashkuan votat për të marrë një rrogë shpërblim, për shkak të orëve të zgjatura në punë.

“Duke ju falënderuar për punën, propozimi është për të marrë një vendim të ndërmjetëm për të marrë një pagë shpërblim për shkak të orëve shtesë”, tha Salianji, propozim i cili u miratua pa replika dhe me duart lart pa hezitim nga të gjithë anëtarët e Komisionit Hetimor.

Ora 23:12
‘TIMS’/ Miratohet vetëm raporti i mazhorancës, u lexua nga Toni Gogu, PS nuk e shpërndan për mediat! Ende nuk është gati

1721748698_tims.jpg

Me votat e anëtarëve socialistë të Komisionit Hetimor për TIMS u vendos që si raport zyrtar në Kuvend të paraqitet ai i lexuar nga Toni Gogu.  Kryetari i Komisionit, deputeti i PD-së Ervin Salianji propozoi bashkimin të raporteve, por kërkesa u rrëzua me shumicë votash. Pro idesë për të bashkuar dy raportet në një të vetëm, kanë votuar 5 deputetë, ndërsa kundër propozimit të Salianjit kanë votuar në bllok të gjithë deputetët e PS-së. 

Por ndonëse raporti është miratuar, PS ende nuk e ka bërë publik për mediat. 

Shqiptarja.com u interesua pranë PS për raportin, por burimet thanë se raporti do të publikohet në vijim, pasi ende nuk është gati, pasi po i jepet një dorë e fundit për referencat ligjore e të korrigjohet nga gabime gjuqësore.

Edhe Salianji para se ta hidhte për votim bëri dhe ironi.  

"Kush është dakord me çerek raportin e lexuar nga zoti Gogu që të çohet si raport përfundimtar. Treçerekun e kanë me shkelje i kanë hequr. I ka hequr dhe ato që i janë dhënë. O Zot!" (Qesh) 

(Hidhet në votim)

"Miratohet si raport përfundimtar, raporti i propozuar nga zoti Gogu e i sjellë nga nuk e di se kush. Raporti jonë në seancë plenare do të bashkangjitet si mendim pakice. Mbase mund të ketë aty kolegë në anën e ligjit" tha Salianji. 

 Ndërkohë PD shpërndau për median raportin e përgatitur. 

Ora 20:50
Komisioni hetimor për ‘TIMS’, miratohet raporti i PS, Salianji: U bënë gjetje përtej parashikimeve

1721749621_salianji.jpg

Pas shumë debatash, Komisioni hetimor për ‘TIMS’ ka miratuar raportin e PS, i cili u lexua në komision nga deputeti Toni Gogu.

Në mbledhjen e fundit të komisionit, kryetari Ervin Salianji u shpreh se raporti i opozitës, do ti bashkëngjitet raportit të propozuar nga Toni Gogu, si mendim pakice.

Ai u shpreh se, komisioni bëri gjetje që nuk ishin menduar në fillim kur komisioni nisi punën. 

“Miratohet si raport pëfundimtar raporti i lexuar nga Gogu. Raporti jonë do ti bashkëngjitet në seancë plenare si mendim pakice. Shpresojë shumë që do të ketë kolegë të tjerë aty që janë në anën e ligjit. Ky komision bëri gjetje përtej parashikimeve që kishim në fillim” , tha ai.

Ora 20:14
‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

Deputeti Toni Gogu ka prezantuar sot raportin e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit “TIMS”. Në dokumentin voluminoz shpjegohet në mënyrë analitike e gjithë metodologjia e ndjekur nga ekspertët sipas Planit Hetimor të miratuar paraprakisht. Po kështu vlerësohet nevoja për marrjen e masave administrative dhe ndryshimeve në legjislacionin përkatës. Nga hetimi parlamentar, komisioni arrin në konkluzionin e domosdoshmërisë për një rishikim të kuadrit ligjor.

Konkretisht në raport thuhet se nevojitet harmonizimi i ligjit Nr. 8792 datë 10.05.2001 “ Për krijimin e Qëndrës së Përpunimit të të Dhënave”; ligjit Nr. 71/2016 “Për kontrollin kufitar” dhe ligjit Nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar .

“Pas hetimit të plotë edhe të kryqëzuar të të gjitha provave të administruara, rezultuan qartazi problematikat në zbatimin e akteve ligjore edhe nënligjore. Nevojitet të kryhet rishikimi tërësor i veprimtarisë operative të të gjitha strukturave të policisë me sistemin TIMS në kuadër të konstatimeve të këtij raporti, të cilat duhet të adresohen sa me parë në formën e legjislacionit, i cili do t'i nënshtrohet shqyrtimit në parlament”, thuhet mes të tjerash në konkluzionet e raportit të këtij Komisioni Hetimor.

Në vijim të konkluzioneve të këtij hetimi, raporti thekson se “aktet nënligjore në fuqi për sistemin TIMS duhen rishikuar tërësisht për mbrojtjen e të dhënave për sistemin TIMS, ku të përfshihen në të gjitha nivelet kontrollet, si dhe të miratohen rregulla ku rregullohen kompetencat dhe llogaridhënie në çdo nivel”. 

Komisioni Hetimor konfirmon problematikën me sistemin TIMS në disa drejtime, të cilat, jo të gjitha lidheshin me procedurën e ndjekur në kontrollet kufitare. Sipas raportit, këto problematika kërkojnë disa masa dhe konkretisht:

a- ndryshimin e ligjt 71/2016 “Për kontrollin kufitar”

b- nxjerrjen e akteve nënligjore për menaxhimin dhe funksionimin e sistemit TIMS,

b- përzgjedhjen, rekrutimin, dhe kualifikimin e stafit që monitoron, mirëmban, edhe përditëson sistemin TIMS,

c- certifikimit e akreditimin AKSIK të programeve kompjuterike që mirëmbajnë edhe përditësojnë sistemin TIMS.

Komisioni rekomandon ndërtimin e një strategjie të shkruar operacionale e teknike në përputhje me konceptin e “Menaxhimit të integruar të kufirit”, midis autoriteteve përgjegjës, sipas parashikimeve të nenit 3 të ligjit 71/2016.

“Është thelbësore, që çdo organ i varësisë së ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, përgjegjës për kontrollet kufitare edhe sistemin TIMS, t'i nënshtrohet llogaridhënies së detajuar dhe masave mbrojtëse për mbrojtjen e të dhënave, në mënyrë përiodike. Të gjitha aktivitetet e përbashkëta të kontrollit kufitar, përfshirë edhe testimet e certifikimet e sistemeve TIMS të zbatuara në Shqipëri, duhet t'i nënshtrohen mbrojtjes efektive të të dhënave”, rekomandon Komisioni Hetimor.

Në vijim të këtij raporti, Komisioni Hetimor rekomandon gjithashtu  përcjelljen e ndryshimeve ligjore brenda 6 muajve nga miratimi i këtij raporti në Kuvend.

“Mirëpresim gjithashtu që në draft-propozim të jenë inkuadruar tërësisht sugjerimet e rekomandimet e dhëna në këtë raport”, thuhet në rekomandimet e dokumentit të Komisionit Hetimor. 

Komisioni hetimor për sistemin TIMS me marrjen e këtij raporti do të përgatisë dhe miratojë vendimin përfundimtar të hetimit, së bashku me mendimin e pakicës (nësë do të ketë).

“Konkluzionet e  këtij raporti që i përkasin hetimit, me provat që janë administruar e çojnë komisionin në këto konkluzione, si dhe propozime për zgjidhjen e çështjes, përfshirë edhe masat për përsonat përgjegjës”, thuhet në raportin e Komisionit Hetimor.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turi: 23/07/2024 22:28

    Puna e komisioneve hetimore eshte vetem per te mbushur diten e ketyre qaflesheve e te vjedhin sa me shume para publike dhe asgje me teper.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?