Kryeministri Edi Rama në takimin me emigrantët shqiptarë në Greqi

Jakin Marena: Rama në Athinë, opozita jonë ‘mbron’ Mitsotakis nga Edi e Bubulina

14 Maj, 19:41| Përditesimi: 14 Maj, 19:47

  • Share

Vizita e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Athinë më 12 maj, takimi i tij festiv me shqiptarët e diasporës të cilët mbushën stadiumin “Galatsi” ishte suksesi më i arrirë nga një kryetar qeveria apo shteti që viziton fqinjin tonë jugor. Madje dhe më gjërë.

Kjo nuk vihet në diskutim nga askush, pavarësisht nëse është pro apo kundër Ramës. Madje e kanë shprehur me zë të lartë thuajse të gjithë, pavarësisht nuancave që i kanë dhënë, dhe kjo nuk mbetet më për t’u diskutuar.

Që fjalimi i Ramës para shqiptarëve të diasporës sonë në Greqi ishte brilant jo vetëm për nga mënyra e artikulimit, qasjes apo përcjelljes tek shqiptarët në takim, por dhe për nga mesazhet që përcolli, dhe kjo nuk ha asnjë diskutim.

Që u dëgjua dhe përtej mureve të kompleksit sportiv, dhe tek të gjithë shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në botë por dhe nga vetë qytetarët grekë në Greqi, kjo u pa nga jehona që mori në mediat greke, shqiptare dhe thuajse mediat më të mëdha në rajon dhe Evropë.

Dhe mbi të gjitha që politika në Greqi dhe në Shqipëri e ndoqi me ‘laps e letër në dorë’ nga fillimi e deri në fund fjalimin e Ramës në takimin me bashkëatdhetarët tanë, duke nënvizuar jo vetëm njëherë të gjitha mesazhet që përcolli për diasporën, klasën politike në Greqi e Shqipëri, dhe kjo u pa në momentet post-takim të Ramës në stadiumin “Galatsi” në Athinë.

E themi këtë sepse mesazhet që përcolli Rama në atë takim, ta quajmë festiv dhe të parin e këtij lloji që një kryeministër i Shqipërisë zhvillon me bashkëatdhetarët e vet në këto 33 vite në Athinë, ‘zemrën’ e Greqisë, ishin tepër të forta dhe të paartikuluara kurrë nga një lider shqiptar në vendin tonë fqinj.

Në krye të herës kryeministri Rama, gjeti kohën dhe momentin e duhur për të përcjellë mesazhin tek politika greke por dhe tek qytetarët grekë, se shqiptarët nuk janë më shërbëtorët e dikurshëm, me bukë dhe pa bukë që mbërritën në Greqi pas shembjes së komunizmit në vendin e tyre, për të kërkuar punë por dhe dinjitet, të cilin nuk e gjetën asnjeherë. Dhe mbi të gjhitha janë dinjitozë.

Pra janë pjesë integrale e shtetit grek, me të mirat dhe të keqijat e veta si të gjithë qytetarët e tjerë grekë që gjetën aty kur emigruan, dhe pjesë e ringritjes së Greqisë pas krizës së thellë që e kaploi vite më parë. Për më tepër që janë të shpërndarë në të gjitha fushat e jetës dhe nuk janë thjeshtë punëtorë ndërtimi, vjelës ullinjsh, apo punëtorë të serave.

Nuk kaloi pa përmendur nxënësit e studentët ekselentë shqiptarë, që me gjithë vështirësitë e tyre, duke u mohuar dhe të drejtën elementare të gëzimit të një fëmijë për të pasur në dorë flamurin grek dhe prirë klasës në fund të një procesi mësimor, ku ka dalë i pari i klasës, ia dolën. As një gëzim fëmije nuk e kanë lejuar në shumicën e kohës, duke i konsideruar qytetarë të dorës së dytë. Pra tregoi se shqiptarët, vuajtën, luftuar dhe në fund fituan. Ata janë Greqia aktuale.

Kryeministri i Shqipërisë në mes të Athinës kërkoi as më pak dhe as më shumë po vetëm respekt për shqiptarët, respekt për punën e dhe kontributin e tyre në shoqërinë greke, respekt për dinjitetin e tyre, pasi janë pjesë integrale e shoqërisë greke tërë këto vite. Pra respekt reciprok.

Rama e bëri të qartë se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, duke u kujtuar në mënyrë idirekte që dhe pala greke të mos ketë asnjë pretedim ndaj Shqipërisë. Përpos respektit reciprok.

Kaq i i thjeshtë është mesazhi i Ramës, lehtësisht për t’u kuptuar nga pala greke, në raport me diasporën në Greqi por dhe me Shqipërinë, por që për hir të së vërtetës është tepër e vështirë për t’u ‘gëlltitur’ nga klasa politike greke, e mësuar që me një ‘fishkëllimë’ të cënojë dinjitetin e shqiptarëve, të mbajë nën këmbë qeveritë shqiptare dhe të diktojë çfarë i ka dashur e bardha zemër në kurriz të Shqipërisë dhe në favor të Greqisë.

Pra, Rama tregoi se tashmë kohët kanë ndryshuar, raportet janë përmbysur dhe në krye të herës duhet respekt reciprok. Një mesazh dinjitoz i një shtetari shqiptar, që bëri krenar diaporën shqiptare, por siç janë parë dhe nga lajmet, komentet dhe deklarimet, dhe ata shqiptarë normale, që janë me shumicë, në tërë hapësirën shqiptare në rajon, duke filluar nga Kosova, vazhduar me Malin e Zi, Preshevën dhe Maqedoninë e Veriut. Në Shqipëri po e po.

Rama preku dhe disa çështje, që askush nga udhëheqësit shqiptarë nuk i ka prekur, jo më t’i ketë deklaruar në mes të Athinës, dhe që përbëjnë njëherësh absurdin e politikës greke të 100 viteve por dhe pikën nevralgjike që marrëdhëniet mes dy vendeve kanë mbetur në standardin e ulje-ngritjeve sipas humorit të klasës politike greke apo sipas stinës zgjedhore që kanë pasur ata në të gjitha rastet.

E kemi fjalën për mesazhin e Ramës për politikën greke që të heqë ligjin absurd të luftës që mbahet këtu e 80 viteve nga ana e shtetit grek me Shqipërinë. Pavarësisht se kemi një traktat miqësie mes dy vendeve, pavarësisht se jemi bashkëanëtarë të NATO-s, pavarësisht se kemi gati një milion shqiptarë në Greqi, që jetojnë dhe punojnë atje për 30 vite me radhë.

Eshtë absurd që një shtet anëtar i NATO-s, që zbaton nenin 5 të kartës së përbashkët nen që përcakton qartë se kur një shtet sulmon një anëtar i Aleancës janë në luftë të gjitha vendet anëtare dhe ofrojnë mbrojtje kolektive, të jetë në gjendje lufte me ligj për 80 vite me radhë me një anëtar fqinj të kësaj Aleance. Larg qoftë nëse ndodh një luftë në Shqipëri apo anasjellas, si mund ta respektojnë nenin 5 dy vendet, pasi janë në ‘luftë’ dhe me ligj nuk mund të kalojë këmbë ushtari as në Greqi as anasjelltas.

Ndaj Rama deklaroi publikisht heqjen e këtij ligji lufte. I cili në themel nuk ka thjeshtë e vetëm atë momentin kur nga kufiri shqiptar Italia fashiste që na kishte pushtuar i shpalli luftë Greqisë së asaj kohe, dhe në mënyrë absurde pushtuesi u ‘rehabilitua’ dhe u hoq ligji i luftës nga Greqia për Italinë, kurse i pushtuari quhet armik për 80 vite me radhë nga Greqia. Pra Shqipëria armike.

Për hir të së vërtetës në këtë mes janë pronat. Sepse me heqjen e ligjit të luftës çlirohen jo vetëm pronat e çamëve, që siç tha Rama u deportuan pas masakrave barbare në fillim të shekullit të 20-të, por dhe pronat e pasunarëve shqiptarë nga Shqipëria. Janë të konfiksuara këtu e 80 vite dhe vetëm kamata e tyre kushton miliona e miliona euro nëse kthehen në fund të herës.

Jo pa qëllim Athina zyrtare nuk lë pretekst pa shfrytëzuar që të pengojë integrimin e Shqipërisë në BE, pasi në rastin e pritshëm të pranimit të Shqipërisë anëtare me të drejta të plota në BE, atëherë çdo shtetas shqiptar me statusin e qytetarit të Bashkimit Evropian shkon deri në gjykatën e Hagës për të marrë pronat e tyre. I kanë dokumentet shqiptarët, i kanë ruajtur me fanatizëm, si çamët ashtu dhe pasunarët shqiptarë të atëhershëm. Pra Rama përmendi dhe të drejtat e çamëve në mes të Athinës, si një problem që duhet zgjidhur.

Për më tepër që i kujtoi klasës politike greke se fatet e shqiptarëve e grekëve janë të pandashme, përmbi 500 vite me radhë, por me zë më të fortë që nga revolucioni grek. Dhe Rama nuk la pa përmendur kontributin e shqiptarëve në këtë revolucion, me Laskarina Bubulinën, të parën komandante flote grua në botën e asaj kohe, që luftoi për çlirimin e Greqisë dhe sigurimin e paqes për qytetarët e saj, përfshirë dhe shqiptarët arvanitë.

Mbi të gjitha Rama i dërgoi dhe një mesazh homologut të tij grek Mitsotakis se shqiptarët nuk duan as më pak e as më shumë por vetëm respekt reciprok, jetën në paqe dhe harmoni me njëri tjetrin, bashkëpunim si aleatë strategjikë në rajon. Ia kërkoi përmes fjalëve të Naim Frashërit, duke kërkuar që të dy popujt të mos përplasen, të mos jenë armiq me njëri tjetrin. Janë dëshira të shqiptarëve, të përcjellë në gjuhën greke nga Naimi që para 100 e ca vitesh, dhe të përsëritura në mes të Athinës në shqip nga kryeministri Rama.

Por si u lexuan këto mesazhe të Ramës nga politika në Greqi dhe në Shqipëri. Pavarësisht se niveli i lartë politik në Athinë ka heshtur, duket janë të shokuar nga gjuha e drejtëpërdrejtë, e butë dhe aspak provokuese e Ramës që i tha të gjitha shqetësimet e shqiptarëve me një tingull ftues për fqinjët tanë jugorë për harmoni e bashkëpunim, aty këtu në Greqi e quajtën Mitsotakisin të dështuar në politikën e jashtme, të thyeshëm dhe aspak të aftë që të përballojë Ramën.

Kuptohet, për kryeministrin shqiptar u thanë dhe fjalë të tjera, e kjo pritej nga ana e ekstremistëve të egër grekë. Pa përjashtuar mediat afër qeverisë, që e cilësuan provokim përmendjen e çamëve nga Rama, si dhe nuk ‘mbanin’ dot akuzën që sipas tyre Rama ka artikuluar se grekët janë racistë ndaj shqiptarëve. Pa përjashtuar përmendjen e Laskarina Bubulinës, shqiptaren heroinë të revolucionit grek. Megjithëse dallohej zëri i shuar i tyre përballë këtyre të vërtetave të thëna nga Rama, aspak nga pozitat e të fortit, të mbështeturit si lider i Ballkanit nga aleatët tanë të mëdhenj SHBA, BE e Britania, apo si një kryetar qeverie i një vendi si Shqipëria që ka ndryshuar rrënjësisht.

Por ajo që pritej, por jo në këtë shkallë, është mbrojtja që lidershipi i opozitës i bëri Mitsotakisit dhe Greqisë, a thua Rama në atë takim në “Galatsi’ të Athinës i shpalli luftë vendit fqinj. Ku pavarësisht se Greqia mban një ligj lufte me Shqipërinë, Rama kërkoi respekt reciprok, kërkoi dinjitet për shqiptarët, e cilësoi vendin fqinj një partner strategjik me të cilin Shqipëria kërkon të jetojë në harmoni dhe paqe me të.

Dhe në ‘majë’ të listës së politikanëve shqiptarë që mbrojtën Mitsotakisin nga ‘intervenimi’ paqësor i Ramës, ishte ai, i papërsëritshmi që nuk të zhgënjen asnjëherë, lideri i Rithemelimit Sali Berisha. Pas një kohe relativisht të gjatë që kërkoi anulimin e takimit të Ramës me diasporën shqiptare, duke e cilësuar vizitën e kryeministrit shqiptar një provokim për Athinën, Berisha teksa pa sallën plot e përplot, entuziasmin e shqiptarëve pjësëmarrës në takim, flamujt kuqezi që valëviteshin në sallë, aq shumë ishin sa në 33 vite me radhë nuk janë parë kaq flamuj shqiptarë në Greqi sa më 12 maj, duket se u ndje keq nga suksesi e filloi të sulmonte Ramën. E pangjarë publikisht në asnjë vend të botës, por në Shqipëri e kthyer në normalitet ‘nxjerrja e syrit’ vëllait..

E filloi me pjesëmarrjen dhe autobusët, ka deficite vetë Berisha në mitingje pasi nuk e ndjek askush më, e vazhdoi me mesazhet e Ramës që i quajti provokuese, vazhdoi me deklaratën se Laskarina Bubulina nuk është shqiptare dhe as heroinë shqiptare dhe përfundoi me akuzën se Edi Rama se kërcënoi Mitsotakisin dhe Greqinë njëlloj si Enver Hoxha. Berisha vetëm nuk tha siç e ka zakon të kërcënojë se ‘nëse i prek një qime Mitsotakisit, gjej vrimë ku të futesh’. Dhe mund ta thoshte Berisha, pasi  çdo gjë pritet prej tij, aq më tepër që po mbush 6 muaj në izolim të arrest shtëpiak nën akuzën për korrupsion, dhe ‘binarët’ kanë lëvizur me kohë dhe vakt.

Megjithëse bashkë me Berishën, në këtë mënyrë reaguar dhe mbështetësit e tij në Rithemelim, në media dhe mbi të gjitha ‘patriotët’ e rrjeteve sociale, të cilëve Zukenbergu ua ka dhënë me pash lirinë për të thënë këto ‘mrekullira’. Pra opozita e tërë e ka marrë në mbrojtje Mitsotakisin dhe Greqinë, që ‘kërcënoheshin’ nga Edi Rama mu në mes të Athinës. Mendja një kokërr gruri është, nuk e kanë thënë kot të parët tanë këtë.

Por Berisha pasoi në akuzat e tij ndaj Ramës, një nga ithtaret më të forta të tij dhe pjesë e lidershipit të Rithemelimit, për fatin tonë të keq e kemi pasur dhe zv.ministre të Punëve të Jashtme. E cila krahasoi të pakrahasueshmen, fjalën e Ramës në Athinë para diasporës shqiptare me fjalën e ‘kasapit’ të Ballkanit Sllobodan Milosheviç në Kosovë. “Ai sot (Rama) iu drejtua si Millosheviçi në Fushë Kosovë në 1989 dhe besoj se kjo shënon dhe fundin e Edi Ramës në pushtet”, ka deklaruar ish diplomatja shqiptare dhe pjesë e Rithemelimit, Edith Harxhi.

Deri këtu as Berisha nuk ka arritur, sepse është çartje të thuash se Rama foli në Athinë siç foli Milosheviçi në Fushë-Kosovë. Ky është kiamet mendor, pasi dihet se Serbia e mbante të pushtuar Kosovën dhe ushtronte genocid, e pasi vrau e preu shqiptarët në Kosovë, deportoi gati një milionë prej atyre që kishin mbetur gjallë jashtë kufinjve, shumicën në Shqipëri pjesa tjetër në Maqedoninë e Veriut.

Nuk dimë ta shpjegojmë ndryshe këtë lajthitje të ish zvministres së Jashtme shqiptare, tashmë pjesë e lidershipit të Rithemelimit të Berishës, por vetëm mund të themi ‘haram të gjitha lekët që ka marrë nga misioni i OKB në Kosovë, të cilët i besuan kësaj shqiptareje fatet e rimëkëmbjes së Kosovës së pasluftës. Për atë pjesë që paguhej themi. Dhe haram paratë tona në MPJ”.

Dhe në fund të herës, duke qënë se nuk kemi asnjë shpresë se Berisha, Meta e mbështetësit e tyre të paktë, kudo që janë nuk do të ndryshojnë ‘kurs’, pasi nuk interesohen për shqiptarët por për hallet e tyre personale dhe mbi të gjitha quajnë gabim çfarë bën kundërshtari politik, ajo që po shpërfaqet është fakti se shqiptarët në Greqi, në Shqipëri por dhe kudo ku janë, diasporë apo hapësirën mbarë shqiptare, nga 12 maji janë ndjerë me krenarë, më dinjitozë dhe të barabartë mes të barabartëve me qytetarët e vendeve ku jetojnë.

Këtë presim ta shohim në takimet e radhës të Ramës në Milano, në Dyseldorf dhe në Londër. Këtë të të fundit kërkon ta imitojë dhe Meta, i cili e cilësoi takimin e Ramës një tallava. Ndërsa këtu të njejtën ‘melodi’ do kemi nga liderët e opozitës. Që do rrijë gjatë jashtë pushtetit./ JavaNews

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Koci- Xhuli: 16/05/2024 06:48

    Bravo Edi Rama, pamvaresisht ngjyres politike, me fjalimin,qe mbajte ketu ne Greqi, shqipetaret fuhet dhe besoj jane krenare me Ty, ja ndrite faqen Shqiperise. Per ne, je shume i mire, vetem ne Shqiperi te luftohet korrupsioni, tu merret pasuria e vene ne kurriz te popullit,te ngrihen pensionet dhe mos te jete burrokraci neper administrata, atehere je dhe do te jesh Kryeministri i pazevendesueshem ne Shqiperi ! Po te rre

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?