Foto ilustruese

Kalvari i pagave të deformuara

19 Maj 2022, 21:24| Përditesimi: 19 Maj 2022, 21:34

  • Share

Më 22 dhjetor 2021, plasi skandali i publikimit të pagave të shqiptarëve. Mbi 637 mijë paga u bënë të njohura për të gjithë, nga rrjedhja më e madhe e informacionit në historinë e administratës sonë publike. Kjo gjendje tërhoqi vëmendjen e statisticienes së përgatitur që sot është ministre e Financave, e cila veproi menjëherë dhe me zgjuarsi. Ia kaloi si ide shefit të saj dhe në fillim të janarit 2022, formohet Njësia Anti-informalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

https://www.financa.gov.al/njesia-speciale-antiinformalitet-reagim-pozitiv-i-tatimpaguesve-per-rritjen-e-pagave/

Nga 20 janari 2022, Njësia Anti-informalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet ka disa muaj që po bën atë që duhej të bënin tatimet tona që nga viti i largët 2005, kur hoqën dorë nga kryqëzimi i të dhënave nga shitjet me ato nga blerjet, me arësyetimin se është një qasje e vjetër dhe duhen teknika të reja kontrolli. Në fakt, administrata më moderne e botës në nivel të tatimeve, IRS(Shërbimi i të Ardhurës së Brendshme) i SHBA-ve, kryqëzimin e të dhënave e ka bazë të punës, sa herë që kërkon të hetojë mosdeklarim të ardhurash dhe fshehje të fitimit. Ja përse evazioni fiskal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në 5 shtetet me nivelin më të ulët mes 39 shteteve më të zhvilluara të botës. Katër shtetet e tjera janë vendet nordike. A duhet ta marrim shembull ne? Që ç’ke me të! Fakti që jemi një vend në zhvillim nuk do të thotë aspak të mos përpiqemi të ndërtojmë një administratë tatimore efektive. Dhe sfidat e informalitetit të jashtëzakonshëm dhe evazionit galopant janë të gjitha aty. Në sajë të punës disamujore të Njësisë Anti-informalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet, fillimisht u analizuan 142 mijë vende pune të paguara nga mbi 10 mijë kompani. Pastaj u analizuan pagat e mijëra kompanive të tjera. Rezultati i marrë është shumë premtues dhe kryeministri bëri mirë dje që doli së bashku me ministren e Financave. Më në fund, pas dekadash pune në tym dhe mjergull të Inspektoratit të Punës dhe të strukturave të tjera që i marrin kot paratë e taksapaguesve tanë, rezultoi që mbi një e katërta e të punësuarve të kontrolluar fillimisht, ose tre mijë e treqind e pesëdhjetë e tre tatimpagues, kanë reaguar pozitivisht nga kontrolli jo gjobvënës dhe oferta publike e Drejtorisë së Tatimeve, duke e rritur vetë pagën për më shumë se 30 përqind të numrit të punonjësve të tyre.

Përveç përfitimit të të ardhurave shtesë në buxhetin e shtetit për të ndihmuar pensionet, një përfitim akoma më i madh po duket në horizont. Mundësia që të luftohet me seriozitet dhe “prej vërteti” evazioni i përbindshëm fiskal i vendit, i fshehur jo tek pagat e deformuara, por tek bilancet e trukuara. Nëse pagat e deformuara japin mungesë kontributi në buxhetin e shtetit prej afro 6 milionë euro të ardhura në vit për sigurimet shoqërore, bilancet e deformuara(një për shtetin dhe një për pronarin e kompanisë) me shpenzime të fryra qëllimshëm dhe fitime të fshehura, u mohojnë pensionistëve tanë, arsimtarëve, mjekëve etj., rreth 260 milionë euro. Rekuperimi i një pjese të mirë të këtyre 6 milionë eurove, nëpërmjet pagave më të rritura të vetëdeklarura nga bizneset është një fitore e vogël shpresëdhënëse.

Dobitë dhe sfidat e transparencës së pagave

  • Anët pozitive
  • Transparenca e pagave e bën tregun e punës më produktiv, por ama, në një vend ku tregu punës është formalizuar dhe ku transparenca e pagave nuk shërben si qëllim në vetvete për të luftuar informalitetin, pasi ajo është një detyrë permanenete e institucioneve të qeverisë dhe nuk bëhet me kuvendime dhe marrje mendimi, por me zbatim të legjislacionit përditë dhe me vullnet të pakorruptuar.
  • Më e rëndësishme që transparenca të jetë në lidhje me momentin e marrjes në punë, duke u përcaktuar në formën e një projekti pilot për çdo kompani publike dhe kompani VIP si dhe transparencën e pagave në procesin e aplikimit për punë. 

Sfidat e transparencës së pagave

  • Ndërsa përfitimet e transparencës së pagave janë të lehta për t’u kuptuar, mund të ketë anë negative dhe sfida të forta, kur transparenca nuk komunikohet mirë.
  • Paga është një temë e ndjeshme për shumicën e njerëzve, e cila mund të shkaktojë kaos nëse hidhet papritur në dritë pa politika të qarta rreth saj. Në këto raste, është më e vështirë për punonjësit të kuptojnë diferencimet mbi rolin, përvojën dhe kualifikimet e kolegëve të tyre që kanë çuar në vendimet përfundimtare të pagave.
  • Hapja e papritur e informacionit të pagave në gjithë kompanitë mund të shkaktojë probleme në treg nëse pagat nuk shpërndahen në mënyrë të barabartë, ose nëse punëmarrësit thjesht nuk janë të gatshëm ta ndajnë atë informacion, si një e drejtë kushtetuese e tyre.
  • Transparenca pa një politikë të qartë pagash mund të jetë problematike, pasi bën presion direkt ndaj punëdhënsve, si dhe ndërhyn në tregun privat me ndikim në lirinë e marrëveshjes së lirë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit,
  • Transparenca e pagave nuk është një zgjidhje për pabarazinë në paga më vete dhe luftën ndaj informalitetit.

Duke vazhduar me angazhimin për transparencë, qeveria duhet së pari të bëjë publike realizimin e detyrave dhe zotimeve politike të saj për një rishikim të brendshëm të pabarazisë së pagave në treg, duke e studiuar dhe diskutuar me ekspertët e punësimit, të pagave, të ekonomisë dhe ekspertët fiskalë. Nuk mjafton një dalje publike nga Ministria e Financës për të kërkuar transparencë, qoftë kjo edhe me anketim kombëtar, pasi një çështje e tillë është për nivel referendumi, pas një periudhe diskutimesh dhe anketimesh.

Duhet të kuptohet se nismat e qeverisë, sado me qëllim pozitiv të jenë, duke u justifikuar nga nevojat e stadit të qeverisjes dhe ekonomisë, si dhe antikorrupsionit, duhet të diskutohen në periudha kohore të mjaftueshme, për të shteruar gjithë problemet që janë të mbartura dhe ato që do të krijojë një politikë e re.

Po me bilancet e trukuara?

Po vallë, a ka ndërmend qeveria të fillojë me “gjuetinë” e madhe të evazionit, shmangjes së pagesave për shtetin, përmes bilanceve të trukuara? A ka ndërmend t’u japë detyrë tatimorëve tanë të rifillojnë, pas 17 viteve, kryqëzimin e të dhënave për shitjet dhe blerjet? Duke nxjerrë zbuluar lojën e pistë të dhjetra e dhjetra tatimorëve të lagjeve, që i quajnë bilancet e paraqitura nga kompanitë si të mirëqëna, pa u munduar një herë të vetme të kryqëzojnë të dhënat? Sepse kryqëzimi do të hapte Kutinë Pandorës të abuzimit më të përbindshëm 17 vjeçar me detyrimet ndaj Shtetit, pas “taksës madhore” të KORRUPSIONIT! Kjo taksë llogaritet në këto 17 vitet e fundit e nivelit të 2.6 miliardë eurove, ndërsa evazioni fiskal nga bilancet e deformuara është më shumë, 3.4 miliardë euro në këto 17 vite, ose 100 herë më i madh se sa evazioni nga pagat e deformuara! Megjithatë, fillimi i mbarë gjysma e punës, thotë populli. Le të shpresojmë.

E.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?