Drejt Punës

Kolegji Gjerman Profesional i Teknologjisë, Grupi KASTRATI sjell në Shqipëri përvojën gjermane të arsimit dual profesional

20 Korrik 2022, 16:54| Përditesimi: 20 Korrik 2022, 16:56

  • Share

Kanë filluar regjistrimet për në Kolegjin Gjerman Profesional të Teknologjisë, i cili do të përgatisë profesionistë të kualifikuar të Teknologjisë së Automobilëve, Elektromekanikës, Elektronikës, Menaxhimit të Ndërtimit, Elektrikës si dhe të Sistemeve të Ajrit të Kondicionuar. Kolegji Profesional Gjerman, është nismë e Grupit Kastrati si përgjigje e nevojës tepër të madhe të tregut të punësimit për profesionistë të kualifikuar dhe me përvojë pune në fushën e teknologjisë. Risia e këtij kolegji profesional është metoda e arsimit dual; ndërthurja e teorisë me praktikën; gjë e cila garanton punësim të menjëhershëm pas përfundimit të shkollës. Përfitimet e studimit në këtë kolegj nuk mbarojnë me kaq. Bizneset e Grupit KASTRATi venë në dispozicion hapësirën dhe mjetet e nevojshme për praktikën e studentëve dhe janë të parët që do të mirëpresin të diplomuarit duke iu ofruar punë në kompanitë e tyre.

Modeli gjerman i arsimit profesional tregon se tranzicionet më të mira dhe pa probleme ndodhin kur punëdhënësit janë të përfshirë në hartimin e kurseve profesionale dhe ku mësimi teorik në shkolla kombinohet me përvojën e punës praktike në formën e saj mësimore. Gjermania renditet e para në Evropë përsa i përket inovacionit në ekonomi, industri e më gjerë dhe Kolegji Gjerman Profesional i Teknologjisë sjell në Shqipëri pikërisht atë metodë arsimore që ka kaluar me shumë sukses provat e ekonomisë globale. Vendet me një integrim më të lartë mes shkollës dhe punës, shfaqin një tranzicion më të butë dhe më të shpejtë për të rinjtë. Kjo arrihet përmes programeve të praktikës ose përmes numrit më të madh të të rinjve që kombinojnë efektivisht shkollën dhe përvojat e hershme në tregun e punës. Kolegji Gjerman Profesional i Teknologjisë synon që kompanitë e vogla dhe të mesme të përfitojnë teknikë të mirëkualifikuar, me përvojë të pasur, që janë fleksibël dhe më të adoptueshëm në sfidat e reja ekonomike, dhe që reagojnë pozitivisht ndaj ndryshimeve të tregut në Shqipëri.

Kolegji më i ri profesional në Shqipëri do të ofrojë programe një dhe dy vjeçare studimesh, si dhe kurse trajnimi me afate 3-6 muaj. Programi mësimor do të përmbajë praktika profesionale të garantuara në biznese me standarde evropiane si Auto Star Albania, përfaqësuese e Merecedes-Benz në Shqipëri, si dhe ndërmarrje me standardet më të larta të Fushës së Ndërtimit dhe Teknologjisë së Informacionit, pjesë të Grupit KASTRATI. Shkolla ofron mësimin me pedagogë dhe ekspertë nga Gjermania, Zvicra, Austria, etj, të cilët do të përdorin kurrikula të përditësuara sipas standardeve evropiane.

Rëndësia e shkollave të tilla profesionale në vendin tonë është tepër e madhe, pasi ndihet një mungesë e theksuar e fuqisë punëtore me aftësi profesionale teknike ndërkohë që bizneset shqiptare synojnë të arrijnë nivelet dhe standardet bashkëkohore. Për më tepër, edhe vetë kompanitë kanë dëshirë të trajnojnë dhe zhvillojnë aftësitë e stafit të tyre, por mungesa e bashkëpunimit, e informacionit dhe pamundësia e përballimit të kostove ka bërë që një praktikë e tillë të mos ekzistojë thuajse fare. Kolegji Gjerman Profesional i Teknologjisë, përveç përgatitjes së një stafi të kualifikuar teknik, do t'i vijë në ndihmë edhe kompanive të tjera në vend që do të kenë dëshirë për të trajnuar dhe aftësuar stafin e tyre, duke nxitur frymën e bashkëpunimit dhe duke dhënë kontribut domethënës në zhvillimin profesional të vendit.

Kolegji Gjerman Profesional i Teknologjisë, është tashmë në proces akreditimi dhe do të ofrojë programe studimi të mbështetura në përvojën dhe praktikat me të mira të vendeve evropiane dhe sipas kritereve të sistemit të Bolonjës, të vlerësuara me ECTS. Studentët e këtij kolegji do të kenë në dispozicion teknologjinë më të fundit në të gjitha fushat ku do të përgatiten, me laboratorë mësimorë, si dhe me praktikat në terren në disa prej bizneseve më të suksesshme në Shqipëri. Nisma e Grupit KASTRATI për hapjen e një shkolle të tillë profesionale ka ardhur nga bindja se sistemi i bashkëpunimit me bizneset, i futjes së tyre në shkolla dhe lidhja e studentëve me vendin e mundshëm të punës, është çelësi i gjithë ndryshimit; si për studentët që dëshirojnë të kenë garanci punësimi, ashtu edhe për bizneset që kërkojnë profesionistë të nivelit të lartë.

S'ka teori pa praktikë dhe s'ka praktikë pa teori! Kjo është motoja e Kolegjit Gjerman Profesional të Teknologjisë, i cili do të nisë shumë shpejt të përgatisë profesionistët e të ardhmes.

Për më shumë informacion mbi kolegjin dhe mënyrën e aplikimit, mund të vizitoni www.kpgjt.edu.al apo të kontaktoni në [email protected] ose +355 69 60 99 099.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?