Janar-mars 2022, borxhi publik u rrit me 135 mln euro, interesat u rritën 11.2 mln euro! FMN, BB dhe ekspertët: Kujdes, ulni shpenzimet

26 Maj 2022, 20:20| Përditesimi: 26 Maj 2022, 23:02

  • Share

Edhe viti 2022 ka regjistruar rritje të borxhit publik në vlerë monetare, ndërsa në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, borxhi është sa 69,55% e tij. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në tremujorin e parë të këtij viti borxhi publik u rrit me 135.5 milionë euro, në raport me dhjetorin e vitit 2021. Në total në fund të muajit mars të këtij viti borxhi ka regjistruar vlerën e 11.6 miliardë eurove, nga 11.5 milionë euro që ishte në fund të 2021.

Ndikim në rritjen e borxhit të këtij viti kanë dhënë huatë e marra, për sektorin energjetik, për ujësjellësit apo për projekte të ndryshme infrastrukturore. Ndërkohë rritja e borxhit është më e lartë nëse e krahasojmë me tremujorin e parë të 2021, pasi për shkak të kredive dhe eurobondit të marrë për të përballuar pandeminë borxhi rezulton mbi 1 miliardë euro më i lartë.

Institucionet ndërkombëtare por dhe ekspertët e konsiderojnë risk borxhin e lartë, sidomos në kushtet e pasigurisë që ka shkaktuar lufta, e cila ka sjellë rritje të kostove për shlyerjen e borxhit për shkak të normave të larta të interesit, luhatjeve të këmbimit dhe rënies së fuqisë paguese si pasojë e çmimeve të larta.

“Ne kemi dalë disa herë në tregjet ndërkombëtare duke marrë borxh. Problemi është që ky borxh është i ekspozuar tashmë, pasi një rritje e inflacionit do rrisë edhe koston e borxhit. Treguesit thonë se kostot e borxhit u rritën me 20%, kjo do të thotë që në të ardhmen do të paguajmë më shumë për të shlyer borxhin e marrë, dhe do kemi vështirësi edhe për të marrë borxh tjetër. Rritja e kostove të borxhit vënë në vështirësi financat publike. Ose do të duhet një reduktim i shpenzimeve operative ose pezullim i përkohshëm i disa investimeve në infrastrukturë”, thotë eksperti i ekonomisë Klodian Muço.

Ministria e Financave thotë se në 4 mujorin e parë të këtij viti interesat e borxheve arritën në rekordin e dekadës, pasi u rritën me mbi 10% në raport me të njëjtën periudhë të 2021. Konkretisht shpenzimet për interesat e borxhit në fund të prillit ishin 113,9 milionë euro duke u rritur me 11.2 milionë euro në raport me një vit më parë.

BORXHI PUBLIK I SHQIPËRISË

T1 2021                 10,620,540,097 euro

T1 2022                 11,666,195,335 euro

Diferenca                 1,045,655,238 euro

 

BORXHI PUBLIK I SHQIPËRISË

T4 2021                 11,530,686,969 euro

T1 2022                 11,666,195,335 euro

Diferenca                    135,508,366 euro

 

INTERESAT E BORXHIT

Janar-Prill 2021      102,742,511 euro

Janar-Prill 2022      113,984,143 euro

Diferenca                  11,241,632 euro

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?